Politike

Sesion i ri, melodi e vjetër! Parlamenti e nis aty ku e la

Parlamenti iu rikthye punimeve në sesonin e vjeshtës me reformën në drejtësi, përplasjen me Presidentin dhe dekriminalizimin si kryefjalë. Në fjalën e hapjes së këtij sesioni, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi vlerësoi rolin e institucionit që drejton në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë, pavarësisht, siç tha ai, vështirësive të krijuara nga djegia e mandateve të opozitës.

“Sesioni që mbyllëm nuk ishte një sesion i lehtë, por megjithë vështirësitë nga dorëzimi i mandateve nga opozita, kjo nuk pengoi funksionimin tonë, produktivitetin dhe rreth 70 për qind e mandateve u zëvendësua shpejt nga deputetët e rinj të opozitës, që ndihmoi në rikthimin e normalitetit në Kuvend”, deklaroi Ruçi.

Ndryshimi i përbërjes së opozitës parlamentare solli edhe emiratimin e pesë ligjeve me tre të pestat në periudhën e punimeve janar-korrik, për dallim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur numri i ligjeve të miratuara me këtë shumicë të cilësuar ishte zero. Ruçi nuk dha afate, por foli me bindje se shpejt në Kuvend do të mbërrijnë kandidaturat për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese dhe të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë.

Megjithatë, në kalendarin trejavor të punës së Kuvendit parashikohet që diskursi publik i mazhorancës të kanalizohet tek përplasja me Presidentin Ilir Meta dhe ndryshimi i ligjit të dekriminalizimit nisur nga rasti i Valdrin Pjetrit në Shkodër. Vetë Kryeministri Edi Rama nuk doli në foltore, por ripërsëritjen e nismës së tij për ndërhyrje në këtë ligj e bëri përmes fjalëve të kreut grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, që propozoi edhe komisionin që duhet të shqyrtojë këto ndryshime.

“Rasti i Shkodrës na bën të vetëdijshëm që kuadri ligjor nuk është i plotë dhe në këtë këndvështrim Kryeministri do të depozitojë si amendamente shtrëngimet e domosdoshme dhe më të ashpra në lidhje me cdo kandidat. Le të jetë komisioni i reformës zgjedhore që t’i shqyrtojë”, tha Balla.

Tema e dytë që pritet të kushtëzojë debatin brenda parlamentit është përplasja me Presidentin Ilir Meta. Ky i fundit i ktheu mazhorancës gjatë muajit gusht disa ligje dhe ndryshime ligjore të miratuara në seancat e fundit të sesionit të kaluar.

Katër ligjet e para pritet të shqyrtohen në seancën e 12 shtatorit, ndërsa 5 ligjet më të nxehta janë parashikuar në datën 19 shtator. Këtu përfshihen dy koncesionet e rrugëve Milot-Balldre dhe dhe Orikum-Dukat, pr.ligji për PPP, ai për Akademinë e Shkencave dhe ashpërsimet në Kodin Penal.

Socialistët pritet që të mos humbasin kohë dhe duke filluar që nga e marta, do të diskutojnë në komisionet përkatëse parlamentare dekretet e rishqyrtimit të Presidentit për projektligjin “Për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta”, atë për ndryshimet në ligjin për koncesionet dhe partneritetin publik-privat si dhe dy projektligjet për PPP-të të rrugëve Milot-Balldre dhe Orikum Dukat.

Dekretet e Metës pritet që të rrëzohen në bllok, ndërkohë që paralelisht me rrëzimin e tyre do të mblidhet edhe Komisioni Hetimor për shkarkimin e tij. Përgjatë muajit gusht, ky Komision ka kërkuar informacione dhe të dhëna nga disa institucione të tjera, përfshirë këtu Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit, ku është përqëndruar tek dhuna në zgjedhjet e 30 qershorit. Socialistët pritet të përqëndrohen tek deklaratat e Presidentit kundër 30 qershorit, përpos dekretit të nxjerrë prej Metës për anulimin e këtyre zgjedhjeve, dekret që e cilësojnë antikushtetues.

Për këtë çështje në Tiranë pritet të mbërrijnë edhe përfaqësues të Komisionit të Venecias, të cilit mazhoranca iu drejtua për opinion për nismën e ndërmarrë. Ende nuk ka të përcaktuar një datë se kur do të mbërrijë delegacioni në fjalë, i cili sipas procedurës përpara dhënies së opinionit zhvillon një takim në shtetin ku është kërkuar dhënia ekspertizës. Burimet për gazeta “Si” bëjnë me dije se delegacioni do të ketë takime me Presidentin, por dhe me përfaqësuesit e komisionit hetimor.

Sa i takon reformës zgjedhore, mazhoranca përsëriti thirrjen drejtuar Partisë Demokratike për vendin e krijuar në Komisionin e Posaçëm për këtë reformë, ku pavarësisht mungesës në Parlament i siguron të drejtën e vetos.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë