Njerez

Kur “Diktatura” dhe “Propaganda” luhen në realitetin virtual

Sindi Breshani, 24 vjeç, ka marrë Çmimin Women in Games për ekselencë në lojërat e krijuara dhe është zgjedhur gjithashtu si Ambasadore e Women in Games. Ajo do të krijojë një event për të frymëzuar vajzat shqiptare për të zgjedhur “game design” si rrugën e karrierës së tyre.

Sabina Veizaj - Nga periudha e diktaturës kam fotografuar në mendje vdekjen e diktatorit Enver Hoxha, në fakt jo vdekjen e tij në vetë të parë, por të sjelljes së njerëzve ndaj vdekjes së tij.

Kam qenë vetëm tre vjeç dhe ndërmend vrapin në korridorin e katit ku banoja drejt shtëpisë së fqinjës për ta përjetuar kolektivisht ngjarjen me gjithë familjen.

Mandej gjithë ç’ka kam lexuar për atë makabritet të pashoq shoqëror që si sistem totalitar i tillë unik u përjetua vetëm në Shqipëri, nuk e kam përjetuar dot në vetë të parë, me gjithë empatinë që më karakterizon.

Edhe rrëfimet rëngjethëse të At Zef Pëllumit që nga grishja për zhgunin e murrmë dhe konopin me tri nyje të të Vorfnit të Asizit deri tek torturat në burgjet ku lagështira të notonte thellë në kocka dhe dhimbja për lirinë e humbur herë të errësonte diellin dhe të fuste në tunel e herë ta jepte diellin në pëllëmbë të dorës, që të ngrenë peshë, por asesi nuk arrin të zbulosh një mekanizëm të brendshëm për ta përjetuar në vetë të parë.

Ajo e ka gjetur një mënyrë se si këtë periudhë shumë të errët për shoqërinë shqiptare ta bëjë ta përjetojë një 15-20 vjeçar i sotëm, jo vetëm shqiptar, por edhe i huaj.

Ajo është Sindi Breshani, një rioshe nga Vlora, e diplomuar në Londër e cila projekton dhe prodhon lojëra virtuale me tematikë të angazhuar, siç është edhe loja “Diktatura”.

Sindi Breshani

Sindi rrëfen se gjatë procesit kërkimor për të prodhuar këtë lojë ka intervistuar 9 persona, historitë e të cilëve tregohen në lojë nëpërmjet 9 personazheve të ndërtuar bazuar në ta.

Loja nuk tregon Diktaturën si një ngjarje historike, “unë dua të tregoj eksperiencën e atyre që e përjetuan atë periudhë, si një këmbanë alarmi për sistemet totalitare dhe për të mbrojtur demokracinë, të cilës shumë politikanë në Shqipëri dhe botë i kanë shpallur lufte të hapur. E kam trajtuar si dokumentar-lojë dhe jo thjesht dokumentar, pasi dua që audienca të futet brenda diktaturës shqiptare, sikur ta perjetonte atë, pra të jetë një eksperiencë, jo vetëm informacion.”- shpjegon Sindi.

Për të ka qenë shumë e lehtë të gjente historitë, pasi çdo shqiptar që ka jetuar në diktaturë, sipas saj,  ka një histori që duhet të tregohet!

Sindi për të prodhuar lojën ka folur me një prift, të internuar, agjent të dyfishtë, dhe dikë që u burgos për 10 vite në Spcac sepse dëgjonte Celentanon. Pjesa më e vështirë për Sindin ka qenë të krijonte personazhin që do i lidhe të gjitha historitë.

Mandej ajo do të vendoste që lojëtari të futej  në eksperiencë si një Sekretar Partie, pasi, shpjegon ajo,  sekretarët merreshin më shumë me mbeldhjen e informacionit, sesa me vendimmarrje, që e bën interesant marrdhënien e personazhit fiktiv të krijuar nga Sindi me personazhet reale.

“Prandaj Diktatura fillon me mohim: “Çdo histori që do të dëgjosh është reale, e bazuar në përjtimet e njerëzve të cilët jetuan Diktaturën në Shqipëri. Ti, do të jesh fiktiv.”- sqaron ajo.

Ajo çka është e rëndësishme për Sindin në këto momente është që të gjejë një publikues të denjë për Diktatura-n, që do të ndajë të njëjtin vizion me të dhe do e sjellë lojën te lojëtarë nga e gjithë bota, të cilët do të njihen me këtë pjesë të historisë së Shqipërisë. Ajo shpreson gjithashtu që të krijojë kuriozitet te brezat e rinj e të hapë biseda në familje dhe shkollë për të njohur më shumë rreth asaj periudhe.

Do të doja shumë, thotë Sindi, që Diktatura të nxiste në Shqipëri një industri të sukseshme të prodhimit të lojërave virtuale.

Sindi mendon se përfshirja në lojëra, e bën njeriun të përjetojë në vetë të parë ngjarjen, historinë mbi të cilën është krijuar loja.

“Lojërat unë i shoh si metoda të komunikimit të informacionit, njësoj si filmi apo libri, por ndryshe nga ata, ngjarja i ndodh lojtarit, është ai që e drejton. Gjithashtu lojërat janë metodë arti që ndërtohet për një shikues, i cili mund ta shijojë kudo dhe kurdo. Më pëlqen të krijoj lojëra sepse janë shumë multidisiplinare: unë shkruaj, ndërtoj skenat, krijoj personazhe; procesi i krijimit është shumë kreativ dhe bazohet tek si do e presë audienca. Mbi të gjitha më pëlqen të krijoj lojëra sepse bashkëpunoj me artistë të tjerë si animatorë, kompozitorë, zhvillues, etj.”- tregon Sindi.

Lojërat kanë ardhur shumë natyrshëm tek ajo dhe pas një procesi kërkimor të gjatë në rrugën e saj akademike. Ajo ndërmend se ishte në vitin e fundit në bachelor në shtator 2017, kur filloi projektin final të temës së diplomës. Në atë kohë sapo kishte filluar të flitej për problemet e mediave sociale në lidhje me të vërtetën dhe demokracinë. Ajo donte të bënte diçka për çfarë po ndodhte dhe si kërkuese shkencore në fushën e designe (projektimit) rrugëtimi do ti tregonte se nuk mund të vendoste çfarë është e vërteta, por të edukonte  masën për çfarë po ndodhte.

Sindi prezente gjatë luajtjes së "Propaganda"

Ajo që e inspiroi më shumë Sindin ishte teoria e Paulo Freire që thotë se “njerëzit mund të emancipohen vetëm nëse e shohin realitetin e tyre në mënyrë kritike dhe mbi të gjitha, nëse duam të edukojmë dikë duhet t’i japim metodat për ta kuptuar realitetin, në vend që t’i japim kuptimin tonë të realitetit. Lojërat arrijnë t’i nxjerrin njerëzit nga realiteti i tyre dhe t’i fusin në një realitet tjetër, brenda të cilit janë të hapur të eksperimentojnë dhe të krijojnë një botëkuptim ndryshe nga ai që lanë pas. Prandaj si projekt final krijova Propaganda, board game që tregon se si metodat bashkëkohore të propagandës funksionojnë.”

Aktualisht Sindi po punon për të publikuar 3 lojërat e saj, që të gjitha janë në faza të ndryshme të produksionit, me 3 skuadra të ndryshme, dhe me 3 publikues të ndryshëm.

“Mezi po pres t’i publikoj pasi dua të shoh si do të reagojë publiku ndaj lojërave të mia. Gjithashtu marr pjesë në evente arti në galeri, në festivale, konferenca, pasi më pëlqen si artistë të jem sa më afër audiencës dhe të shoh lojërat e mia të luhen, të pëlqehen dhe të urrehen. Loja ime eksperiemntale Propaganda është nominuar nga festivali INDIECADE në California në kategorinë e “Board game of the year”. Festivali është në mes të tetorit.”- rrëfen Sindi.

Kush është shkencëtarja e re në fushën e prodhimit të Lojërave Virtuale?

Sindi Breshani

Sindi Breshani është një e re 24 vjeçare, lindur dhe rritur në qytetin bregdetar të Vlorës.

Ajo ka karakterin e fortë të vendit prej nga vjen dhe brishtësinë e dikujt që dashuron kafshët, për të cilat kontribuon prej më shumë se 7 vitesh në strehimoren për qentë e braktisur e ndërtuar prej nënës së saj inxhiniere.

Ajo e gjen veten më shumë si artiste, sepse titulli i saj i diplomës është Designer, por krijimi ecën paralel në rrugëtimin e saj me kërkimet shkencore për të përplotësuar përmbajtjen tematike të lojërave virtuale.

Sindi është larguar nga Shqipëria në moshën 18 vjeçare për të studiuar Design. Në atë kohë, siç tregon gjatë bisedës, i vetmi design që njihte ishte interior design. Sjo do të aplikonte në 5 universitete në Londer dhe 4 universitete për Interior do ta refuzonin, dhe do ta pranonte vetëm Goldsmiths, që ofronte design kritik dhe konceptual.

Në vitin e fundit të bachelorit, tregon ajo, do të krijonte Propaganda-n dhe në prezantimin e diplomës do ta spikaste Shefi i departamentit të MA Design Informacioni dhe Ekperiencë të Royal College of Art, që është shkolla më e mirë në botë për design, dekani i të cilit është ish designeri i Apple John Ive. Ai do ta ftonte të bënte masterin që drejtonte dhe do ta  kishte supervizor gjatë vitit të parë, gjë që do ta ndihmonte shumë të zhvillonte aftësitë kreative, konceptuale dhe teknike për të krijuar eksperienca interaktive.

“Unë e shoh veten në fushën e artit, ku eksperiencat interaktive dhe lojërat e fusin audiencën në një botë tjetër, ku ata informohen dhe shikojnë në mënyrë kritike realitetin. Primare për mua është produksioni dhe shfaqjet në galeri arti, pasi më pëlqen shumë interaktiviteti me audiencën time. Studimet më pëlqejnë shumë sepse më pëlqen të lexoj dhe të shkruaj, ndërsa mësimdhënia më pëlqen të jetë më shumë në trajtën e ëorkshope-ve se sa një punë me kohë të plotë.”- tregon Sindi.

Në portofolin e saj të eksperiencave ajo shënon publikimin e një esje filozofike  në janar ku krahason një lojë me diktaturën në Shqipëri dhe me realitetin. Aty përdor 4 veçoritë dalluese të një loje (historia, rregullat, feedbacku, pjesëmarrja) për të kuptuar se si ndërtohet një realitet.

Ajo çfarë do të zbulonte nga kërkimi është se njësoj si një lojë që funksionon sepse lojëtari beson në historinë e lojës dhe pranon rregullat e lojës, edhe një realitet, si Diktatura në Shqipëri apo çdo realitet tjetër ekziston sepse ne, individëd, i pranojmë. Këtë e përmbledh edhe filozofi Etienne de la Boetie me idenë e “voluntary servitude”.

Sindi gjithashtu ka marrë Çmimin Women in Games: Portfolio Award vlerësoi 5 studentë nga bota për ekselencë në lojërat e krijuara dhe është zgjedhur si Ambasadore e Women in Games, dhe do të krijojë një event për të inspiruar vajzat shqiptare për të zgjedhur “game design” si rrugën e karrierës së tyre.

“Për mua ishte çmimi i parë që fitoj, prandaj ishte i veçantë. Gjithashtu më dha mundësinë të njihem me shumë femra të tjera që krijojnë lojëra, me të cilat shpresoj të kem bashkëpunime të ndryshme.”- rrëfen Sindi me qetësi dhe modesti.

Një ditë më parë ajo do të merrte pjesë te “Tirana Architecture Week, ku zhvilloi një workshop për “interactive storytelling” dhe bëri një demonstrim live të një demo-je të “Diktaturës”. Dhe audienca mundi ta shkarkonte dhe të luante në kompjuterat e tyre.

Sindi thotë se ndjehet me fat që është nga Shqipëria, pasi i ka dhënë këto historira dhe perspektiva të realitetit, të cilat e kanë nxitur të krijojë këto lojëra.

Kudo ku kam prezantuar, tregon Sindi, historia e Diktaturës pritet me shumë kuriozitet dhe dashamirësi, pasi është një histori e pathënë më parë dhe një perspektivë unike ndaj sistemeve totalitare që po fillojnë të shfaqen në botë.

Ajo do të kontribuojë në Shqipëri, duke shpërndarë çdo gjë që ka mësuar. Do të bashkëpunojë me shumë artistë të talentuar Shqiptarë.

Sindi nuk është rastësisht aty ku është, sepse ka një ombrellë të madhe pas shpatullave që e ka nxitur duke menduar jashtë kornizave të mentalitetit shqiptar, janë prindërit e saj.

“Prindërit e mi më kanë inkurajuar të zgjedh diçka kreative si design edhe pse unë në maturën shtetërore kam marrë 10 në fizikë dhe matematikë dhe doja të studioja inxhinieri. Ata më kanë orientuar drejt designit multidisiplinar sepse e dinin që vetëm aty mund të nxirja gjithë kapacitetin tim kreativ.  Në vitin e fundit të bachelorit, kur më ftoi Royal College of Art për të kryer Masterin te ata, edhe pse unë nuk kisha aplikuar vet, prindërit e mi ishin shumë krenarë. Me çdo arritje të vogël timen, ata reagojnë sikur kam fituar Oscar, por nuk besoj se e kuptojnë shumë mirë se çfarë po bëj.”- tregon Sindi.

Pas 10 vitesh, ajo e sheh veten të ketë krijuar studion e saj ku sëbashku me skuadrën të prodhojnë eksperiencë dhe instalacione interaktive për të treguar historira të vërteta.

Sindi Breshani

Sindi thotë se ndjehet me fat dhe e privilegjuar që ka kthyer në punë pasionin e saj.

Për mua, rrëfen Sindi, pasion tani është bërë kujdesi për shëndetin fizik dhe mendor, prandaj çdo ditë në mengjes mediton dhe bën yoga përpara se të nisë ditën.I pëlqen të vizitojë shtete sa më të ndryshme, ku jeton me komunitetet lokale si murgj budistë në veri të Indisë apo Tributë Quechua në Peru, pasi i pëlqen shumë të përjetojë “culture shock”, shok kulturor.

Në botë Carol Shaw njihet si gruaja e parë që zhvilloi një lojë të publikuar në treg, 3-D Tic-Tac-Toe për Atari 2600 në  vitin1978, megjithëse do të fitonte famë më vonë me titullin e saj River Raid në 1983.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë