Edhe bota e sportit është mjaft aktive në këto ditë vështira për zonën e Durrësit dhe Thumanës. Veçanërisht futbolli është solidarizuar menjëherë me familjet e prekura nga kjo fatkeqësi dhe vazhdon të kontribuojë financiarisht. Nisma e fundit është ajo e institucioneve që drejtojnë futbollin në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoninë e Veriut.
Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, pas një takimi që ka pasur në Durrës me presidentin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, dhe presidentin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut, Muamed Sejdini, ka bërë të ditur se tre federatat marrin përsipër rindërtimin e tre shtëpive të rrënuara nga tërmeti. Por jo vetëm kaq. FSHF-ja do të vazhdojë të japë kontributin e saj edhe në vazhdim për familjet e prekura nga fatkeqësia.

Në “aksion” edhe djemtë e Kombëtares. Përveçse secili prej tyre ka kontribuuar financiarisht për familjet që kanë nevojë për ndihmë këto ditë, ata kanë ndërmarrë një fushatë sensibilizimi për mbledhjen e fondeve që do të shkojnë më pas për zonën e prekur nga tërmeti. Të gjithë futbollistët e Kombëtares kanë shpërndarë në rrjetet sociale thirrjen për të ndihmuar familjet në nevojë. “Ne djemtë e Kombëtares kemi ndërmarrë nismën për të kontribuar financiarisht për të prekurit nga tërmeti shkatërrimtar që goditi Shqipërinë. I ftojmë të gjithë shqiptarët të kontribuojnë në llogarinë e hapur nga grupi. Jemi një skuadër e pandarë dhe së bashku do t’i kalojmë këto momente të vështira”, – shkruajnë lojtarët e Kombëtares, duke postuar edhe numrat e llogarisë.
Vazhdon ndërkohë solidarizimi i shumë e shumë klubeve të huaja të futbollit me fatkeqësinë natyrore që ka goditur ditët e fundit Shqipërinë. Dy klube të mëdha greke, PAOK-u dhe Panathinajkosi, jo vetëm janë solidarizuar, por kanë marrë edhe nisma për mbledhje fondesh që do të vijnë në ndihmë të zonave të prekura.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.