Nga Gazeta ‘Si’- Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, i ka shkruar një letër kreut të Lidhjes Demokratike të Kosovës përmes së cilës e ka ftuar për marrëveshje politike mes dy partive.
Kurti e ka ftuar Lumir Abdixhikun që LVV-ja dhe LDK-ja të bëjnë koalicion qeverisës, i cili sipas tij do t’i hapte rrugë zhbllokimit të Kuvendit të Kosovës dhe formimit të Qeverisë së re të Kosovës.


Sipas tij pavarësisht dallimeve duhet të vendosen interesat e shtetit dhe qytetarëve të para, për të shmangur zgjedhjet e parakohshme. Kurti shton se nuk ka dallime të theksuar mes LDK-së dhe Vetëvendosjes.
Kreu i LVV-së, në letër, nuk e ka përjashtuar as gatishmërinë e partisë së tij për shkuarje në zgjedhje të reja, por ka thënë se edhe ato do të çonin drejt një koalicioni mes LVV-së dhe LDK-së.
“Pse ta bëjmë atëherë më vonë, kur mund ta bëjmë tash?”, e ka pyetur Kurti, Abdxhikun.
Nga LDK-ja nuk janë deklaruar deri më tani për ftesën e Kurtit.
Të hënën, për të njëmbëdhjetën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan ta konstituojnë përbërjen e nëntë parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.
Ligjbërësit refuzuan për të tretën herë rresht që ta formojnë një komision për votimin e fshehtë për kreun e ri të organit ligjvënës.
Kujtojmë që deri më tani, LDK ka refuzuar çdo ftesë të Vetëvendosjes.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.