Muzike

La Fazani, fitues i Festivalit të Këngës në Kosovë

“La Fazani” me këngën “Oj Kosovë” është shpallur fitues i Festivalit të Këngës në Kosovë, festival i cili u zhvillua për herë të parë në Kosovë.

Çmimin e dytë e mori Angus Dei me këngën “Një zemër për dy”, kurse Albin Nikprelaj me këngën “Ajo” ka marrë çmimin e tretë të Festivalit të Këngës në RTK në edicionin e tij të parë.

Të shtunën në mbrëmje ka përfunduar edicioni i parë të Festivalit të Këngës në Radiotelevizionin e Kosovës, i cili për tri net rresht dhuroi emocioni te publiku dhe surpriza me të ftuar personalitete nga fusha e artit.

Pjesë e të ftuarve nga bota e artit ishte edhe aktori Timo Flloko. Nga aty ai ka kujtuar vendin e tij të lindjes, Pejën, ndaj së cilës ka recituar poezinë të cilën e ka shkruar vite më parë. Përveç kësaj, Flloko ka interpretuar edhe Himnin e Flamurit.Këngëtari Arbër Salihu, i njohur artistikisht si ‘La Fazani’, ka fituar trofeun me simbolin e Kosovës. I njëjti artist ka marrë edhe Çmimin e Kryeqytetit.

Çmimi është ndarë nga kryeministri Albin Kurti. “Kaq shumë energji e bukuri për më shumë se dy orë, përjetim i paharrueshëm dhe përvojë e veçantë besoj për secilin prej nesh që ishte këtu”, ka thënë kryeministri Kurti.

Në edicionin e parë është ndarë edhe Çmimi i Orkestrës, të cilin e fitoi, Saranda Alija me “Mendoj ku je”.

Vlerësimi i këngëve në këtë edicion edhe bërë nga juria e përbërë nga këngëtarja Alma Bektashi, artistja Zake Prelvukaj, kantautori Alban Nimani, kompozitori Adrian Hila dhe këngëtarja suedeze, Ulja Sjostrom.

Në natën finale kanë interpretuar dhjetë këngë: “Ajo”, Auron Deva me “Çmimi i dashnisë”, “Angus Dei” me “Një zemër për dy”, Arbër Salihu me “Oj Kosovë”, “Urban Band” me “Ëndrrat s’kanë faj”, Nita Latifi me “Marrëzi” nga Neki Emra me “Heroi im”. Në finale janë kualifikuar gjithashtu edhe Hilmi Obertinca me këngën “Pa ty s’më rrihet”, Saranda Alija me “Mendoj ku je” dhe Klea Dina me këngën “Trenat”. Në këtë edicion me këngët e tyre kanë garuar 18 këngëtarë, nga të cilët të premten mbrëma në gjysmëfinale u kualifikuan 10.

Drejtori i Festivalit të Këngës, Adi Krasta do të shprehej në një konferencë për media se Festivali i Këngës nuk do të ketë përfaqësues në Eurosong, por do të vinte si një festë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë