Ngjarje

Kundërshtoi shembjen e shtëpisë, pezullohet policja Blerta Dervishi

Blerta Dervishi, nënë e dy djemve, e cila dje sëbashku me familjarët e tjerë, ishin në betejë me përmbaruesit por dhe efektivët e policisë për të mos lejuar shembjen e shtëpisë, pezullohet përkohësisht nga detyra.
Efektivja prej kohësh punon në patrullën e posaçme të Shqiponjave në policinë e shtetit dhe që prej ditës së djeshme i është njoftuar pezullimi i saj.
“Jam pezulluar nga puna me motivacionin "pengesë për veprimet përmbarimore". Unë aty kam qenë banore. Jam qytetare e thjeshtë, e lirë për të mbrojtur pronën time, e lirë për të mbrojtur familjen time, e lirë për të mbrojtur fëmijët e mi sepse nuk kam ku të shkoj tjetër. Kolegët e mi kanë qarë, kolegët e mi kanë bërë detyrën siç është caktuar, në mënyrën më të mirë të mundshme, unë i përgëzoj, kanë bërë detyrën e tyre, si eprorët edhe efektivët e policisë,” është shprehur efektivja për mediat.

Dje Blerta Dervishi dhe familjarë e saj janë përballur prej 5 orësh me punonjësit e përmbarimit, duke mos lejuar shembjen e shtëpisë së tyre. Në vendimin e gjykatës thuhet se trualli u është rikthyer ish-pronarëve dhe për rrjedhojë IKMT duhet të zbatonte vendimin për shembjen e kësaj banese.
Rezistencës së familjarëve u janë bashkuar dje edhe banorë të tjerë që jetojnë aty afër si dhe qytetarë të tjerë të Tiranës, të cilët janë sensibilizuar me ta. Kjo pronë është sekuestruar në vitin 1939. Avokatët e banorëve shprehen se sipas ligjit nuk mund të kthehen pronat e sekuestruara para vitit 1944. Ata janë shprehur se ndërkohë palët kanë arritur një marrëveshje në vitin 2015 dhe për këtë fakt, Përmbarimi nuk mund të veprojë. Ndër të tjera ata u shprehën kanë paraqitur apelimin e vendimit të zyrës përmbarimore në Gjykatën e Shkallës së Parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë