Futboll

Laciali i Dinamos, Niko Paterni: Strakosha djalë flori, Tare më i miri

Fate të kryqëzuara. Një shqiptar luan me Lacion dhe synon titullin kampion në Serinë A, një italian luan me Dinamon dhe synon të kontribuojë për të qëndrimin e saj në Kategorinë e Parë. Tomas Strakosha dhe Niko Paterni janë takuar në sezonin 2012-2013, kur ishin të dy pjesë e Lacios U-19 dhe shpalleshin kampionë të Italisë. Drejtoheshin nga Simone Inzagi, që tani drejton plot sukses ekipin e parë të Lacios.

Mbrojtësi Niko Paterni, i cili në merkaton e dimrit është bashkuar me Dinamon, tregon për Gazeta Si Strakoshën e sapo mbërritur në Itali, rritjen e tij sportive dhe punën që po bën drejtori sportiv Igli Tare tek ekipi i tij i zemrës. Italiani i Dinamos ka një vlerësim të madh për portierin kuqezi dhe thekson se është e gjitha meritë e tij personale që ka arritur në nivelin ku është. “E njoh shumë mirë Tomasin. Kemi qenë bashkë me të rinjtë e Lacios dhe kemi dalë kampionë të Italisë. Trajneri ynë, kur erdhi Tomasi, ishte Bolini dhe në ekip kishim edhe Keita Balde, por ishte edhe një shqiptar tjetër, Amir Bilali, që tani luan me Partizanin”, - kujton Paterni, i cili më pas fokusohet te Strakosha.

Niko Paterni, italiani i Dinamos. Gazeta Si, 19 shkurt 2020

“Si ishte Tomasi në fillim? Një djalë flori, një djalë për t’u vlerësuar. Sigurisht, si të gjithë ne ishte i papjekur në gjërat praktike, por ka punuar shumë. E admiroj, sepse ka punuar ditë pas dite dhe ka arritur këtë nivel. Ai ngrihej në mëngjes dhe stërvitej në palestër, pastaj me ekipin dhe në fund më vete me përgatitësin e portierëve. Stërvitej edhe në pishinë dhe këtë e ka bërë për një vit të tërë. Pastaj shkoi te Salernitana në Serinë B, ku natyrisht bëri gabimet e veta, por kjo është normale.

Për të qenë i sinqertë, nuk e prisja këtë shpërthim të tij në fillim. Di të them që ka punuar shumë dhe është e gjitha meritë e tij personale që sot është këtu ku është. Ka pasur edhe fatin që të stërvitet nga një trajner portierësh si Grixhoni, një nga më të mirët në Itali. Është përmirësuar shumë dhe më vjen shumë mirë. Gabimi në derbin me Romën? Portieri i Romës bëri një gabim më të rëndë. Strakosha e ka shpëtuar Lacion në shumë ndeshje. Flasim ndonjëherë me Tomasin, por jemi të impenjuar secili me ndeshjet e veta.

Më pëlqeu shumë fitorja ndaj Interit, Lacio e stërmeritoi. Trajneri Simone Inzagi, të cilin unë dhe Tomasi e kemi pasur trajner te të rinjtë e Lacios, është një nga më të mirët në Itali tani. E kërkojnë shumë skuadra, sepse përveçse një trajner i mirë, është një person i jashtëzakonshëm. Për ne ka qenë si një baba, ku askush nuk ndihej i përjashtuar nga grupi. Është një motivues i madh”, thotë mbrojtësi i Dinamos.

Paterni, kur luante me Lacion U-19, gjatë një ndeshjeje ndaj Interit. Gazeta Si, 19 shkurt 2020

Paterni i ndjek gjithë zhvillimet te Lacio dhe Igli Taren e vlerëson si një nga më të mirët. “Igli Tare e ka treguar qartë se është shumë i zoti në punën e tij. Një drejtor sportiv i madh. Lacio kurrë nuk e ka pasur një ekip të tillë vitet e fundit. Ai zbulon lojtarë nëpër botë që pak njihen ose aspak, i afron në klub dhe më pas vlera e tyre rritet në mënyrë të shumëfishtë. Më pas ata bëhen lojtarët më të kërkuar në treg. Është intuita e Tares, i cili në bashkëpunim me Lotiton, një personazh shumë i rëndësishëm i futbollit në Itali, e ka ngritur Lacion në këto nivele dhe është një nga klubet e vetme që nuk ka borxhe”.

Në fund edhe një mendim për titullin kampion në Serinë A, ku Paterni kuptohet që dëshiron ta fitojë Lacio, por i druhet Juventusit dhe Interit. “Lacio po bën një kampionat shumë të mirë dhe uroj të fitojë titullin, por kam frikë se Juventusi dhe Interi kanë diçka më shumë në organikën e futbollistëve. Megjithatë, shpresojmë që të fitojmë titullin, ekipi është shumë kompakt dhe të gjithë japin gjithçka në fushë. E patë Imobilen se si kthehej në mbrojtje ndaj Interit? Të shohim…”, shprehet në fund Paterni, një nga italianët që tani luajnë me fanellën e Dinamos.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë