Kosova

Kuvendi i Kosovës rezolutë për gjenocidin në Srebrenicë, Vuçiç: I gjithë rajoni po na sulmon

Deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan sot rezolutën për dënimin e gjenocidit në Srebrenicë në Bosnje e Hercegovinë. Rezoluta u iniciua nga koalicioni boshnjak ne Kuvendin e Kosovës, Vakat. Deputetët e Listës Serbe lëshuan sallën para kësaj pike të seancës.

Në bazë të rezolutës, dënohet ashpër gjenocidi i shtetit serb në Srebrenicë ndaj pjesëtarëve të popullit boshnjak dhe të gjitha shkeljet e të drejtave të njeriut si dhe dënohet çdo tendencë për të mohuar qëllimisht dhe publikisht gjenocidin e Srebrenicës, me qëllim të denigrimit të viktimave dhe fshehjen e motiveve të krimeve të kryera. Rezoluta po ashtu fton institucionet shtetërore që të nderojnë viktimat e gjenocidit në Srebrenicë dhe, duke marrë parasysh se Parlamenti Evropian e ka shpallur këtë Ditë të Përkujtimit për gjenocidin në Srebrenicë, datën 11 korrik të shpallet ditë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë.

Duke komentuar vendimin, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçic tha se ka qenë e pritshme që Kuvendi i Kosovës të miratojë rezolutën, por shtoi se është befasuar që një rezolutë të tillë u miratua edhe nga Kuvendi i Malit të Zi.

“Siç kam deklaruar më herët, kur një Rezolutë e tillë u miratua në Parlamentin e Malit të Zi, se do të ketë vërshime rezolutash kundër Serbisë në shumicën e parlamenteve në rajon dhe secili vend do të shprehet se serbët kanë kryer gjenocid për të na sulmuar", , ka thënë Vuçic. “Rezoluta të tilla do të vazhdojnë. Ne mund t’i shmangim ato në disa parlamente, falë marrëdhënieve miqësore, por disa do të vazhdojnë me abuzimin politik të serbëve”, u tha presidenti gazetarëve gjatë një vizite në një spital të Beogradit.

Kjo masakër është cilësuar si më e rënda në Europë që pas Luftës së Dytë Botërore. Duke folur nga kuvendi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se miratimi i rezolutës për Srebrenicës është “veprim fisnik dhe i duhur”. Ai tha se kjo ishte masakra më e madhe në Europë që prej përfundimit të Luftës së Parë Botërore dhe sipas tij, duhet të bëhet dënimi i krimeve të tilla, me qëllim që veprime të tilla të mos përsëritën në të ardhmen.

Sipas Kurtit, padia për gjenocid ndaj Serbisë, që po përgatit Kosova, do të kontribuojë që në të ardhmen të mos përsëriten ngjarje siç ndodhën në Srebrenicë. “Ata që nuk e pranojnë fajin e nuk kërkojnë falje, thellë në zemër besojnë se kanë pasur të drejtë”, tha Kurti.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci tha se populli i Kosovës ka pasur përjetim të ngjashëm me popullin boshnjak.

“Vuajtjet e popullit boshnjak i njohim më së miri ne, populli shqiptar që përjetoi krimet barbare të regjimit të Serbisë ngjashëm gjatë luftës në Kosovë. E kemi përjetuar në lëkurën tonë”, tha Bogujevci.

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Aberlard Tahiri tha nga ana tjetër se drejtësia për gjenocidin në Srebrenicë është vonuar.

“Nuk mund të mos e përmendin drejtësinë e vonuar ndërkombëtare që kemi pasur për 26 vjet edhe për këtë krim e gjenocid, por edhe ndaj atyre njerëzve që pas Srebrenicës, pothuajse një pjesë e madhe kanë bërë krime edhe në Kosovë”, tha Tahiri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë