Mode

Ky çift është bërë ikonë mode me rrobat e harruara në lavanderi

Çfarë ndodh me rrobat që njerëzit harrojnë në lavanderi?
Epo, në lavanderinë 'Wansho' në Tajvan, rrobat e harruara i kanë kthyer pronarët në ikona të modës.
Nipi i çiftit Reef Chang kishte një ide për të hapur një llogari në Instagram për gjyshërit e tij. Biznesi jo vetëm që filloi të ngadalësohej për shkak të pandemisë aktuale, por gjyshërit e tij gjithashtu nuk mund të dilnin jashtë. Ai donte të bënte diçka për t'i zbavitur dhe për t'i ndihmuar të kalonin mërzitjen. Kështu që, ai u bë stilist dhe fotograf i tyre mbasi vendosi që ato të dy të pozojnë me rrobat që të tjerët i kishin harruar në lavanderi, fotografi që shumë shpejt u bënë virale në gjithë botën.


Chang Wan-ji, 83 vjeç dhe Hsu Sho-er, 84 vjeç pozuan në vendin ku filluan gjithçka, lavanderia e tyre.
Sfondet janë makina larëse, rroba të pastra, mure dhe dritare të biznesit të tyre të vogël. Ata pozojnë me rroba shumëngjyrësh dhe shpeshherë i kombinojnë me njëri-tjetrin dhe zemra e shpirti i secilës fotografi janë buzëqeshjet e tyre.


 Nipi i tyre thotë se ai ishte shumë i befasuar me reagimet e njerëzve.
"Nuk e kisha idenë që shumë të huaj do të interesoheshin për gjyshërit e mi," tha ai. Tashmë çifti kanë filluar të kërkohen nga shtëpitë e modës dhe nuk është çudi nëse shumë shpejt i shohim në pasarela të mëdha. Kjo është thjesht një tjetër provë që tregon ndikimin e modës në jetën tonë.
Burimi:Diyphotography. Përktheu:Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë