Ngjarje

Kumbaro: Pas mesnatës nuk do lejohet muzika në lokale, bashkitë do përcaktojnë hartën e zhurmave

Nga Gazeta Si- Pas përfundimit të mbledhjes se Këshillit të Ministrave, ministrja Mirela Kumbaro tha se një nga vendimet e qeverisë ishte edhe miratimi i amendimit për zhurmat në mjedis.

Kumbaro tha se është vendosur që të caktohen zonat që duhet të jenë të qeta dhe ato ku mund të zhvillohen aktivitete dhe se fashat orare do të jenë nga ora 12 e drekës deri në 12 të natës.

“Miratuam amendimet për zhurmat në mjedis. Edhe një vit më parë, një nga gjërat që kishim më shumë problem ishte ndotja akustike për shkak të muzikës së lartë në lokale e restorante. I dhamë zgjidhje dhe bëmë amendimin në ligjin për zhurmat”, tha Kumbaro duke shtuar se një pjesë e Policisë së Shtetit do të kontrollojë ndotjen akustike dhe oraret.

Me hyrje në fuqi të këtij ligji, bashkitë do të përcaktojnë hartën e zhurmave dhe do të caktohen zonat që duhet të jenë të qeta dhe ato ku mund të zhvillohen aktivitete.

“Fashat orare për sezonin e verës për aktivitetet muzikore do të jenë nga ora 12 e drekës deri në 12 të natës dhe në përputhje me hartëzimin e bërë nga bashkia”, thotë Kumbaro.

Më pas, në përputhje me hartën, policia do të penalizojë subjektet që nuk respektojnë normat.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë