Vrasja e mbetur pa autor e Aleks Nikës është rikthyer në qendër të vëmendjes nga Prokuroria e Tiranës, e cila ka rihapur hetimet pas 10 vjetësh.
Predha e gjetur në kokën e tij ishte e dëmtuar dhe nuk kishte mundësi të ekspertohej nga cila armë ishte qitur. Tani, organi i akuzës beson se ka prova të reja që mund të hedhin dritë më shumë mbi atë që ndodhi në 21 janar 2011.
Aleks Nika, si çdo mëngjes dilte nga shtëpia me shpresën e gjetjes së një pune për të ushqyer familjen, por atë të premte kishte një motiv më shumë për të dalë herët. Opozita e asaj kohe protestonte për videon Meta-Prifti dhe korrupsionin që kishte përfshirë vendin.
Krerët e Partisë Socialiste kishin ditë që i bënin thirrje simpatizantëve dhe mbështetësve të tyre të grumbulloheshin në një tubim paqësor përballë kryeministrisë. Me objektivin për të protestuar dhe kundërshtuar regjimin e Sali Berishës.
Ishte e premte dhe para se të dilte nga shtëpia, Aleksi përqafoi bashkëshorten Rajmonda dhe vajzat e tij të mitura (Amelia, 2 vjeçe dhe Nertila 5 muajshe). Përshëndeti edhe nënën e tij Drane dhe babain e tij Ndue, duke mos e ditur se do të ishte hera e fundit që i shikonte dhe takonte.
36-vjeçari jetonte në fshatin Grykë-Manat të komunës Kolsh të Lezhës dhe së bashku me disa persona të njohur dhe bashkëfshatarë, është nisur me autobus drejt Tiranës.
Protesta e opozitës ishte thirrur në orën 14:00 dhe Aleksi ka qëndruar disa orë rreth qendrës së kryeqytetit para se të fillonte gjithçka.
Në fakt, manifestimi ka qenë i dhunshëm që në nisje, me përleshje të ashpra mes mbështetësve të opozitës dhe forcave të policisë.
U vra në mbylljes të protestës
Në një situatë kaotike, vrasja e të riut nga Lezha është bërë disa minuta nga mbyllja e protestës te kryeministria.
Ora shënonte rreth 15:00 e pasdites, teksa më herët ishin goditur për vdekje Hekuran Deda nga Kukësi, Ziver Veizi nga Gjirokastra dhe Faik Myrtaj nga Fieri.
Në videot e publikuara nga mediat e kohës, duket se njerëzit ishin rralluar në bulevard dhe qëndronin grupe-grupe. Pikërisht në këto momente Aleksi, me duar ne xhepa, duket se bie përtokë.
Sipas pamjeve në videon që është sekuestruar nga hetuesit në një nga televizionet lokale, Nika është qëlluar me një të shtënë teke, kur ka qenë i rrethuar nga 10 apo 15 persona, disa prej të cilëve janë identifikuar nga familjarët si të njohur të tij.
Gjithnjë referuar pamjeve të videos, në momentin kur ai është goditur me plumb, ka rënë përtokë dhe ky grup personash që ndodhej rreth tij, të njohur e të pa njohur, kanë rendur t’i shkojnë në ndihmë.
Në momentin kur është qëlluar, ai ndodhej në bulevard, mes godinës së Kryeministrisë dhe Kryesisë së Kuvendit. Sipas imazheve filmike, por edhe matjeve në vendin e ngjarjes, ai ka qenë më pranë Kryesisë së Kuvendit sesa godinës së qeverisë, ku ishin instaluar forcat e Gardës së Republikës.
Në fakt, Aleksi nuk ndodhej në mesin e bulevardit, por i zhvendosur në krah të djathtë nga kahu i Gjykatës Kushtetuese.
Gjendja e tij ishte tepër e rëndë dhe një javë pas 21 janarit, pasi qëndroi në Spitalin Ushtarak në koma, Aleks Nika u dërgua për mjekim të specializuar në Turqi.
Për shkak të plagës së rëndë dhe dëmtimeve serioze, 36-vjeçari nga Lezha nuk arriti të mbijetojë dhe vdiq rreth dy javë më pas në një spital turk.
Pak ditë më pas, trupi i tij u rikthye në Shqipëri dhe gjithë dokumentacionin mjekësor dhe predhën e nxjerrë.
“Hetim” në Turqi
Policia dhe Prokuroria Turke hapën një dosje penale në lidhje me vdekjen e Aleks Nikës. Procedimi penal u hap ditën kur salla e urgjencës, së spitalit ku ndodhej për kurim, njoftoi autoritetet për vdekjen e një shtetasi që kishte mbërritur i plagosur me armë zjarri.
Duke qenë se vdekja kishte ndodhur në territorin turk, menjëherë pas njoftimit, në spital kanë mbërritur policët dhe prokurorët turq.
Ata kanë këqyrur kufomën e 36-vjeçarit dhe më pas kanë sekuestruar gjithë dokumentet mjekësore të trajtimit të tij si dhe provat e tjera, përfshi edhe predhën e nxjerrë nga trupi.
Të gjitha provat u mbajtën nga Prokuroria dhe Policia Turke, e cila theksoi se për sa kohë, dosja në fjalë do të jetë e hapur atje, predha nuk mund të kthehet në Shqipëri, pasi është provë e sekuestruar mbi dosjen e hapur sipas legjislacionit turk.
Rikoshetë apo qitje direkte?
Verifikimi i Policisë Shkencore do të bënte një krahasim të plumbit me 75 copë automatikë dhe rreth 60 armë pistoleta, të gjitha 9 mm, të sekuestruara te Garda e Republikës pas ngjarjeve të 21 janarit por dëmtimi i tij e bëri të pamundur identifikimin.
Predha ishte dëmtuar në vjaska, elementi i vetëm dallues që shërben për ekspertimin. Bazuar në vjaskat (gjurmët) e lëna në predhë nga pjesa e brendshme e tytës së armës në momentin e qitjes, bëhet edhe identifikimi i automatikut apo pistoletës që ka kryer qitjen.
Në lidhje me dëmtimet e predhës hetuesit kanë dy versione, por që asnjë prej tyre nuk është konfirmuar ende.
Varianti i parë është një rikoshetë e plumbit në ambient, para se të godiste viktimën dhe versioni i dytë është dëmtimi i plumbit në kockat e 36-vjeçarit nga Lezha, pasi nga ekzaminimet del se predha i kishte prekur atij një pjesë të kafkës së kokës.
Flet bashkëshortja: Vajza më pyeste ku është babai!
Kanë kaluar 10 vjet dhe familja Nika kërkon drejtësi. Bashkëshortja e tij Rajmonda e ka pasur të vështirë t’i tregojë vajzës së saj se ku është i ati.
“Ora e kujtimit tim për të ka mbetur tek ai mëngjes kur u nis nga shtëpia. Qysh atëherë, Amelia, vajza ime, më ka pyetur shumë herë ‘ku është babi’? I them: ‘Babi ka ikur në Itali që t’i blejë Amelias rroba të bukura sepse e do shumë’. Por ora e së vërtetës po afron edhe për Amelian. Ajo po rritet. Një ditë do më duhet t’i tregoj të vërtetën. Asaj dhe vajzës tjetër, Nertilës. Ndoshta nuk do të jetë nevoja. Do ta kuptojnë vetë çfarë ka ndodhur me babanë e tyre. Për ne si familje s’ka pikë dyshimi se kush ishin urdhëruesit dhe autorët e këtij krimi. Ne kemi kërkuar, kërkojmë e do të kërkojmë sa të kemi frymën shpagim dhe drejtësi”, – është shprehur mes lotësh Rajmonda.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.