Ngjarje

Kush u bë shkak për të hetuar Ylli Ndroqin?

Hetimet ndaj Ylli Ndroqit nuk kanë nisur në datë 21 korrik 2020, datë në të cilën u regjistrua procedimi pasuror ndaj tij. Në shkresat që gazeta Si disponon rezulton që Spak kishte nisur verifikimet ndaj Ylli Ndroqit më tepër se një vit më parë në vazhdën e veprimeve të nisura gjatë hetimit të Hekuran Hoxhës, një trafikant droge që doli në copëzat e dosjes 339. Në kërkesën e dorëzuar nga prokurorët e posaçëm të Spak përmenden të dhënat e nisura nga italianët në datën 1 prill 2019 . Shprehimisht prokurorët e Spak i thonë gjykatës ”  ky fakt konfirmohet edhe nga shkresa e Ministrisë së Brendshme të Italisë, numër protokolli UCI/ALB/RF410-4/FR, datë 1 prill 2019, dërguar zyrës qëndrore kombëtare Interpol Tirana, ku konfirmohet se nga verifikimi i kryer në bankën e të dhënave, ka rezultuar se shtetasi Ylli Ndroqi (alias Xhemail Pasmaciu)  me datëlindje tjetër  11.01.1960 , në ngarkim të tij rezultojnë precedent policor ne fushën e narkotikëve, konkretisht në ngarkim të tij urdhër arresti me burg dhënë në mars 2006  nga GIP pranë Gjykatës së Milanos”

Në këtë kthim përgjigje që konfirmon se ndërkohë autoritetet shqiptare kishin nisur interesimin për Ylli Ndroqin, shpjegohet më tej se katër vite pas këtij vendimi, dhe përkatësisht më 31 mars 2010, Gjykata e Torinos deklaroi humbjen e vlefshmërisë së masës së arrestit.

Ky informacion është konfirmuar gjithashtu edhe nga drejtoria qëndrore e shërbimit antidrogë shprehet Spak, që thekson se pranë arkivave të saj rezulton emri i Ylli Ndroqit, në ngarkim të të cilit rezulton masa paraprake e sipërpërmendur e Gjykatës së Milanos, vendim si rezultat i mbylljes së hetimeve të koduara Triangolo d’oro dhe Bakllava, të kryera nga grupi operativ i antidrogës i Guardia di Finanza në Milano.

Por Spak pohon jo zyrtarisht për gazetën Si, se hetimi pasuror mori formë në muajin korrik, pas një sërë veprimesh që vazhdonin të ishin në pritje, më i fundit i përcjellë në datën 2 korrik 2020. Sidoqoftë ky veprim më i fundit rezulton sipas burimeve të Gazetës Si edhe në dosjen e dorëzuar në gjykatë ku përmendet se zyra qëndrore e Interpol ka përcjellë të dhëna  të siguruara nga Interpol Roma  dhe ku konfirmohet se Ylli Ndroqi, në vitin 2004 është referuar nga autoritetet gjyqësore pas operacionit Bakllava si organizator i trafikut të drogës  për llogari të një grupi kriminal të përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë. Në vijim thuhet më tej ai u arrestua në shkurt 2015 bazuar në urdhër arrestin e lëshuar në vitin 2006.

Këto të dhëna u konfirmuan në mesditë edhe nga policia e shtetit që në një njoftim zyrtar deklaroi se  puna hetimore proaktive ndaj pasurive të Ylli Ndroqit zgjati afro 18 muaj, kohë që u nevojit për të gjurmuar pasuritë e tij.

Çfarë u bë shkak që Ndroqi u kthye në shënjestër?

Burime jo zyrtare pohojnë për gazetën Si se ka vetëm një emër që hodhi dritë mbi pasuritë e Ylli Ndroqit, të cilit ju sekuestruan gjithsej 26 pasuri, mes tyre edhe aksionet ne televizione. Bëhet me dije se pas zbulimit të trafikantit Hekuran Hoxha për të cilin Gazeta Si raportoi një ditë më parë, Spak nisi verifikimin ndaj këtij shtetasi që doli si pjesë e dosjes 339. Hekuran Hoxha, i moshës 50 vjeç akuzohet për trafik narkotikësh përderisa në përgjime del mes organizatorëve së bashku me biznesmenin Admir Hoxha teksa presin të sistemojnë disa shtetas turq, që do të angazhoheshin më pas në laboratorin e Brenogës në Has të Kukësit. Rezulton paraprakisht, thonë burime të Gazetës Si pranë prokurorisë Spak, se teksa prokurorët  kërkonin të dhëna për Hekuran Hoxhën nga ndërkombëtarët, ata i bashkëngjitën edhe emrin e Ylli Ndroqit. Ndroqi nën emrin e mëparshëm Xhemal Pasmaciu kreu në 1998 së bashku me Hekuran Hoxhën në Turqi një udhëtim droge, për të cilin u arrestuan turq e shqiptarë e madje sipas Interpol Ankarasë edhe vetë ai nën dyshimet se ishte pritës i 30 kg heroinë.

Hekuran Hoxha

Kur pala Spak kërkoi të dhëna nga Italianët për durrsakun Hoxha ata përcollën të dhëna për të, përmes disa letërporosive që mbajnë data të ndryshme. Italianët u treguan të pakursyer dhe servirën edhe emra të tjerë që ndërkohë po përgjoheshin që nga Avdylajt e Ndokët, apo dhe dosjen e dy tonëve me drogë të bllokuar në tetë shkurt 2017. Për këtë ngjarje italianët servirën emrat e Astrit Balliut, Gjevi Ndokës, Esat Mehmetit, Saimir e Petrit Sulejmanit. Por kur këto dosje janë ndarë e veçuar pasi kanë episode të ndryshme, emri i Hekuran Hoxhës shfaqet në komunikimet me biznesmenin Admir Hoxha, ky i fundit pritës i dy turqve dhe një kosovari të quajtur Iskander Saleh, Nedjet Cesorugulu dhe Xhemal Shala. Së bashku ata koordinuan veprimet për të përgatitur laboratorin ku do të përpunohej heroina, që u gjet pas ndërhyrjes policore në Brenogë të Hasit.

Laboratori në Has

Pas një sërë veprimesh edhe me prokurorinë speciale të Prishtinës, Spak shkoi në gjykatë për Hekuran Hoxhën me kërkesën për masë sigurie, pasi ai shikohet si një anëtar i një rrjeti trafikantësh që fusnin heroinën në pllaka mermeri të tregtuara nga Irani në Kosovë me kalim tranzit Shqipërinë. Mes dhjetëra përgjimeve Spak përmend bisedën mes Hekuran Hoxhës dhe kushëririt të Admir Hoxhës të quajtur, Roni ku flasin për shtetasit kosovarë dhe turq që kishin ardhur dhe duhet të uleshin të prisnin.

Në këtë çështje Spak përmend si veprime me të huajt letërporositë e shkëmbyera me prokurorinë e Barit, të Firences, me prokurorinë speciale të Kosovës. Veç të tjerave tha një burim i gazetës Si, Hekuran Hoxha po hetohet edhe për pastrim parash, por ai është i njëjti person me të cilin Ylli Ndroqi u arrestua në Turqi nga skuadrat antidrogë, një operacion që nisi nga indiciet e një tjetër trafikanti të quajtur Abduselam Turgut, që më herët është arrestuar në Shqipëri, por u arratis i qetë falë dhuratës që i bëri gjykata e apelit Tiranë disa vite më parë me masën arrest shtëpie me adresë Kthesën e Kamzës.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë