Shendet

Lajmi i mirë: Shkalla e vdekjes nga Covid-19 shumë më e ulët nga ç’ishte menduar

Një studim i ri ka zbuluar të martën se përqindja e personave që humbin jetën nga koronavirusi është shumë më e ulët nga sa ishte menduar. Hulumtimi, i botuar në revistën mjekësore “The Lancet” dhe që po sillet i përmbledhur më poshtë nga Gazeta “Si”, vlerësoi se vetëm 0.66% e të infektuarve me virus humbin jetën.

Kjo shkallë e vdekshmërisë së koronavirusit, e cila është më e ulët se vlerësimet e mëparshme, merr në konsideratë rastet e diagnostikuara, por është akoma më e lartë se 0,1% e njerëzve që vriten nga gripi.

Studimi zbuloi se duke mos marrë parasysh njerëzit që nuk shfaqin simptoma duke e kaluar virusin pa ndihmë mjekësore, studiuesit mendonin se  shkalla e vdekjes së koronavirusit ishte 1.38%.

Në fillim të marsit, për shembull, Dr. Anthony Fauci, drejtori i Institutit Amerikan të Sëmundjeve Infektive tha se shkalla e vdekshmërisë është rreth 2%”.  Por problemi qëndron se për të llogaritur shkallën e vdekshmërisë, studiuesit duhet të dinë numrin preciz të viktimave dhe atë të rasteve të prekura.

Deri më tani, ajo që është e sigurt është numri i viktimave. Por ashtu siç u vërtetua edhe nga Italia fqinje, në këtë moment është e pamundur të llogaritet numri real i të prekurve, pasi pjesa më e madhe e tyre priren të shfaqin simptoma të lehta ose të mos shfaqin fare.

Në këtë studim, studiuesit u përqendruan tek mënyra se si u përhap virusi tek amerikanët dhe europianët e rikthyer nga Wuhani pas shpërthimit të epidemisë.

Si pjesë e studimit, të riatdhesuarit u analizuan me teste PCR, një lloj testi që është në gjendje të identifikojë se sa prej tyre ishin infektuar, edhe nëse nuk shfaqnin simptoma, apo ishin ende në fazën e inkubimit.

Studiuesit kombinuan të dhënat me informacionin publik në Europë dhe SHBA mbi rastet e raportuara dhe vdekjet, duke zbuluar se niveli i përgjithshëm i vdekjeve ishte 0.6 %.

Ata zbuluan se shkalla e vdekshmërisë ndryshonte sipas grupmoshave.  Ajo arrinte me afërsisht 7.8% për pacientët mbi 80 vjeç . Ndërkohë, infektimi me pasojë vdekjen ishte jashtëzakonisht i rralla tek fëmijët më të vegjël se 9 vjeç, me një shkallë fataliteti prej vetëm 0.00161%.

Për grupmoshat më të reja se 40 vjeç, shkalla e vdekjes nuk ishte kurrë më e lartë se 0.16%, sipas studimit. Nga 1.000 të rinj të infektuar, rreth 1 ose 2 mund të humbin jetën.

Analiza zbulon po ashtu se në shumicën e rasteve ata që kanë nevojë të shtrohen në spital janë të prekurit mbi 50 vjeç e lart. “Nga vëzhgimi ynë i rasteve të prekura në Kinë, SHBA dhe Europë, mund të themi se pjesa më e madhe e grupmoshave nën 50 vjeç mund ta kalojnë virusin me trajtime të lehta, pa qenë nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve” tha Azra Ghani, një profesor në Imperial College London dhe një autor i studimit.

Studiuesit vëzhguan edhe rastet e 711 të infektuarve në anijen “Diamond Princess”. Studimi zbuloi se mund të duhen javë të tëra që njerëzit të shërohen nga koronavirusi, duke çuar në paralizimin e sistemit shëndetësor. Studiuesit zbuluan se koha mesatare nga fillimi i simptomave deri tek shërimi ishte rreth 25 ditë. Kjo është edhe arsyeja përse ata këshillojnë shtrimin në spital vetëm të grupmoshave të rrezikuara dhe rasteve kritike. Një pjesë e pacientëve sipas tyre mund të mos shtrohen në spital gjatë ditëve të para pasi i shfaqen simptomat, por mund të shtrohen për disa ditë derisa të jenë në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.

Në një artikull që shoqëronte studimin, Shigui Ruan, profesor në Universitetin e Miami, theksoi se vlerësimi i shkallës së vdekshmërisë së koronavirusit “në kohë reale gjatë epidemisë së tij është e pamundur”. Sipas tij, pas përfundimit të pandemisë, studiuesit mund të zbulojnë se numri real i të prekurve ka qënë shumë më i madh, ndërsa shkalla e vdekshmërisë edhe më e ulët nga sa ishte parashikuar.

Më Shumë