Treg

Kush përfitoi nga taksa 100% e Kosovës ndaj Serbisë dhe Bosnje Herzegovinës?

Taksa 100 % e vendosur nga qeveria kosovare ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnje Herzegovinës që prej nëntorit 2018, edhe pse fillesën e saj nuk e kishte për motive ekonomike, por politike, ka rezultuar me përfitues dhe humbës në arkat e disa vendeve.
Të dhënat zyrtare tregojnë se në këto shtatë muaj Shqipëria ka dalë më e përfituara nga kjo marrëdhënie ndëshkuese e Kosovës ndaj Serbisë dhe Bosnje Herzegovinës.
Shqipëria me këtë lëvizje të Kosovës e ka atë partnerin e dytë tregtar për eksporte pas Italisë duke zëvendësuar Spanjën.

Të dhënat e tregtisë së jashtme të INSTAT tregojnë se eksportet me Kosovën kanë shënuar 600 milionë lekë më shumë në shkurt duke u rritur muaj pas muaji.
Në 4 mujorin e parë të këtij viti rritja është 3 miliardë lekë më shumë se në janar-prill 2018.

Shqipëria ka eksportuar drejt Kosovës 8.9 miliardë lekë mallra në fillim të 2019-ës, teksa në fillimvitin e 2018-ës ka eksportuar 5.8 miliardë lekë, ose 3,1 mld lekë më shumë.

Çfarë ka eksportuar Shqipëria në Kosovë?

Sipas të dhënave, peshën më të madhe në rritje të eksporteve drejt Kosovës e ka pasur grupi ‘minerale, lëndë djegëse e energjisë elektrike’ dhe grupi ‘materiale ndërtimi dhe metale’.

Në periudhën kohore janar – prill 2019, Shqipëria ka eksportuar grup – mallra ‘ushqime, pije, duhan’, me vlerë 266 milionë lekë më shumë se në janar-prill 2018 dhe 208 milionë lekë më shumë grup – mallra ‘produkte kimike dhe plastike’. Gjithashtu 113 milionë lekë më shumë grup – mallra ‘prodhime druri dhe letre’, 624 milionë lekë më shumë mallra ‘materiale ndërtimi dhe metale’ dhe plot 1.716 miliardë lekë më shumë grup – mallra ‘minerale, lëndë djegëse, energji elektrike’.

Kush ka përfituar tjetër veç Shqipërisë?

Sipas të dhënave zyrtare nga vendosja e taksës 100% prej Kosovës ndaj Serbisë dhe Bosnje Herzegovinës, përveç Shqipërisë ka përfituar edhe Maqedonia.
Produktet e Maqedonisë kanë njohur një rritje të presences së tyre me të njëjtën peshë sa mallrat e Shqipërisë.

Vlera e produkteve maqedonase të eksportuara në Kosovë ka arritur në nivelin 20 milionë euro.

Referuar të dhënave të Institutit të Statistikave të Kosovës, rezulton se Sllovenia ka rritur në mënyrë të ndjeshme eksportet në Kosovë duke i dyfishuar ato në pak muaj.
Sipas ISK, në nëntor të vitit 2018 kur u aplikua taksa, nga 4. 8 milionë euro që ishin importet nga Sllovenia në nëntor të vitit 2018, në nëntorin e vitit 2019 ato u rritën në 9.6 milionë euro.

Në janar importet e Kosovës nga Sllovenia ishin në nivelin 13.8 milion euro në një kohë që në janar të vitit 2018 ato kanë qenë në nivelin 5.4 milionë euro.
Edhe në muajin shkurt 2019 importet e Kosovës nga Sllovenia qëndruan në nivelin 13.5 milionë euro në një kohë kur në shkurt të vitit 2018 ato kanë qenë në nivelin 4.3 milionë euro.

Ndërkohë, në muajin mars 2019, importet nga Sllovenia ishin në nivelin 8.6 milionë euro në një kohë që në mars të vitit 2018 niveli i importeve ishte 5.6 milionë euro.
Sllovenia ka konsoliduar një nivel të ri të shkëmbimeve tregtare me Kosovën nga 6-7 milionë euro në muaj, duke kaluar shifrën e mbi 10 milionë euro në muaj.

Edhe Turqia ka njohur një trend të ri rritës të shkëmbimeve tregtare me Kosovën që pas vendosjes së taksës për produktet serbe dhe ato të Bosnje Herzegovinës.
Turqia ka rritur eksportin me 22.7 milionë euro, krahasuar me periudhën janar – mars 2018,
Rritjen më të madhe e ka pasur në muajin mars, me 13.6 milionë euro më shumë nga marsi i vitit 2017.

Në nëntor të vitit 2018, nga Turqia u importuan në Kosovë rreth 30.8 milionë euro mallra.
Në të njëjtën periudhë të vitit paraardhës importet ishin në nivelin e 23.9 milionë eurove.
Në dhjetor 2018, shifra e importeve të Kosovës nga Turqia shkoi në 32 milionë euro, për të njohur një rënie në janar të viti 2019 në 19.7 milionë euro e për të vijuar rritjen në muajin shkurt dhe mars me përkatësisht 25 milionë dhe 38 milionë euro.

Një tjetër partner i tregtisë së jashtme me Kosovën që ka avancuar është Bullgaria.

Sipas Institutit të Statistikave të Kosovës, nëse në tetor 2017 eksporti i Bullgarisë drejt Kosovës ishte në vlerën e 5.266 milionë euro, në tetor 2018 vlera e mallrave të eksportuar nga Bullgaria në Kosovë ishte 6.179 milionë euro.

Në nëntor 2018 pati gjithashtu rritje të mallrave të eksportuara nga Bullgaria në Kosovë me 137 mijë euro nga nëntori i vitit 2017.

Kurse në dhjetor 2018, Bullgaria bëri një diferencë të dukshme, me plot 2.876 milionë euro diferencë në rritje nga dhjetori i vitit 2017.
Eksporti bullgar drejt Kosovës përgjatë muajit të fundit të vitit 2018 ishte 8.566 milionë euro, kurse në dhjetor 2017, kjo vlerë eksportesh ishte 5.690 milionë euro.

Në periudhën janar – shkurt – mars 2019, importet nga Bullgaria, Kosova i ka rritur me 8.4 milionë euro, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm. 23.4 milionë euro është vlera e mallrave të eksportuar në Kosovë nga Bullgaria në tremujorin e parë të 2019, ndërsa në po të njëjtën periudhë në vitin 2018, mallrat e eksportuar nga Bullgaria drejt Kosovës kapnin vlerën 15 milionë euro.

Hungaria dhe Greqia janë dy shtete të tjera të cilat kanë përfituar nga lëvizja e Kosovës për të penalizuar Serbinë dhe Bosnje Herzegovinën. Greqia në muajin mars të 2019 ka një rritje të eksporteve në vlerën e 12 milionë eurove.

Edhe pse shteti i Kosovës ka patur presion ndërkombëtar për të tërhequr pozicionin e saj sanksionues ndaj produkteve serbe dhe të Bosnje Herzegovinës, ajo nuk është tërhequr.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë