Ngjarje

Kur gabimet e regjistrimit online të banesës i “ha” qytetari

Je prej vitesh banor i një njësie bashkiake, por një ditë, papritmas gdhihesh si banor në një zonë tjetër të Tiranës dhe i regjistruar në një njësi tjetër bashkiake.

Diçka e tillë mund të ndodhë fare lehtë në Tiranë.

Por kjo është më e pakta.

Vështirësia më e madhe fillon kur dëshironi të “korrigjoni” këtë keqkuptim dhe kërkoni të regjistroheni sërish në qendrën aktuale të banimit dhe u shpjegoni punonjësve të njësisë bashkiake se ka ndodhur një gabim.

Kjo ka ndodhur me disa banorë të kryeqytetit, përfshirë edhe mua, që po shkruaj këto rradhë.

Për çfarë arsyeje dhe pse? Kjo mund të ndodhë për arsye nga më të ndryshmet dhe banale, por nuk po i futem kërkimeve të kësaj natyre, por di të them, se me hartimin e listës së re të adresave në Tiranë ka pasur shumë keqkuptime dhe regjistrime të tilla të papritura, shpesh të pasakta.

Ndërkohë, qytetarët hasen me një maratonë të vërtetë ndërsa dëshirojnë të rregullojnë adresën e tyre dhe të regjistrohen sërish.

Adriani, 40 vjeç drejtohet për të zgjidhur problemin në njësinë bashkiake nr. 10 së cilës i takon, por punonjësja e sportelit nuk di të shpjegojë se pse adresa e tij rezulton tashmë në Farkë dhe për ta regjistruar sërish i kërkon t’i sjellë nga e para vërtetim të dokumenteve të shtëpisë, vërtetim nga administratori i zonës ku banon dhe ndërkohë thekson se të gjithë anëtarët e familjes së tij, të cilët janë në moshë madhore duhet të vijnë të paraqiten për të firmosur në lidhje me “adresën e re”.

Diçka e tillë Adrianit i kushton ca orë të mira dhe për këtë ai është larguar nga puna, gjë që padyshim e detyron t’i flasë me zë paksa të lartë punonjëses së njësisë bashkiake.

Të nesërmen, ai sjell dokumentet e shtëpisë dhe ndërsa debaton me punonjësen e njësisë, kjo e fundit detyrohet t’i japë një formular, të cilin duhet ta çojë në dy zyra të ndryshme brenda njësisë bashkiake për t’u regjistruar si banor i njësisë dhe për të marrë adresën e re.

Ndërsa merr numrin e protokollit në njërën prej zyrave gjithçka “ngec” në zyrën e dytë, ku duhet të marrë adresën e re, pasi sistemi online, i reklamuar aq shumë nuk punon.

Të njëjtin problem me të kam dhe unë.

“Nuk dimë çfarë t’ju themi. Nuk varet prej nesh. Internet ka, por nuk punon sistemi”, - shfajësohet një prej punonjësve, ndërsa shton se nuk di si mund ta zgjidhë këtë problem, pasi sistemi i ri i adresave nuk varet dhe drejtohet prej tyre por është në varësi të Ministrisë së Brendshme.

Ai madje tenton disa herë të lidhet me punonjës të kësaj Ministrie, përgjegjës për mirëmbajtjen e kësaj faqeje, që jep më pas automatikisht adresën e re të banimit për qytetarët e Tiranës, por as këta punonjës nuk japin një përgjigje konkrete dhe të qartë.

“Nuk dinë as ata se kur mund të rregullohet. Sot nuk besoj se rregullohet”,- vijojnë punjonjësit e njësisë bashkiake, ndërsa vërejnë se mund të vijmë sërish në zyrë nesër apo gjatë ditëve në vijim.

Edhe pas dy ditëve më pas, sistemi i ri online i dhënies së adresave (në varësi të Ministrisë së Brendshme) ende nuk punon, ndërsa qytetarë duhet të enden në një pritje të pakuptimtë për t’u regjistruar sërish si banorë të njësisë bashkiake, ku jetojnë prej vitesh.

Ndërkohë, në një intervistë të tij, disa ditë më parë,  Drejtori i Përgjithshëm i Gjendjes Civile, Bledar Doracaj, deklaroi se, “problemi i sistemit të adresave në Shqipëri është një proces që ka 30 vjet që ekziston”.

I pyetur se çfarë po ndodh me sistemin e adresave disa muaj përpara zgjedhjeve, pse ka ankesa të qytetarëve për ndryshim pa dijeni të tyre dhe se si po punohet për korrigjimin e këtij problemi, ai vërejti se, “askush deri para pak kohësh nuk dinte të sqaronte se ku e ka shtëpinë, por mundohej që t’ua jepte personave të interesuar duke referuar mjete rrethanore”.

Sipas tij, pas 30 vitesh qeveria shqiptare në vitin 2016 ndërmori dhe akordoi një fond, i cili bënte të mundur krijimin e një sistemi të ri adresash, dhe funksional, proces, që kishte të bënte me intervistimin në terren të qytetarëve derë më derë në të gjithë vendin.

Sipas tij, ky konflikt me adresat nuk do të ndikojë në procesin e votimit të qytetarëve.

“Qytetarët aty ku kanë votuar në 2019-ën, 2017-ën, do të votojnë edhe në 2021-in, në qoftë se nuk e kanë ndryshuar vendbanimin konform dokumentacionit të parashikuar nga ligji. Të gjithë ata që kanë probleme me adresat, nuk kanë probleme me zgjedhjet, ata do jenë aty ku kanë qenë”.

Regjistrimi i adresave është një projekt i cili u prezantua në 27 nëntor të vitit 2015. Projektligji u votua në parlament në shtator 2016 dhe parashikonte që regjistrimi i adresave të përfundonte brenda vitit 2016-të.

Në vitin 2019, Ministria e Brendshme deklaroi se regjistrimi i banesave kishte përfunduar dhe se ekziston një sistem WebGIS për adresat, me një total prej rreth 1.4 milion adresash, që mbulon të gjithë vendin.

Blerina Goce


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë