Analize

‘Ky nuk është fundi i Vuçiçit…’

Nga Gazeta ‘Si’– Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, deklaroi të shtunën se do të japë dorëheqjen brenda disa javësh dhe se vendi do të mbajë zgjedhje të parakohshme presidenciale dhe parlamentare, pas 18 muajsh protestash të vazhdueshme kundër qeverisë.

Njoftimi i Vuçiçit, i cili ka qenë në pushtet si president ose kryeministër për 12 vjet, vjen në mes të protestave të udhëhequra nga studentët kundër korrupsionit. Protestat nisën pas shembjes së strehës së një stacioni hekurudhor në Novi Sad, në nëntor të vitit 2024, ku humbën jetën 16 persona.

Protestuesit, opozita dhe organizatat për të drejtat e njeriut e konsiderojnë tragjedinë si dëshmi të keqmenaxhimit të projekteve publike dhe korrupsionit në institucionet shtetërore.

“Do të jem president vetëm edhe për disa javë dhe më pas do të jap dorëheqjen,” tha Vuçiç gjatë një tubimi të mbështetësve të tij në Beograd. Mandati i tij i dytë dhe i fundit ishte parashikuar të përfundonte në mesin e vitit 2027.

Vuçiç bëri të ditur se do të angazhohet për të ndihmuar Partinë Progresive Serbe (SNS) të fitojë zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare, të cilat fillimisht ishin planifikuar për vitin 2027. Ai propozoi që lista zgjedhore e partisë të mbajë emrin “Serbia e Bashkuar”.

Megjithatë, ai nuk sqaroi se kur do të japë dorëheqjen dhe as kur do të shpërndajë parlamentin, një hap i domosdoshëm për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Analistët: Vuçiç nuk po largohet nga politika

Sipas analistëve, dorëheqja nuk nënkupton fundin e karrierës politike të Vuçiçit. Ata vlerësojnë se ai mund të rikthehet në postin e kryeministrit nëse SNS fiton zgjedhjet parlamentare, duke ruajtur ndikimin e tij në pushtet.

Analisti Radivoje Grujiç thotw se “ky nuk është fundi i Vuçiçit”, duke shtuar se presidenti serb tashmë ka një plan për të mbetur figura kryesore politike në vend, ndoshta duke vendosur një aleat në postin e presidentit.

Megjithatë, njoftimi i tij shihet si rezultat i presionit të protestave më të mëdha që ka përjetuar Serbia që nga rrëzimi i Slobodan Millosheviçit në vitin 2000.

Vetëm pak ditë më parë, studentët në Novi Sad përkujtuan viktimat e tragjedisë dhe kërkuan zgjedhje të përgjithshme të parakohshme. Ndërkohë, protesta të tjera janë paralajmëruar edhe në qytete të tjera të vendit.

Përfaqësuesit e lëvizjes studentore dhe opozitës deklaruan se synojnë ta sfidojnë Vuçiçin dhe SNS-në në zgjedhjet e ardhshme.

Savo Manojloviç, drejtues i lëvizjes opozitare “Move-Change”, u shpreh se dorëheqja dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme janë një përpjekje e Vuçiçit për të paraprirë rënien e tij politike përballë protestave dhe mbështetjes në rritje për studentët.

Policia ndalon një demonstrues gjatë një proteste të udhëhequr nga studentët që kërkonin zgjedhje të parakohshme parlamentare

Serbia mes Bashkimit Europian dhe Rusisë

Serbia është vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian, por njëkohësisht ruan marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe Kinën, një ekuilibër që Vuçiç e ka ndjekur gjatë gjithë kohës në pushtet.

Për t’u anëtarësuar në BE, Serbia duhet të përmirësojë sundimin e ligjit, të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme, të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar, si dhe të harmonizojë politikën e jashtme me atë të Bashkimit Europian.

Gjatë tubimit në Beograd, Vuçiç premtoi se partia e tij do të intensifikojë luftën kundër korrupsionit, do të rrisë pensionet dhe ndihmën për shtresat në nevojë, si dhe do të përmirësojë shërbimet shëndetësore publike.

Nga ana tjetër, opozita e akuzon Vuçiçin dhe bashkëpunëtorët e tij për korrupsion të përhapur, lidhje me krimin e organizuar, dhunë ndaj kundërshtarëve politikë dhe kufizim të lirisë së medias. Vuçiç dhe aleatët e tij i mohojnë këto akuza./ CNN


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë