Në mesazhin e urimit me rastin e Kurban Bajramit, kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Bujar Spahiu apelon që kjo festë të shërbejë për të ripërtërirë ndjenjën e dashurisë, respektit, vëllazërisë faljes dhe përkujdesjes mes njerëzve.
“Kurban Bajrami është dita kur ne me buzëqeshje, gëzim e paqe, shërojmë plagët që i kemi shkaktuar njëri-tjetrit. T’i shohim të gjithë njerëzit me syrin e dashurisë, ashtu siç na sheh ne Zoti dhe le të bëhemi pjesë e gëzimit të tyre duke ndarë së bashku mirësitë e Kurban Bajramit”, thotë Spahiu.
Për shkak të pandemisë, këtë vit pelegrinazhi i Hashit nuk mundësohet dhe kreu i KMSh-së bën thirrje për përkujdes maksimal që festimet të mbahen duke respektuar të gjitha masat e duhura për parandalimin e Covid.
“Gjatë këtyre ditëve të jemi të kujdesshëm në festimet tona, duke marrë të gjitha masat e duhura për të shmangur infektimet e mundshme nga Covid-19. Shëndeti dhe jeta kanë një rëndësi të veçantë në fenë tonë. Kështu që e kemi për detyrë të kujdesemi për veten, familjen, dhe për të gjithë njerëzit që na rrethojnë. Me lutjet drejtuar Allahut dhe me kujdesin tonë edhe kjo pandemi do të largohet nga mesi ynë”, tha ai.
Kreu i KMSh-së deklaron se Kurban Bajrami është simbol i heroizmit, sakrificës, sinqeritetit, devotshmërisë dhe përkushtimit ndaj Zotit.
“Në Kuranin famëlartë Allahu na mëson që tek Ai nuk arrin as mishi as gjaku i kurbanit, por përkushtimi ynë që kemi për të. Pra Kurbani është një mjet që na afron më shumë me Zotin dhe duke ndarë mishin e kurbanit me njerëzit në nevojë ne jemi më afër pëlqimit të Tij”, vijon mesazhi i urimit.
Spahiu bëri thirrje për përkujdesje ndaj njerëzve në nevojë dhe të moshuarve.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.