Lojëra me Dore

Kur pasioni të thërret, Ana Ivanoviç rikthehet 4 vjet e gjysmë pas tërheqjes

Ishte 29 vjeç kur u tërhoq nga tenisi, në 2016-ën. Në atë kohë zgjodhi familjen para tenisit, u martua në korrik të po atij viti me ish-lojtarin e Bajernit dhe Gjermanisë, Bastian Shveinsteiger, dhe ka dy fëmijë (Luka 3 vjeç dhe Stefan që ka lindur në gusht të 2019-ës).

Tani, pas 4 vjetësh e gjysmë, Ana Ivanoviç është gati të rikthehet dhe do ta bëjë këtë gjë më 16 maj në Beograd (në qytetin e lindjes), në turneun WTA që organizohet nga vëllai i Novak Gjokoviçit. Ka qenë ai që ka zbuluar rikthimin në fushë të ish-numrit 1. Në një farë mënyre e ka konfirmuar edhe vetë Ivanoviç me anë të rrjeteve sociale, ku shkruan: “ndiq pasionin tënd dhe mos dëgjo ata që nuk arrijnë të të kuptojnë”. Postim i shoqëruar me një foto me një top tenisi në dorë.

Ana Ivanoviç u shpall kampione e “Roland Garros” në 2008-ën, në moshën 20-vjeçare. Numri 1 në renditjen botërore për 12 javë, ajo e ka fituar turneun e fundit nga 15 që ka në karrierë, në Tokio, në shtator të 2014-ës. Kur u tërhoq ishte numri 65 në botë, pas disa ulje-ngritjeve, dëmtimeve dhe brishtësisë. “Pas rezultateve që kam arritur në karrierë, nuk mund të vazhdoj, nëse nuk jam në formën më të mirë, - tha në atë kohë Ivanoviç. – Dëmtimet më kanë shoqëruar dhe nuk jam aty ku duhet, ndaj dhe them se është momenti për të hequr dorë“.

Ishte një humbje e madhe për tenisin, sepse përtej rezultateve, Ana ka qenë një nga sportistet më të dashura për stilin në fushë dhe pamjen tërheqëse, çka e bëri numrin 1 edhe për tifozët dhe sponsorët (është ende imazh i Rolex dhe Adidas). Ajo ka treguar se presioni i madh i hoqi dëshirën për të luajtur.

Ana Ivanoviç me bashkëshortin Bastian Shveinstaiger. Gazeta Si, 7 prill 2021

Tani fjalët e saj lënë të kuptohet se do rikthehet, por janë disa pengesa përpara. Ivanoviç është ende në listën e tenisteve jashtë kompeticioneve ITF, kështu që mund të marrë pjesë në një turne pas 6 muajsh, pasi të bëjë pjesë edhe në programin antidoping. Do jetë e vështirë për ta parë në tabelë në Beograd, por ndonjë ndeshje ekzibicioni mund ta bëjë, vetëm për argëtim.

Një vit më parë, një nga rivalet më të forta të Ivanoviç, Kim Klijsters, tentoi rikthimin në fushë pas martesës dhe tre fëmijëve, por projekti u shty nga pandemia. “Edhe mua më mungojnë turnetë, - tha Ana në atë kohë. – E çuditshme, sepse kur isha 16 vjeç kisha frikë nga dita kur do të luaja në fushat më të rëndësishme. Nuk i doja dritat e reflektorëve, kurse tani më mungojnë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë