Ngjarje

Kush qëndron pas protestës së studentëve?

Nga Mentor Kasa - Masiviteti i protestës studentore të këtyre ditëve është një ëndërr e hershme e partive politike shqiptare. Për nga shifrat, dalja në rrugë e të rinjve është pagëzuar edhe si një “Dhjetor i Dytë”, duke hequr paralele me lëvizjen e Dhjetorit 1990, nga e cila këtë 8 dhjetor bëhen plot 28 vite.

28 vite më parë, edhe pse të shtypur nga regjimi më i egër komunist i Europës, studentët kishin pas një popull të tërë. Po sot, kush qëndron pas protestës së studentëve?

Gazeta “Si” ishte në ditën e tretë me radhë mes protestuesve për të mësuar më shumë. Ajo që vihet re që në fillim për një që i bashkohet protestës pasi ajo ka nisur, është mungesa e një grupi organizator kryesor. Në një hapësirë jo më shumë se 50 metra mjafton të kesh një megafon në dorë dhe mund të mbash fjalim.

Në ditën e tretë para Ministrisë së Arsimit të parët që u shfaqën ishin studentët e Inxhinierisë së Ndërtimit dhe Arkitekturës e Urbanistikës, aty ku nisi gjithçka. Mes grupit të organizatorëve të këtyre dy fakulteteve janë edhe aktivistë të lëvizjes “Për Universitetin”.

Pak minuta më vonë nga Rruga e Dibrës zbret grupi i studentëve të Universitetit të Mjekësisë, që pasi kalon përmes Sheshit “Skënderbej” bashkohet me grupin tjetër të studentëve të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë dhe të Politeknikut tek Banka e Shqipërisë.

Deri këtu gjithkush mendon se bëhet fjalë për një protestë të mirëorganizuar dhe me rrugëtim të mirëpërcaktuar që më parë. Por, pikërisht tek Banka e Shqipërisë fillon amullia. Studentët qëndruan pezull për disa minuta, mes thirrjeve për të protestuar para Ministrisë së Arsimit dhe atyre për të protestuar para Kryeministrisë. Organizatorët e vetëm, nëse mund të quhen të tillë ishin 5-6 studentë me pankarta në duar që qëndronin në ballë të karvanit.

Dilema u tejkalua kur u mësua se para Ministrisë së Arsimit ishte mbledhur grupi i studentëve të tjerë dhe si një grup i vetëm kjo pjesë e studentëve mori “Rrugën e Durrësit”. Këtu pak pas orës 10:00, megafonët e këtij grupi u bashkuan me megafonët e grupit tjetër. Thirrjet nuk ishin identike, por kërkesat dhe vendosmëria për të mos u tërhequr ishin të njëjta.

Si të mos mjaftonin dy megafonët e pranishëm, pak më vonë protestës i bashkohet një tjetër. Grupi i studentëve të Universiteti Bujqësor mbërriti me vonëse, edhe për faktin se kishin ecur për më shumë se një orë nga Kamza, për të mos munguar në protestë, madje edhe për t’u siguruar që zëri i tyre do të dëgjohej.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/2228388567419312/

Komunikimet mes tre grupeve organizatore nisën që në fillim. Këtu pati edhe disa “keqkuptime”. Disa kërkuan zhvendosjen e protestës para Kryeministrisë, të tjerë e kundërshtuan duke deklaruar se kjo mund ta interpretonte protestën e tyre si protestë politike. Koret që buçitën fort ishin me parrullën “Jo politike!”, një sinjal për të mos pranuar politikën që t’u bashkohej, apo më keq akoma, t’i përdorë.

Pjesa dërrmuese i qëndruan këtij slogani dhe protesta nuk u zhvendos para Kryeministrisë, por thirrjet për plotësimin e kërkesave vijuan para Ministrisë së Arsimit nga të tre grupet organizatore njëkohësisht.

Kakofonisë së tre megafonëve do t’i shtohej më vonë edhe një i katërt. Mbi 200 studentë të Universitetit të Elbasanit zbarkuan në “Rrugën e Durrësit” me parrullën “Arsimi nuk është biznes”.

“I jemi bashkuar protestës që në ditën e parë në Elbasan. Tani vendosëm që të vinim edhe fizikisht këtu për të mbështetur kërkesat tona. U vetëorganizuam dhe erdhëm me autobusë”, thotë njëri prej tyre për gazetën “Si”. Ata u pritën me brohoritje dhe më sloganin e ditës së parë “Studentët e bashkuar kanë për të fituar”.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/345530639330369/

Opozita i ka qëndruar larg deri më tani kësaj proteste, por është përfolur se nën rrogoz përpjekjet për t’u bërë pjesë e revoltës së studentëve nuk mungojnë. Përmes burimeve të saj, gazeta “Si” mund të konfirmojë se ka patur një përpjekje të forumeve rinore të Partisë Demokratike dhe LSI-së për të qenë edhe ata protagonistë në këto protesta.

Ndoshta të vënë në dijeni të këtij fakti, drejtues të forumit rinor të Partisë Socialiste u kundërpërgjigjen. Përmes rrjeteve sociale ata kërkonin që të braktisej protesta, pasi “Qeveria po i dëgjon studentët dhe kërkesat e tyre po plotësohen”.

Kreu i këtij forumi, Eljo Hysko njoftonte para se të përshkallëzohej protesta studentore zhvillimin e aktivitetit “Samiti i Studentëve”, nga datat 7, 8 dhe 9 dhjetor. Por, samiti ka dështuar për shkak të pjesëmarrjes dhe nuk ka nisur fare.

Në terren përpjekjet e opozitës për të qenë pjesë e protestës dhe të PS-së për ta zbehur atë nuk reflektohen fare.

“Jemi organizuar vetë tek oborri i Fakultetit dhe kemi ardhur këtu. Tek ne nuk funksionon Këshilli Studentor. Ç’këshill”, na thotë një student i vitit të dytë në degën e Gjeo-Informatikës në Fakultetin e Gjeologji-Minierës.

Në disa fakultete organizimi ka qenë më pak i rastësishëm.

“Në çdo fakultet i organizon Këshilli Studentor. Këshilli Studentor njofton senatorët e klasave, këta të fundit mbledhin klasat dhe nisen pastaj. Nisemi në orën 08:30 nga fakulteti dhe në orën 10 jemi tek Ministria e Arsimit”, tregojnë për “Si” një grup studentësh të Fakultetit të Shkencave të Natyrës.

Studentët mohojnë se kanë hasur në përpjekje nga ana e politikës apo forumeve të saj për t’u përfshirë në këtë protestë.

“Nuk ka fare ndikim. Në momentin që ne dëgjojmë se ka lidhje politike ne u themi “jo lidhjeve politike”. Këtu janë organizuar këshillat studentorë, studentët dhe fakultetet dhe mblidhemi pastaj”, thonë ata.

Studentët konfirmojnë se në tryezën e Ministrisë së Arsimit është dorëzuar një kërkesë tjetër, pas realizimit të kërkesës për heqjen e VKM-së që tarifonte kreditet e lëndëve të mbartura. “Sot është bërë një kërkesë tjetër nga ana e Këshillit Studentor, që u mblodh dje pasdite pas përfundimit të protestës”, thonë studentët.

Në kohën kur protesta vijonte me ritmet energjike të të rinjve, Kryeministri Edi Rama doli “live” dhe përmes rubrikës “Përgjigjia ime” në Facebook kërkoi një përfaqësi studentore për të biseduar.

“Shqetësimi adresohet përmes dialogut. Dua që ta dinë se kam shumë për t’u thënë, por patjetër kam dëshirë t’i takoj ballë për ballë pa administratorë, pa pedagogë pa parti nga pas. Zgjidhini ju përfaqësuesit. Dua t’ju takoj’, deklaroi ai ndër të tjera.

Refuzimi ndodhi po “live”. “Nuk ka negociata!”, ishin thirrjet e menjëhershme të studentëve sapo morën vesh ftesën e Kryeministrit për të dialogur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë