Ana e errët

Kush do grabitej në Fier? Gruaja prish planin dhe pendohet: E bëra për të shpëtuar fëmijët e mi!

Gazeta Si – Grupet e Policisë së Shtetit, u angazhuan pas denoncimit të një nëne të tre fëmijëve për të gjetur prova për një grabitje të mundshme në Fier dhe për të prangosur dy burra në kushtet e flagrancës.

Por burimet e Gazetasi.al, shtojnë se shtetasit e dyshuar GJ.H dhe P.L., nuk pranojnë asnjë nga akuzat e kallëzueses.

Policia i thotë Gazetasi.al, se nëna e tre fëmijëve ka këmbëngulur se shkoi në polici pak orë përpara se plani i grabitjes të finalizohej, pasi pati frikë për fëmijët e saj.

“Fëmijët e mi janë më i madhi 18 vjeç, tjetri 14 dhe është e frikshme se si i kërkuan djemtë e mi për t’i përfshirë në ngjarje”, deklaron nëna e tre fëmijëve.

E vetëofruar për të bërë “spiunen”, gruaja shton: “E di mirë se ku gjendet banesa dhe gjatë ditëve të mëvonshme u pendova, pasi realisht ajo gjë po ndodhte vërtet. Ne kemi jetuar gjithë jetën me djersë, kjo ishte diçka që asnjë prej nesh s’e ka bërë ndonjëherë”, thotë gruaja.

Operacioni i kryer minutë pas minute, jep në transkripte se si nëna e tre fëmijëve, pasi doli nga komisariati i Kamzës, udhëtoi në fillim drejt një lokali, ku e priste kushëriri me inicialet GJ.H.

‘’Në telefon ramë dakord që do merrnim armën në Pezë Helmës së bashku me një shokun e tij. Gj., mori makinën. I kërkova të më presë pak, sa t’ju bëja gjellën fëmijëve dhe të rregulloja punët. I tregova se nuk do vonohesha deri në marrjen e sinjalit prej tij, ndërkohë ai më priste në lokal”, rrëfen më tej gruaja.

Ajo kujton se pasi mori dakordësinë e tij dhe pasi i sistemoi të gjitha (në kohën që policia po i mbikëqyrte), të dy kushërinjtë u nisën për të marrë armën.

“Isha e emocionuar dhe rrugën nuk e mbaj mend se si arritëm deri në Pezë Helmës. U nisëm drejt Durrësit, duke marrë me vete edhe personin e moshuar, shok me Gjovalinin. Atij i mori automatikun për të cilin kishim folur”.

Më pas, të tre ata u ndaluan në udhëtim e sipër me destinacion Fierin.

“Gjatë rrugës nuk folëm asnjë fjalë me Gjovalinin, pasi ai dëgjonte muzikë. Gjatë rrugës, e telefonoi dikush dy herë, kur morëm armën shkuam në kodër, ku personi i moshuar e futi në bagazh armën e mbështjellë me ngjyrë të zezë. Ai futi disa copa litari që ia tregoi Gjovalinit, duke i shpjeguar se me ato do lidhin të zotin e shtëpisë dhe dy karikatorë me fishekë”.

Mirëpo i dyshuari i parë, P.L., insiston se e takoi Gjovalinin për biznes.

“Nuk e kam idenë për çfarë flitet. E takova Gjovalinin, pasi do vendosnim për dimërimin e bletëve. Erdhi me një grua dhe i tregova se po shkoja me ta, meqë po shkonin në Durrës dhe atje kam vëllain, M.L. Nuk e kam idenë  për çfarë flitet. Shtëpia ime ka kamera, merrini”, - arsyeton i dyshuari. Gjovalin L., ruan të njëjtën alibi, duke folur për transportin e bletëve.

“U nisa bashkë me vajzën e dajës dhe folëm për bletët. Pastaj rrugës për në Durrës, pasi kam parë vendin, mendova të blija diçka në farmaci. Kur policia na ndaloi , e dija që në bagazh kisha rrobat e punës. Për automatikun jam i befasuar, nuk e di si dhe kush e vendosi”, - përmend i dyshuari.

Policia i thotë Gazetasi.al, se u janë sekuestruar disa aparate telefoni, ndërkohë që gruaja do të pyetet sërish për të treguar shtëpinë që ishte vënë në shënjestër në Fier.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë