Portofol

Kush po “lan gojën” me çmimet e shërbimit dentar?

Sabina Veizaj – Gjashtë vite më parë Euromonitor (organizatë ndërkombëtare që merret me kërkime tregu) do të bënte publik rezultatet e një studimi që do të na trondiste.

Shqiptarët janë të fundit në Europë për kujdesin për dhëmbët, do të thoshte raporti duke theksuar që “edhe pse furça e dhëmbëve duhet ndryshuar njëherë në tre muaj, ka shqiptarë që e ndryshojnë atë një herë në tre vjet. Shqiptarët shpenzojnë vetëm 1.5 euro në vit për kujdesin oral, kurse në Perëndim kjo shifër shkon deri në 14.9 euro.”

Ministria e Shëndetësisë në atë kohë, jo vetëm që nuk reagoi, por as ndërmori ndonjë masë për nxitjen e kulturës së higjienës orale në vend.

Si paradoks ndaj kësaj panorame, në Shqipëri turizmi dentar ka njohur një zhvillim të natyrshëm, pa një strategji të përcaktuar qoftë nga qeveria apo ndonjë bashkëpunim mes agjencive turistike dhe klinikave private dentare.

Sipas të dhënave joshteruese që disponojnë stomatologët, turizmi dentar zë 4% të volumit të punës së klinikave dentare në vend.

Dhe kjo ka ndodhur për arsye të çmimeve të ulta në raport si me rajonin, me Europën dhe shumë vende të tjera të botës.

Por në nëntor të 2018-ës, Urdhri i Stomatologut bëri një studim të 400 kampionëve në të gjithë vendin të çmimeve të klinikave private duke përgatitur një listë çmimesh dysheme referencë për shërbimet dentare.

Lista u miratua nga Asambleja e Urdhrit më 6 dhjetor 2018.

Rezultati i votimit të vendimit të 6 dhjetorit tregon se 22 vota kanë qenë pro e dy abstenime. Dy prej atyre votave pro janë të Ministrisë së Shëndetësisë, e cila sipas ligjit është pjesë e Këshillit Kombëtar të Urdhërit të Stomatologut. Përfaqësuesi i Fondit të Kujdesit Shëndetësor, që ka kryetar të Këshillit Administrativ vetë ministren Ogerta Manastirliu, ka votuar PRO kësaj liste çmimesh, ndërsa juristi i Ministrisë së Shëndetësisë, ka abstenuar, pra nuk ka kundërshtuar.

Dokumenti tregon se Ministria e Shëndetësisë ishte në dijeni që në krye të herës së ndërmarrjes së Urdhrit të Stomatologut, i cili u bë publik që në dhjetor të 2018-ës, por që nuk mori vëmendje të madhe në opinion.

Çështja u rihap një ditë më parë dhe rezultoi me një interes publik të jashtëzakonshëm pasi prek xhepat e pamundur të shqiptarëve që, përpos mungesës së kulturës orale, një arsye themelore që i mban larg kujdesit për dhëmbët janë edhe çmimet, të cilat edhe të parritura janë të papërballueshme nga një pjesë e konsiderueshme e një shoqërie që rrogën minimale e ka 26 mijë lekë.

Lista e çmimeve e miratuar nga Asambleja Kombëtare dhe Këshilli Kombëtar i Urdhrit të Stomatologut në fund citonte se kjo listë do t’i dërgohej Ministrisë së Financave për t’u implementuar në kasat fiskale.

Presidenti i Urdhrit Nikoll Deda, i pyetur nga Gazeta “Si” nëse lista i ishte dërguar Ministrisë së Financave, u përgjigj “jo” sepse “ishte menduar si një presion për piratët e stomatologjisë që kequshtrojnë profesionin e dentistit me çmime jashtë logjikës ekonomike për koston e procesit të shërbimeve dentare”.

Pasi lista e çmimeve të shërbimeve dentare kaploi gjithë vëmendjen e publikut, Ministria e Shëndetësisë vendosi të padisë në gjykatë Urdhrin e Stomatologut me objekt padie “shfuqizimin tërësisht të vendimit të Asamblesë Kombëtare të Urdhrit të Stomatologut të mbajtur në 14 dhjetor 2018 për miratimin e listës së çmimeve dysheme në shërbimin dentar”.

Dokumenti prej Shqiptarja.com


Gazeta “Si” pyeti zëdhënësen e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Etjola Kola, pse reagon në këtë moment Ministria, kur vendimi është bërë publik që në mesdhjetor?

Zëdhënësja sqaroi se “Urdhri nuk është në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, përfaqësuesit tanë në urdhër kanë votuar kundër, ky është hapi i dytë që ne marrim. Ne në mbledhje kemi votuar kundër. Sapo u bë zbardhja e procesverbalit të mbledhjes, ne e kemi dërguar në gjykatë sot”.

Por në vendim duket qartë se dy vota janë abstenim dhe vendimi nuk është kundërshtuar me asnjë votë. Ndërsa nga data 14 dhjetor kur është votuar vendimi ka kaluar plot 1 muaj dhe 11 ditë dhe Ministrisë duket se nuk i kanë mjaftuar për të reaguar.

Ish-Ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu e konsideron ngjarjen një teatralitet grotesk dhe një show cinik e tallës ndaj qytetarëve e shërbimit.

“Qeveria, Ministra e Shendetësisë, Fondi, që kanë qenë prej kohësh në dijeni të këtij problemi, duhet të subvencionojnë për të mbuluar procedurat bazë stomatologjike, si pjesë përbërëse e kujdesit shëndetësor, thotë ai duke shtuar: “Kam një pyetje për Ministrinë tonë, a e keni parë apo studiuar ndonjëherë si është gjendja e aparatit të gojës së shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë?! Karastrofë, me premisa komplikacionesh serioze! Pra sot mos bëni të paditurin e çuditurin, se edhe po të jetë kështu, aq më keq për efikasitetin e punës suaj!”

Ish zv/Ministri i Shëndetësisë, deputeti i PD-së, Bardh Spahia, pasi Ministria e Shëndetësisë ka paditur Urdhrin e Stomatologut, shprehet se “para gjykatës duhet të dalë e para ministrja, pjesë e atij vendimi.”

“Mashtrimi kaq i hapur i opinionit publik, nuk skuq e as zverdh ministren në provë të Edi Ramës, ndërsa qytetarët përballen me babëzinë pa fre të çdo vendimi, edhe kur ky u prek direkt shëndetin e tyre.”

Të kontaktuar nga Gazeta “Si”, disa juristë u shprehën se “vendimi është nul pasi Asambleja Kombëtare e Urdhërit të Stomatologeve nuk ka kompetencë për caktimin e çmimeve. Përcaktimi nga Urdhëri se çmimet janë “orientese” është abuziv, pasi nuk ka asnjë bazë ligjore. Kompetencat e Asamblesë janë të qarta në statut dhe në ligj, prandaj paditja e Urdhrit të Stomatologut nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është një budallallëk”
Sipas juristëve, ka një vakum ligjor në ligjin e posaçëm për stomatologjinë, ligji nr.9928 dhe VKM përkatëse, ku duhet të qartësohet rregulli, neni për tarifat e stomatologëve si një profesion i lirë, siç ndodh me të gjithë profesionet e tjera të lira.

Një vendim i pambështetur në një bazë ligjore ku ka marrë pjesë edhe Ministria Përgjegjëse e cila deklaron se ka pritur të zbardhet vendimi antiligjor për të paditur në gjykatë një vendim nul që në krye të herës! Kujt i shërben një ngjarje e tillë e prodhuar në mënyrë jo serioze nga dikastere publike në mes të dimrit, kur në vend situata politike dhe ekonomike vlon në mbi 100 gradë celsius?


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë