Ngjarje

La qelinë nga Covid-19 dhe vjedh sërish: Uiskin doja ta shisja, nuk kisha para

Ka pasur jo pak raste kur qejflinjtë e alkoolit apo pijeve të shtrenjta janë kapur në flagrancë, teksa po mundoheshin të zhvatnin nga raftet e dyqaneve. Por ndërsa të gjithë e kanë justifikuar më tej në polici këtë veprim me frazën “jam pijedashës”, nuk ka dhënë të njëjtin justifikim një i ri nga Tirana, që kishte mbi shpinë edhe rekorde të tjera dhe ishte përfitues mes të burgosurve që shkuan në shtëpi për tre muaj për shkak të pandemisë. Ai e argumenton vjedhjen e produktit me nevojën për të bërë para për qiranë dhe për të blerë ushqime. “E mora shishen e uiskit, pasi e di që është e shtrenjtë, do ta shisja pasi kam mbetur pa para dhe më duhen për të blerë ushqime dhe sende të tjera”, kjo është deklarata e 22-vjeçarit para agjentëve të krimeve. Jo vetëm kaq, por djali që agjetët kishin përpara syve, nxori nga xhepi tjetër një shkresë ku lexohej “fletë lirimi nga burgu”. Ai kishte fituar lejen e përkohshme nga Covid-19, pasi ka qenë i arrestuar po për vjedhje dhe është e çuditshme se si hajduti bëri të njëjtin gabim, - tregon për gazetën “Si” njëri nga zyrtarët e Policisë së Tiranës. Por i dënuari ka qenë bashkëpunues dhe i hapur me agjentët, duke treguar të vërtetën edhe për rastin e fundit. Sikurse pohon një burim zyrtar pranë Drejtorisë Qendrore të Policisë, pavarësisht kësaj deklarate i dyshuari Denis Aliu u arrestua në flagrancë për veprën e vjedhjes. Ngjarja u raportua nga një supermarket në rrugën “Sulejman Pitarka”, kur oficerëve iu kërkua ndihmë nga një punonjës i sigurisë me inicialet S. N. “E pashë të riun që fshehu një shishe Jack Daniels poshtë bluzës, në pjesën e brendshme të xhupit. Ai doli jashtë dhe ne e kapëm në rrugë dhe më pas njoftuam sallën operative”, deklaron punonjësi i sigurisë në supermarket. Policia pohon se u sekuestrua kamera e sigurisë në ambientet e brendshme për t’u bindur që i riu që ndodhej në automjetin e policisë i prangosur, kishte qenë brenda në supermarket dhe e kishte zhvatur prej aty shishen me uiski. Policia përshkruan më tej “duket qartë që Denisi e kreu vjedhjen e uiskit, e fshehu mirë dhe mandej doli jashtë supermarketit”.

Dëshmia për Jac Daniels

Por i riu është dorëzuar menjëherë. Në një kohë që agjentët po bëheshin gati ta pyesnin dhe të dëgjonin pretendimin se ai preferonte të pinte, i dyshuari ka treguar se vjedhja e pijes nuk kishte lidhje me pasionin për të pirë. “Prindërit e mi janë të divorcuar, jetoj me një shok me qira. Uiski kushton 30 mijë lekë, do ta shisja se më duheshin lekë për qiranë e për të ngrënë”, tha mes të tjerash hajduti përsëritës. Por nga rrëfimi i tij si edhe nga konfirmimet e fakteve të mëparshme rezulton se hajduti i uiskit kishte lënë qelinë më 25 prill 2020, mes shumë të dënuarve që përfituan për të shkuar në shtëpi nga pandemia. Më herët rezulton se ai kishte qenë në burg, pasi në tetor 2019 u kap në flagrancë teksa po i rrëmbente çantën një gruaje në Tiranë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë