Njerez

Kur Franc Bekenbauer mblodhi gocat e bllokut në stadium në Tiranë për ta parë

Nga Gazeta Si – Nuk kishte si të mos linte gjurmë edhe në botën shqiptare të futbollit, një figurë kaq e madhe si ajo e Franc Bekenbaurit. Ai ka pasur në disa raste kontakte me kombëtaren shqiptare dhe jo vetëm. Kështu profesor Faruk Sejdini tregon disa nga momentet dhe përballjet e skuadrave që kishin Bekenbaurin si futbollist apo edhe si trajner.

Në një intervistë për Gazetën Si, profesor Faruk Sejdini tregon përballjen e parë me Kaizerin në vitin 1971, kur përfaqësuesja jonë u ndesh me atë të Gjermanisë në Karlsruhe. Në atë ndeshje Sejdini ishte ndër më të rinjtë e ekipit dhe i ra detyra për të mbajtur një nga figurat e mëdha të atij ekipi si Overati, apo edhe Bekenbauer.

Po si e kujton ai këtë figurë kaq të madhe të futbollit Botëror? “Përpara se t’i përgjigjem pyetjes tuaj dua të shpreh një keqardhje të madhe për këtë humbje jo vetëm për futbollin gjerman, por edhe për atë europian dhe botëror. Kam luajtur përballë tij për herë të parë në vitin 1971, në Karslruhe, por tek ajo skuadër nuk ishte vetëm ai. Ishin edhe Overat, Netzel, Myler, Mayer dhe shumë të tjerë, ishin një plejadë futbollistësh të mëdhenj.

Të them të drejtën, prania e tij i ndryshonte shumë gjërat në fushë. Emocionet ishin të mëdha përballë atyre lojtarëve me emër të madh jo vetëm në Gjermani, apo në Europë, por në të gjithë botën”, – thotë ish-lojtari i Kombëtarë në vitet ’70.

Faruk Sejdini

“Duhet të pranojmë një gjë: që ne jemi vend i vogël dhe prania apo loja përballë këtyre kolosëve të futbollit botëror ishte kënaqësi shumë e madhe. Sidomos për mua, që isha më i riu i ekipit. Të tjerët ishin me shumë eksperiencë, si Panajot Pano, Sabah Bizi, Ramazan Rragami, Todi Vaso e të tjerë.
Megjithatë, unë po flas për emocionet e mia. Ajo që më bëri përshtypje ishte fakti që kur u futa në fushë, e humba të gjithë atë ide që kisha për ata dhe m’u dukën si lojtarë normalë të kampionatit tonë”, – thotë Sejdini, i cili më pas shton:

“Mua profesor Loro Boriçi më kishte vendosur në atë ndeshje në mesfushë dhe më duhej të mbaja Overatin, kisha detyra speciale për këtë gjë, se në atë kohë ashtu ishte futbolli. Fillova të mendoj: ‘dy këmbë ai, dy këmbë unë, ai kërcen me kokë, kërcej dhe unë me kokë, ka më shumë teknikë se unë, po hajt se do ja gjejmë zgjidhjen dhe kësaj’. Kur i thonë asaj fjalës, doli tanku, doli edhe antitanku.”

Në përfundim të asaj ndeshjeje që Gjermania e fitoi me shifrat 2-0, Federata Gjermane e Futbollit i ftoi të gjithë djemtë e ekipit tonë kombëtar në një ceremoni të veçantë për ikonën e skuadrës gjermane, Franc Bekenbauer.

“Bekenbauer luante mbrojtës i lirë dhe shpesh dilte edhe në sulm, dhe kur e shihja që më vinte përballë, më dukej sikur më vinte një mal, megjithatë në pjesën e parë arritëm të rezistonim 0-0. Më pas ata fituan në pjesën e dytë me rezultatin 2-0.

Kur mbaroi ndeshja, na ftuan në një banket të përbashkët të lojtarëve, por përpara asaj ishte një ceremoni e veçantë për Bekenbauerin, sepse kishte një përvjetor ndeshjesh me kombëtaren. Në atë sallë, veç lojtarëve kishin ardhur të gjithë, kryetari i bashkisë së qytetit, presidenti i federatës, të gjithë figurat e futbollit gjerman. Të gjithë mbajtën fjalime rreth tij.”

Një ndër lojtarët që ai njihte nga ekipi ynë kombëtarë ishte një tjetër emër i madh i futbollit tonë, si Panajot Pano. Faruk Sejdini kujton me emocion fjalët e Kaizerit për sulmuesin e kombëtares shqiptare dhe dhuratën speciale pikërisht për të.

“Kur i erdhi radha atij për të folur, pasi folën të gjithë për të, ai i kushtoi disa minuta Panajot Panos, sepse kishte një respekt të veçantë për Panajotin. E mbaj mend si sot, kishte një kostum të bardhë dhe pasi foli për Panajotin, i dhuroi një çantë të madhe me veshje sporti, tuta, komplete sportive, këpucë, shapka, çdo gjë që duhet të ketë një çantë sporti, nga ato të mirat, se ne nuk kishim asgjë.”

Trajneri i kombëtares shqiptare, Loro Boriçi, ishte një personalitet dhe fakti i tij që dinte disa gjuhë të huaja i dha mundësinë që të komunikonte më tepër me trajnerin legjendar të kombëtares gjermane Shën dhe me Bekenbauerin në atë darkë.

“Të njëjtat si ato na dhanë edhe ne më pas, sepse ne nuk kishim ndonjë farë uniforme, kishim ato që bëheshin te Mjetet Mësimore. Ndërkohë, ai që komunikonte me tepër ishte profesor Loro Boriçi, i cili ishte edhe më i madh edhe më i lirshëm dhe u mblodh bashkë me Shënin e famshëm, trajnerin e kombëtares gjermane dhe Bekenbaurin, duke diskutuar kryesisht me sa mbaj mend për Majerin që ishte portieri i Gjermanisë dhe në atë kohë e mbanin edhe si portierin më të mirë në botë.

Në atë ndeshje, të them të vërtetën, me Gjermaninë luajtëm shumë mirë, pjesa e parë përfundoi në barazim 0-0, ndërkohë që në pjesën e dytë na shënuan dy gola. Profesor Loro e kishte organizuar shumë mirë skuadrën dhe ata vuajtën shumë. Skuadrës gjermane i duhej medoemos fitorja.

Gjërat duhen thënë ashtu si janë, ne në atë ndeshje ishim 5 lojtarët më të ashpër apo më të egër të kampionatit shqiptar, për të mos thënë ndonjë fjalë tjetër. Isha unë, edhe pse i vogël, por isha lojtar titullar i Dinamos, Lakja i Elbasanit, Safet Berisha, Todo Vaso apo Gëzim Kasmi. Po them vetëm emrat e lojtarëve me tipare mbrojtëse të repartit mbrapa, me pak fjalë ne ishim reparti i antitankut”, – shprehet Sejdini.

Franc Bekenbauer, ish-kapiten i Gjermanisë. Gazeta Si, 9 janar 2024

Gocat e Bllokut, në stadium për Bekenbauerin

Bekenbaueri, përveçse një futbollist i madh, ishte dhe një lloj “sex symbol” i atyre viteve falë paraqitjes së tij. Sejdini kujton që për të stadiumi mbushej plot jo vetëm nga meshkujt, por edhe nga femrat dhe kjo nuk ndodhte vetëm në Gjermani, por ashtu ndodhi edhe në Tiranë, kur Bekenbaueri erdhi me përfaqësuesen gjermane.

“Nga sa kuptoja atëherë, i gjithë stadiumi ishte plot dhe dukej sikur të gjithë shkonin për të ndjekur Bekenbauerin nga afër. Sepse ai kishte edhe një veçanti, përveçse ishte një futbollist i madh, ishte dhe shumë simpatik. Kur erdhi në Tiranë atëherë me ekipin në seancën e stërvitjes që bënë te stadiumi “Dinamo” një ditë përpara ndeshjes, ishin rreth 6000 veta tifozë të pranishëm dhe pjesa më e madhe ishin vajzat nga të gjitha gjimnazet e Tiranës, që kishin shkuar për ta parë.

Në fakt, stadiumi ishte i rrethuar me polici, por një pjesë e madhe e atyre fëmijëve që ishin te shkolla “Petro Nini Luarasi”, ishin fëmijë të familjeve të Bllokut dhe ishte vështirë t’i ndalonte policia, kështu që përfituan të gjithë të tjerët dhe hynë në stadium.”

Takimi me Kaizerin si trajner

Profesor Sejdini ka pasur fatin ta takojë edhe në postin e trajnerit Bekenbauerin, kur ai vetë drejtonte Dinamon dhe Kaizeri ishte në krye të stolit të francezëve të Olimpikut të Marsejës. Me skuadrën kampione të Francës kampionët e Shqipërisë u ndeshën në fazën e 1/16-ve të Kupës së Kampioneve në vitin 1990.

“Herën e dytë që e kam takuar ishte në vitin 1990, kur unë isha trajner i Dinamos dhe do të luanim me Olimpikun e Marsejës, skuadër e cila kishte trajner Bekenbauerin. Një ditë përpara ndeshjes, presidenti famshëm i Marsejës na shtroi një darkë, ndërsa Bekenbauer erdhi aty bashkë me bashkëshorten me një avion privat. Ishim në një tavolinë bashkë.

Franc Bekenbauer, një nga emrat më të mëdhenj të futbollit botëror

Në një moment na prezantuan dhe i thanë që vijnë nga Shqipëria, janë skuadra udhëtuese. Ai menjëherë më pyeti sërish për Panajotin. Më pas më pyeti, nëse kisha luajtur në ndonjë ndeshje përballë Gjermanisë. Sigurisht, ai mua nuk më mbante mend, pasi isha shumë i vogël kur luajta në atë ndeshje. Dhe i thashë kam qenë në ndeshjen në Karlsruhe. Më kujtohet ajo ndeshje tha, sepse kemi vuajtur shumë për të fituar. Dhe më pas më tha si ka mundësi që gjithmonë e kemi shumë të vështirë me ju, s’po arrijmë t’ju a gjejmë çelësin.”

Ajo që ishte si një “déjà vu” për Bekenbauerin ishte pikërisht paraqitja dhe mjetet sportive të klubit shqiptar. Dhe profesor Sejdini kujton që edhe në këtë rast, drejtuesit e klubit francez dhe vetë Bekenabaueri i dha një dorë.

“Më pas filloi të më pyeste për situatën në Shqipëri, duke qenë se ishin vitet ’90 dhe kishte ndryshuar dhe regjimi politik. Më pyeti pak në përgjithësi dhe më pas për futbollin. Ajo që i bëri përshtypje atyre ishte paraqitja jonë, që sërish ishte sërish copë-copë dhe na falën edhe në atë ndeshje uniforma dhe materialet e tjera sportive.

Ne ishim po njësoj si në vitet ’70 edhe në vitet ’90, edhe pse kishin kaluar 20 vite ne prapë njësoj. Në kushtet e Migjenit, Luli Vocër,” – përfundon Faruk Sejdini.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë