Ngjarje

Pika 9: Anuloni Ligjin e Arsimit

Sabina Veizaj, Mentor Kasa -Sezoni i ri akademik ka nisur të hënën e 7 janarit me bojkot masiv të auditorëve të universiteteve publike në vend.

Studentët u kanë vënë drynin dyerve të fakulteteve në disa universitete të Tiranës, si dhe kanë varur banderola me hashtagun “Bojkot” në ballë të godinave të auditorëve, ku zyrtarisht këtë të hënë duhet të niste mësimi.

Bllokimi i dyerve hyrëse është bërë për të penguar edhe ata të rinj që janë ndjerë në mëdyshje mes protestës dhe mësimit. Jashtë fakulteteve të Inxhinierisë e të Arkitekturës dhe Urbanistikës kanë mbetur edhe një pjesë e stafit akademik.

Rreth orës 10:00 grupi i parë i studentëve që u mblodh para godinës së Qeverisë ishte nga lëvizja “Për Universitetin”. Gjysmë ore më vonë iu bashkuan me radhë studentët e Filologjikut, të Ekonomikut, Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe të Universitetit Bujqësor të cilët e përshkuan më këmbë rrugën që nga Kamza deri në sheshin përpara Kryeministrisë. Rreth mesditës mbërritën edhe një grup prej 30 studentësh nga Universiteti i Prishtinës, të cilët erdhën me shpenzimet e tyre në Tiranë një ditë më parë dhe e kaluan natën e së djelës në hotel.

https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/2227115130892353/


https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/377514312807669/?epa=SEARCH_BOX

Me një numër më të vogël krahasimisht me kulmin e protestës në muajin dhjetor, protesta e studentëve në ditën e 33 të saj dhe në ditën e parë për 2019-ën, mblodhi prindër, artistë, sindikalistë. Në të erdhën përfaqësues nga protesta e banorëve të “Unazës së Re”, minatorë nga Bulqiza, etj.

https://www.youtube.com/watch?v=wuGzzfruUeY&feature=youtu.be
https://www.youtube.com/watch?v=hUzUtfbAW3E&feature=youtu.be
https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/2549674231770869/?epa=SEARCH_BOX
https://www.facebook.com/gazetasi.al/videos/791105907902140/?epa=SEARCH_BOX


Pavarësisht se ishte artikuluar më herët, kryesisht nga përfaqësuesit e “Lëvizjes për Univeristetin” shfuqizimi i Ligjit të Arsimit të Lartë, të hënën kjo shënoi edhe kërkesën e nëntë zyrtare ndaj qeverisë për t’u plotësuar.

Sipas studentëve, VKM-të urgjente të qeverisë nuk kanë plotësuar asnjë prej kërkesave të studentëve.

“Ashtu siç protesta nisi shumë spontane, ashtu edhe po vazhdon. Nuk na i merrte mendja se një VKM do të nxirrte 20 mijë studentë në shesh, ashtu nuk dimë se çfarë do të ndodhë në vazhdim. Mbetet për t’u parë. Ne kishim 8 kërkesa. Kryeministri tha që nga 8 kam plotësuar 12 kërkesa. Në fakt ai nuk ka plotësuar asnjë kërkesë nga ato. Madje tarifat për bachelor që mendohet të jenë ulur në bazë të VKM-së, janë vetëm për këtë vit. Sa të shuhet zjarri i protestës, vitin e ardhshëm ai do t'i bëjë aq sa ishin. Vitin e kaluar kam paguar 400, këtë vit 200 e vitin tjetër me siguri do të paguaj sërisht 400. Për tarifat e masterit, nuk i ka marrë fare në konsideratë. Ato janë më të shtrenjta dhe më emergjente për t'i ndryshuar. Pavarësisht se sa studentë jemi këtu, protesta do të vazhdojë", thotë Klaudina Kuçi, studente në Fakultetn Juridik e pjesë e Lëvizjes për Universitetin.

Manuela Skura e diplomuar në Fakultetin Filologjik për Histori në nivelin bachelor, megjithëse ka mbaruar me mesatare 9, 57 nuk ka mundur të vijojë masterin. “Nuk e di se si do të shkojnë punët për masterin. Në radhë të parë është tarifa e papërballueshme. Unë kam mbaruar me mesatare 9,57 dhe nuk dua të shkoj për mësuesi. Dua të merrem me kërkime, studime të thelluara që të sjell ndryshime në këtë vend. Unë duhet të kisha marrë bursën e ekselencës, por nuk ka ndodhur,” thotë për Gazetën “Si” Manuela. Më herët ajo klishte marrë megafonin për t'i dërguar mesazhe kryeministrit Rama, duke u shprehur se protesta do të vijojë me veprimet, por se cilat janë ato veprime, Manuela thotë se do të jenë surprizë.

Albina Ruko, vajza që ka kryesuar protestën për “Lëvizjen për Univeristetin” e cila është studente e Fakultetit të Shkencave Sociale, dega sociologji thotë për Gazetën “Si” se “Pika e parë; përgjysmimi i tarifave për të gjitha nivelet e studimit është miratuar vetëm përgjysmim tarifash vetëm për bachelorin, vetëm për këtë vit dhe vitin tjetër shohim e bëjmë. Kjo është e papranueshme. Ne duam të përgjysmohen tarifat edhe për masterin. Janë shumë të shtrenjta dhe të papërballueshme. 1 mln 850 mijë lekë në vit. Përpos kostove të tjera universitare.”

Albina Ruko

Studentët në protestë kanë sfiduar kryeministrin Rama me një Kundër-Pakt për Universitetin, ose metodologji të realizimit të kërkesave zyrtare të studentëve duke iu drejtuar Kuvendit, Ministres së Arsimit dhe Universiteteve Publike.

Klaudina Kuçi thekson se pa plotësimin e kërkesave, dialogu do të vazhdojë të jetë jashtë konsideratës së tyre. “Kryeministri ka thënë se ka bërë dialog me studentët. Por nëqoftëse ai do të kishte dialoguar me studentët, do të kishte hedhur poshtë Ligjin për Arsimin e Lartë. 8 kërkesat janë pjellë e atij ligji. Nëse ai shfuqizon ligjin, le të vijë të dialogojë për kushtet e ligjit të ri. Ky është i vetmi negocim”, thotë ajo.


Albina bën me dije se “ne do të vazhdojmë të protestojmë në një kohë të pacaktuar. Nuk do të ketë përfaqësi dhe as dialog me Z. Rama. Për aq kohë sa nuk kemi një organizator, jemi shumë më të fort. Të gjithë e dimë që nëse zgjidhet një kryesi drejtuese, ajo do të ishte lehtësisht e manipulueshme dhe e korruptueshme.”

Adem Krasniqi nga Universiteti i Prishtinës, Fakulteti Juridik, ish-kryetar i Këshillit Studentor në Universitetin e Prishtinës dhe student ekselent në përfundim të masterit thotë për Gazetën “Si” se kauza e studentëve të Shqipërisë është mëse legjitime. “Ne marrim një bursë 600 euro si studentë ekselentë. Që është mjaft e vogël për harxhimet që kemi. Edhe pse tarifat tek ne janë të ulëta, bursat janë të pamjaftueshme. Kurse në Shqipëri tarifat janë shumë të larta. Kjo kauzë e studentëve shqiptarë është brohoritur brenda dhe jashtë kufijve; e shkundi edhe Kosovën përveçse Shqipërinë. Është kauzë shumë e sinqertë dhe moralisht jemi të gjithë këtu me studentët e Shqipërisë”, shprehet Adem Krasniqi. "Nga 30 veta që mbërritëm në Tiranë, nëse është nevoja, do të vijmë edhe më shumë. Sot të gjithë jemi të njohur me njëri-tjetrin, sot më shumë se kurrë na duhet bashkimi. Shqiptarët kanë nevojë për bashkim më shumë se kurrë. Meqënëse kryeministri po e bashkon Shqipërinë me Kosovën, edhe ne na duhet bashkim si studentë. Kauza e tyre është shumë e drejtë. Këta po kërkojnë të drejta dhe kushte themeltare. Nuk di pse bëhet kaq e madhe dhe pse nuk ua plotësojnë”, thotë Krasniqi

Studentët janë shprehur se “përsa kohë mësimi është bojkotuar në të gjithë auditorët e universiteteve publike shqiptare, protesta jonë është masive”.
Grupe dhe faqe të ndryshme në rrjetet sociale prej disa ditësh postojnë thirrje për tubim, por jo të gjitha kërkuan që tubimi të zhvillohej para Kryeministrisë, pikërisht aty ku u mbyll në 2019.

E përbashkëta e të gjithë postimeve ishte se ato bënin thirrje për t’u grumbulluar në fakultetet përkatëse dhe më pas nisja e marshimit të bëhej në drejtim të Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Këtu fillonte edhe ndasia. Një pjesë e organizatorëve duket se kërkonte që protesta të mos zhvillohet para Kryeministrisë, por në Sheshin “Nënë Tereza”.

Gazeta “Si” kontaktoi me një grup studentësh të Arkitekturës, aty ku nisi gjithçka. Studentët na thanë se nuk kanë pasur ndonjë preferencë të veçantë mes Sheshit “Nënë Tereza” dhe Bulevardit para Kryeministrisë.

“Rëndësi ka që të jemi me një zë në thirrjet për plotësimin e kërkesave tona dhe të jemi sa më shumë në protestë”, thanë ata.

Por ka nga ata që u janë druajtur përfshirjes së forumeve rinore partiake dhe partizimit të protestës. “Tek sheshi Nënë Tereza është edhe Rektorati, që është një prej përgjegjësve kryesorë për gjendjen e arsimit të lartë në vend, ndaj protesta aty qëndron”, deklaruan ata.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë