Treg

Kur tërmeti bie në fushatë, s’bën dot ligj për sigurimin e detyrueshëm të shtëpive

Sabina Veizaj- Sa herë ndodhin fatkeqësi natyrore, kujtohemi se na duhet një ligj që detyron sigurimin e pronës dhe të shtëpisë.

Kështu do të ndodhte edhe pas përmbytjeve të veriut të vendit në vitin 2017.
“Është sigurisht përparësi marrja e nismës ligjore për sigurimin e banesave ndaj përmbytjeve dhe bizneseve. Jemi ende i vetmi vend që nuk ka një masë të tillë në ligj dhe ku pastaj njerëzit e prekur mbeten në mëshirën e fatit dhe në pritje vetëm nga buxheti i shtetit që nuk mund të përballojë gjithçka gjithmonë edhe pse këtë herë, ne do ti përballojmë, si dhe herën e kaluar, gjithë detyrimet që burojnë nga kjo krizë. Është shumë e rëndësishme që gjithë qytetarët dhe sipërmarrësit si në çdo vend normal të sigurohen në mënyrë që dëmet e tyre të kompensohen në bazë të këtij mekanizmi” – do të thoshte kryeministri Edi Rama në atë kohë.

Edhe Banka Botërore do të sugjeronte kohë pas kohe ngritjen e një Programi Sigurimi Kombëtar për Tërmetet që do të sanksiononte sigurimin për shtëpitë si të detyrueshëm.
Arsyeja pse kjo do të duhej të bëhej përmes një programi tërmeti dhe jo përmbytjeje sipas BB-së është sepse risku i tërmetit është evident për të gjithë zonat në Shqipëri. “Sigurimi i shtëpisë me detyrim do të sigurojë një pjesëmarrje më të gjerë duke kontribuuar në një difersifikim më të mirë të riskut, por edhe për të siguruar përqindje më të favorshme në marrëveshjet e ri sigurimit në tregjet ndërkombëtarë” – do të shprehej Banka Botërore.
Po kështu nga ana e saj do të sugjerohej gjithashtu që primi i sigurimit të mos ishte shumë i lartë duke rekomanduar një vlerë 50 euro në vit për një kompensim që mund të varionte nga 20 mijë në 40 mijë euro.

Gjithashtu skema mund të kishte diferencime, ku shtëpitë në ndërtim dhe ato të pabanuara të kishin një prim më të ulët.

Por historia e dy viteve të shkuara u harrua dhe na trokiti në derë një fatkeqësi tjetër natyrore, jo përmbytje, por tërmet në zonën verilindore të vendit, Korçë.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Mbrojtjes, do të rezultonin 95 banesa të shkatërruara dhe 212 banesa me dëmtime të lehta.

Në fshatin Floq të bashkisë Korçë janë 65 banesa të shkatërruara, ndërsa 100 të tjera me dëmtime të lehta.

Në fshatin Qafëzezë të bashkisë Kolonjë 18 banesa të shkatërruara dhe 71 të tjera me dëmtime të lehta. Në fshatin Vidohovë të bashkisë Devoll 12 banesa të shkatërruara dhe 41 banesa me dëmtime të lehta.

Fillimisht 160 banorë të fshatit Floq do të strehoeshin nëpër çadra, por pas vlerësimit të shkollës së fshatit, një pjesë e tyre do të akomodohej nëpër klasa. Pjesa tjetër e banorëve në Floq do të strehoheshin në çadra të pajisura me krevatë e ndriçim. Disa prej familjeve, kryesisht me fëmijëve të vegjël do të strehoheshin në Korçë përmes institucioneve vendore apo fondacioneve të bamirësisë.

Por këtë herë Kryeministri Rama do të shfaqej i pashpresë në lidhje me çuarjen deri në fund të nismës ligjore për detyrimin e sigurimit të shtëpive, të cilën në 2017-ën dukej se e kishte gati. Duke e justifikuar me mentalitetin e shoqërisë shqiptare, i cili nuk është gati ta hedhë këtë hap.

Në një takim elektoral me banorët e njësisë 10 në kryeqytet, i pyetur nga një qytetar në lidhje me nismën ligjore për sigurimin e detyrueshëm të shtëpive, kryeministri Rama do të përgjigjej se do kohë, shumë kohë, pasi shqiptarët do ta konsideronin si një taksë shtesë që do tu rëndonte në xhepat e tyre.

Kjo taksë shtesë do të ishte vetëm 7000 lekë në vit për çdo familje duke i kursyer buxhetit të shtetit 40 mijë euro për çdo banesë në rast fatkeqësie natyrore. Por në fakt, kryeministrit Rama do ti jetë kujtuar fatura e majme e koncesioneve prej 100 milionë euro që shqiptarëve do tu duhet të paguajnë nga taksat për kompanitë koncesionare gjatë këtij viti. Sipas relacionit të projektbuxhetit 2019, që u miratua në mbledhjen e fundit të qeverisë vitin që shkoi, fatura e koncesioneve do të rritet këtë vit me 50 për qind krahasuar me 2018-ën, për shkak të hyrjes në fuqi të tre kontratave të reja; Rruga e Arbrit, koncesioni i laboratorëve dhe mirëmbajtja e rrugës Durrës-Kukës, pa përmendur Rrugën Milot-Balldren dhe Dukat-Orikum për të cilat qeveria do të mund të dalë si garant për të marrë kredi për firmat në mungesë të kapitalit të tyre financues…

A e sigurojnë shqiptarët në mënyrë vullnetare shtëpinë?

Të dhënat e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare tregojnë për katërmujorin e parë të vitit 2018 se vlera e sigurimit të pronës nga zjarri dhe forca të tjera të natyrës ka qenë 136 mijë lekë, teksa në katërmujorin e parë të 2019-ës rezulton me rënie në 85 mijë ose 38% më pak. Sigurimet e pronës nga zjarri dhe fatkeqësi të tjera natyrore zënë vetëm 5 % të portofolit total të sugurimeve në katërmujorin e parë të vitit 2019.

Kurse tek dëmet e paguara në total nga kompanitë e sigurimit përmbyset raporti; në katërmujorin e parë të 2019-ës rezultojnë 128 % më shumë dëmë të paguara se në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Kush siguron shtëpitë në Shqipëri?

Nga kontaktet e Gazeta Si me disa shoqëri sigurimi, rezulton që shtëpitë e fshatit nuk janë të siguruara. Bëhet fjalë për shtëpitë, si ato që u dëmtuan gajtë tërmetit në Korçë.

Sipas të dhënave nga Albsig, qytetet që janë më të ndërgjegjësuara përsa i përket sigurimit të pronës (më shumë janë vilat dhe apartamentet) dhe Tirana ka përqëndrimin më të madh, e pasuar nga Durrësi, Vlora dhe Korça.

Këto qytete për gjate dhjetë viteve të fundit, thotë Albsig, kanë trendin më të madh të rritjes dhe edukimit të sigurimit të banesave. Por sipas të dhënave, është vërejtur dy vitet e fundit që sigurimi i banesave ka nisur të aplikohet dhe në qytetet Shkodër dhe Lezhë.

“Orientimi i konsumatorëve dhe tregut në tërësi drejt produkteve të sigurimit vullnetar, që në krye të herës ka qenë një prej pikave më të rëndësishme të strategjisë së shoqërisë. ALBSIG është e para shoqëri që ka diversifikuar produktet dhe ofertat e tyre, duke i dhënë një shtysë të rëndësishme sigurimeve vullnetare, të cilat në tregjet e maturuara në të gjithë botën shihen me përpararësi përkundrejt sigurimeve të detyryeshme”, u shpreh Plarent Hamzaj zv Drejtor i Pergjithshëm në Shoqërinë e Sigurimeve Albsig.sha për Gazeta Si. Sipas Hamzajt, sigurimet vullnetare janë një faktor shumë i rëndësishëm për zhvillimin e tregut të sigurimeve në tërësi. Ai thekson se të dhënat e Albsig tregojnë se kjo strategji ka rezultuar shumë e suksesshme. ALBSIG rezulton të jetë e vetmja shoqëri në tregun e sigurimeve, e cila ka një raport të përmbysur të sigurimeve të detyrueshme dhe atyre vullnetare, në favor të këtyre të fundit. ALBSIG mban vendin e dytë në treg për sigurimin e pronës, konkretisht për produktet zjarr dhe rreziqet shtesë, vjedhje CAR-inxhinierike, me 23.61% të totalit të tregut, ose me135.394 milion lekë prime të shkruara bruto për periudhën janar-shkurt 2019. Në shifrat e publikuara se fundmi nga Autoriteti i Mbykeqyrjes financiare për janar-prill të 2019-s, sigurimet vullnetare zënë 50.68 %, duke përmbysur kështu gjithë trendin e tregut të sigurimeve.

Përsa i perket sigurimit të banesave dhe shtëpive në fillim diskutohet zona ku ndodhet për të vleresuar dhe rriskun që mbart ajo zonë. Ka raste që nga vlerësimi i rriskut të lartë mund të merret në sigurim vetëm me një prim më të lartë. Me një përllogaritje të thjeshtë një shtëpi në zonat rurale mund të sigurohet nga zjarri dhe tërmeti me një prim duke filluar nga 50 euro në vit. Çdo i siguruar që bën të mundur sigurimin e pronës nga zjarri dhe tërmeti në rast dëmi, perfiton dëmshpërblim në varësi të demit të ndodhur.

Çfarë kanë sugjeruar në 2017-ën kompanitë e sigurimit?

Në 2017-ën nismën e kryeministrit Edi Rama do ta mbështesnin fort Shoqëritë e Sigurimit. Drejtori i Përgjithshëm i Sigal Avni Ponari do të thoshte: “Po kërkohet të bëhet në Shqipëri, kur në të gjithë botën është bërë shumë herët, pra s’po bëjmë diçka të veçantë, është diçka që ekziston dhe modelet janë”.

Të njëjtin mendim do të ndante edhe Presidenti i Eurosig Kadri Morina; “Në këtë moment sigurimi i detyrueshëm i pronave është në një fazë emergjente dhe e falenderojmë kryeministrin për këtë nismë”.

Madje ata do të sugjeronin edhe masën e primit të sigurimit në atë kohë. Avni Ponari do të thoshte se nëse shteti ka dhënë tapitë, banesat do të sigurohen edhe ato shtëpi që kanë problem dhe janë ndërtuar në vende të papërshtatshme si pranë lumenjëve , psh, por sigurisht që çmimi nuk do të mund të ishte i njëjtë për Ponarin si për një shtëpi me rrezik të ulët.

Kurse Kadri Morina do të ndahej nga ky mendim dhe do të sugjeronte se banesat si fillim do të duhej më parë të plotësonin disa kushte.

“Në një banesë që është ndërtuar, do të shkojë kompania e sigurimit me specialistët dhe do të vendosë kushte për sigurimin, si do të ndërtosh argjinaturë para shtëpisë, do të bësh këtë apo atë, për arsye se kompania e sigurimit është për një moment të caktuar, për një ngjarje aksidentale dhe jo për atë që ti e ke shkaktuar me dashje për një shtëpi që e ke ndërtuar pothuajse buzë lumit” do të thoshte dy vite më parë Morina.

Të dy krerët e kompanive të sigurimit do të sugjeronin një tarifë vjetore prej gati 50 eurosh për sigurimin e çdo shtëpie.

Në Shqipëri sigurimi i detyrueshëm është vetëm për automjetet, kurse të tjerët mund të bëhen në mënyrë vullnetare. Në 2017-ën u duk sikur vullneti për ta ndërmarrë një nismë ligjore për sigurimin e detyrueshëm të shtëpisë ishte shumë serioz, por siç e pamë edhe nga deklarata më e fundit e kryeministrit Rama, ishte entuziazëm i momentit, ose në prag të zgjedhjeve lokale do të ishte një kosto shtesë politike për forcën që ai përfaqëson.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë