Ngjarje

Kumbaro porosi prefektëve për sezonin turistik: Monitoroni territorin

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro mblodhi këtë të premte në një takim prefektët e 12 qarqeve të vendit për t’u komunikuar prioritetet mbi mbarëvajtjen e sezonit veror të vitit 2024.

Kumbaro bëri me dije se një vit më parë Shqipëria priti 10.1 milionë vizitorë të huaj dhe për 3 muajt e parë të këtij vitit, shifrat flasin për 60% më shumë flukse hyrëse, “prandaj mobilizimi, monitorimi i territorit dhe komunikimi ndërinstitucional janë thelbësore për ecurinë e procesit”, u shpreh ajo.

Ne lidhje me bashkitë që kanë vijë bregdetare, ministrja u theksoi se ka përfunduar procesi i ndarjes së stacioneve të plazheve dhe gjithashtu ka kaluar në Këshillin Kombëtar të Territorit vendimi për miratimin e ndërtimit të strukturave të përkohshme të shërbimit ose ato që quhen ndryshe “beach-bare”.

“Çdo bashki ka marrë listën me subjektet e miratuara, çka i jep mundësinë Agjencisë Kombëtare të Bregdetit të lidhë kontratat definitive dhe subjektet të fillojnë të ndërtojnë beach-baret”.

Sipas Kumbaros, IKMT-ja do të jetë në territor për të verifikuar që leja e dhënë për një strukturë të lehtë të çmontueshme të mos kthehet në beton.

“Janë leje të përkohshme ndërtimi. Iku koha kur fillohej me një barakë dhe përfundohej me një pallat. Këtu nuk do të ketë tolerancë”, u shpreh ministrja Kumbaro duke theksuar gjithashtu të rëndësishme që kontrolli i territorit të bëhet tani, në mënyrë që atje ku ka paligjshmëri të ndërhyhet përpara se të shtohet fluksi turistik.

Kumbaro u  ndal edhe tek subjektet që operojnë si operatorë turistikë detarë, të cilët nuk do të lejohen të ushtrojnë aktivitetin e tyre nëse nuk janë të pajisur me certifikatë nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit.

“Asnjë operator që nuk është i pajisur me certifikatën e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit nuk do të lejohet të kryejë këtë aktivitet. Policia e shtetit në bashkëpunim me flotën e dedikuar të policisë kufitare do të jetë në territor gjatë gjithë kohës për t’i kontrolluar”, u shpreh ministrja Kumbaro.

Ndër të tjera, ministrja vuri në dukje se fokusi këtë vit do të jetë pastërtia dhe menaxhimi i mbetjeve, sidomos në bashkitë bregdetare.

“Është detyrë e drejtpërdrejtë e bashkive. Për sa i përket bashkisë Himarë, Sarandë, Vlorë, Rrogozhinë, Kavajë, bashkia Durrës dhe bashkia Shkodër, këtë vit do të jenë pjesë e operacionit “Plazhe të Pastra” ku nga data 15 qershor deri në datën 15 shtator, Agjencia Kombëtare e Bregdetit do të dublojë, do të dyfishojë kapacitetin e pastrimit me një operator suplementar”.

Porosi e veçantë e ministres Kumbaro në këtë takim me prefektët ishin edhe tabelat orientuese në hyrjet dhe rrugët e qytetit si dhe përmirësimi i sistemit të informacionit digjital që u lehtëson aksesin dhe komunikimin vizitorëve të huaj.

Nga ana tjetër, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit preku problematikën e incidenteve që ndodhin kryesisht në zonat malore të vendit, duke kërkuar nga përfaqësuesit në takim që të shpërndajnë informacionin mbi guidat lokale të certifikuara që ofrojnë shërbimin e tyre në terren.

Në fund të takimit, Kumbaro u shpreh se problem gjatë sezonit veror mund të jenë edhe zjarret, ku përveç shërbimit zjarrfikës duhet të mobilizohen të gjithë aktorët institucional për t’i shkuar në ndihmë asaj bashkie që po përballet me këtë shqetësim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë