Futboll

Kumbulla: Të rinjtë shqiptarë më ambiciozë, krenar për origjinën time

Mbrojtësi shqiptar i Veronës, Marash Kumbulla, 20 vjeç, është në qendër të merkatos. Ai i pëlqen Interit dhe Juventusit, por edhe shumë klubeve të tjera në Serinë A dhe të kampionateve të tjera. Mbrojtësi që e thërrasin “Max”, por edhe “Kumbu”, ka veshur gjithmonë fanellën e Veronës. Ka lindur në Peskiera del Garda në një familje shqiptare që kishte emigruar në Itali që në vitet ‘90 dhe tani ka në pronësi një restorant. Shkolla italiane e futbollit dhe mentaliteti i vendit të origjinës e kanë bërë këtë 20-vjeçar shumë të fortë, një dëshirë të Juventusit, Interit, Napolit dhe Lacios. Për “Corriere della Sera”, Kumbulla ka dhënë këtë intervistë:

Artikulli i "Corriere della Sera" për Kumbullën. Gazeta Si, 5 prill 2020

Babai juaj ju ka përkufizuar si “shumë serioz” për moshën që keni, ndërsa trajneri Juriç ka thënë se “jeni burrë që tani”. E gjeni veten te këto fjalë?
Jam shumë serioz, është e vërtetë, por atëherë kur duhet. Di shumë mirë edhe të argëtohem. Babai im dhe trajneri Juriç mendoj se kanë parasysh faktin e thjeshtë se jam i pjekur për moshën që kam.

De Biazi, kur ishte trajner i Shqipërisë, ka thënë se të rinjtë shqiptarë kanë më shumë uri se italianët. Ju si mendoni?
Le të themi se të rinjtë shqiptarë vijnë nga një kulturë ndryshe, që ndoshta i lejon ata të kenë më shumë stimuj dhe më shumë ambicie për të ardhmen e tyre.
Rrënjët tuaja nga Shqipëria, çfarë ju japin më shumë?
Më transmetojnë një ndjenjë të fortë të përkatësisë dhe traditës e historisë së popullit tim. Është një ndjenjë që më shtyn të jap gjithmonë maksimumin.
Çfarë keni menduar, kur dëgjuat se kryeministri Rama ka dërguar 30 mjekë në Itali?
Jam ndjerë krenar për këtë gjest në një moment të vështirë për Italinë, që ka qenë gjithmonë në krah të Shqipërisë, sa herë që Shqipëria ka pasur nevojë. E falënderoj atë dhe mjekët që kanë ardhur në Itali.

Kumbulla në dyluftim me Kastilehon e Milanit. Gazeta Si, 5 prill 2020

Si ndiheni që luani në Serinë A me fanellën që keni veshur që fëmijë?
Mendoj se është ëndrra e të gjithëve. Është e vështirë që të arrish majën dhe kur e bën me skuadrën ku ke filluar gjithçka, është diçka e papërshkruar.
Ju kujtohet era e parë, kur keni thënë “dua të bëhem futbollist”?
Isha 10-11 vjeç, kur kuptova vërtet se ajo që doja të bëja, ishte të bëhesha një futbollist profesionist. E kisha pasion.
Po hera e parë kur menduat “ia dola”?
Kur shënova golin tim të parë në Serinë A. Shënova me kokë ndaj Sampdorias, ishte një moment i veçantë për mua.

Është e vërtetë që keni pasur posterin e Kielinit në dhomë kur ishit i vogël?
Po, e kam admiruar gjithmonë grintën e tij dhe dëshirën për të qenë gjithmonë ndër më të mirët. Ai është një luftëtar i rrallë në fushë.
Pas Juventusit, Interit dhe Lacios, mbrojtja më e mirë është ajo e Veronës, ndërsa në verë ju konsideronin të mbaruar… Fakti që ju vlerësonin të dobët, ju ka shërbyer si një stimul më shumë?
Na ka bërë të punojmë më shumë se të tjerët, por e dinim se nuk ishim të dobët dhe aq më tepër të mbaruar.
Cili është sekreti i kësaj skuadre solide?
Jemi një grup shumë i bashkuar, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj. Dhe ky aspekt të ndihmon shumë që të japësh më të mirën në fushë.
Juriç duket një trajner që është i aftë të marrë diçka speciale nga lojtarët. Është kështu?
I transmeton shumë mirë idetë e tij, e di shumë mirë se sa duhet karikuar skuadra. E falënderoj gjithmonë për besimin që më ka dhënë, ashtu si dhe drejtorin sportiv Toni D’Amiko, i cili ka qenë i pari që ka besuar tek unë edhe në momentet më të vështira që kam kaluar.

Kumbulla në një dyluftim gjatë ndeshjes me Udinezen. Gazeta Si, 5 prill 2020

Çfarë ka marrë nga ju trajneri Juriç, që edhe ju vetë nuk ishit i sigurt se e kishit?
Frymën e konkurrencës, që ndoshta e dija që e kisha, por ndoshta vitin e fundit sikur ishte zbehur.
Mbrëmja e 20-vjetorit tuaj, 8 shkurti, vështirë të harrohet?
Ishte mbrëmja më e bukur e jetës sime, sepse festova me fitoren ndaj Juventusit. Shënova edhe gol, por që u anulua nga VAR-i. Pas asaj ndeshjeje nuk arrita të fle, për shkak të adrenalinës që kisha. Atë ndeshje do ta mbaj gjithmonë në zemër.
Sulmuesi që ju ka vënë më shumë në vështirësi?
Dibala, për karakteristikat teknike dhe fizike, është i pakontrollueshëm.

Keni luajtur në pjesën më të madhe të ndeshjeve në mbrojtjen me 3, në qendër dhe në të majtë. Ku ndiheni më mirë?
Në të majtë, sepse kam edhe një lloj lirie për të dalë përpara.
Në këtë periudhë izolimi, keni mësuar ndonjë gjë të re?
Kam mësuar të gatuaj ndonjë pjatë, si “rizoto al tastasal”, një specialitet veronez me mish derri të grirë.
Cila është ëndrra juaj si futbollist?
Të luaj në Champions League.
Po si njeri?
Të krijoj familjen time dhe të bëj të lumtur njerëzit që më duan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë