Menaxhim

Kur do të taksohen banesat e Airbnb? Rama: Nuk është ende momenti (çfarë thotë ligji i ri, si e ka menduar qeveria)

Nga Gazeta ‘SI’ - Pak muaj pasi tha se banesat që jepen me qira afatshkurtër, të llojit Airbnb, kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk ka ardhur ende momenti për t’i taksuar.

Duke folur për destinacionin e 4.2 mld eurove të gjeneruara nga turizmi në Shqipëri, kryeministri tha se një pjesë e tyre ka shkuar pikërisht tek këto familje, që japin apartamentet me qira ditore dhe nuk taksohen.

“Familjet në Tiranë, Durrës, Shkodër dhe vende të tjera që japin me qira apartamentet e tyre, me skemën Airbnb për turistët që nuk shkojnë në hotele, sepse 10 milion turistë nuk përputhen me shtretërit që kemi në hoteleri. Dhe ky fond është një fond i padeklaruar, e cila e gjitha e paprekur shkon te familjet. Qëllimisht në kemi qenë liberal dhe të vetëdijshëm që nuk është ky momenti për të ndërhyrë në këtë pjesë dhe për të ngacmuar familjet”, u shpreh kreu i qeverisë në konferencën për turizmin.

Deklarata e Ramës vjen pas diskutimeve disa mujore për këtë çështje, ku qeveria u tërhoq nga ideja e taksimit të këtyre subjekteve.

Gjithsesi, me ligjin e ri, këto familje nuk janë të pataksuara, thjesht kanë një ngarkesë fiskale më të lehtë nga se ishte parashikuar. Drafti fillestar i ministrisë së Financave, theksonte se këto subjekte duhet  të regjistrohen në QKB dhe më pas u ndryshua, duke theksuar se duhet të pajisen me një certifikatë dhe të ardhurat do t’i deklarojnë si TAP, me anë të formularit DIVA.

Në tetor të 2023-shit, kryeministri Rama shprehej se fluksi i të ardhurave nga Airbnb nuk mund të qëndrojë i pataksuar, ndërkohë që rritet. Në të njëjtin muaj, një email i platformës Booking për pronarët shqiptarë i konfuzoi të gjithë. Atëherë Booking i kërkonte atyre që listonin apartamentet në platformë numrin e NIPT, pasi do të ngarkoheshin me TVSH.

Ideja për të tatuar këtë degë të turizmit është si pjesë e nismës së formalizmit të sektorit në vend, ku autoritetet kanë konfirmuar nëndeklarimet dhe evazionin fiskal.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë