Të trallisesh nga penelatat e një Pikasoje apo të ëndërrosh me sy hapur mbi kolltukun e vogël të një kinemaje, nuk është thjesht bukur. Është edhe e shëndetshme. Po ashtu edhe frekuentimi i muzeve, teatrove dhe koncerteve. Sepse kultura është një “medikament” i vërtetë, e aftë të parandalojë dhe kurojë sëmundje të trupit dhe mendjes. Mjaft ta marrësh me doza të rregullta për të përftuar të mirat, që mund edhe të konkurrojnë efektin e mjekimeve tradicionale.
Muze, koncerte, shfaqje teatrore. Tashmë është vërtetuar: mbajnë sëmundjet larg.

Këtë e dinë mirë jakat e bardha të Shoqatës së mjekëve frankofonë kanadeze, që prej disa kohësh kanë nisur t’u rekomandojnë vizita në muze pacientëve të tyre, falë një marrëveshjeje me Muzeun e Arteve të Bukura në Montreal, që garanton hyrjen falas për të sëmurët, edhe shoqëruesit e tyre, që vuajnë nga një spektër i gjerë sëmundjesh; nga diabeti tek depresioni, nga kanceri tek dhimbjet kronike.

Projekti pilot që do të zgjasë një vit, është i pari në botë dhe hyn në një radhë të re mjekësie që e sheh kulturën si një instrument të fuqishëm të parandalimit dhe kurimit, për t’u rekomanduar njësoj si një dietë e shëndetshme apo një ushtrim i rregullt fizik. Të parët që nuhatën potencialin ishin vendet skandinave, rreth dhjetë vjet më parë: Finlanda madje, i dha jetë një programi të titulluar Taiku, art dhe kulturë për shëndetin dhe mirëqenien e popullsisë, që kishte një projekt kulturor të studiuar enkas për çdo njeri të shtruar në spital.
Provat e efikasitetit
Muzikë, vallëzim, kinema, art. Çdolloj formulimi i “medikamentit” kulturë ia detyron efikasitetin e vet parimeve të fuqishme aktive: bukuria, stimulimi intelektual, çlodhja, socializimi dhe lëvizja. Një përzierje shpërthyese e aftë të pastrojë rrezikun e depresionit, siç tregon një studim i kohëve të fundit, botuar nga Revista Britanike e Psikiatrisë, nga kërkuesit shkencorë të Kolegjit Universitar të Londrës: i kryer tek më shumë se dymijë gra dhe burra mbi pesëdhjetë vjeç, të ndjekur në një dhjetëvjeçar, ka treguar se t’i dedikohesh aktiviteteve kulturore njëherë në muaj, mund të ulë rrezikun e depresionit me 48 përqind.

Për të parë rezultatet e para nuk duhet të presësh vite: efektet janë të dukshme edhe pas një përvoje disa orëshe, siç tregon eksperimenti i kryer në Itali me mbi njëqind vullnetarë ( mes 19 dhe 81 vjeç) të çuar në një lartësi prej 63 metrash për të vizituar afresket e kubesë më të madhe të botës, atë të tempullit të Vicoforte-së, në Kuneo. “Ekspozimi ndaj bukurisë ka përcaktuar efekte përfituese të menjëhershme, që kemi mundur t’i masim në mënyrë rigoroze”, shpjegon koordinatori i studimit, Enzo Grossi, drejtor shkencor i Fondacionit Vila Santa Maria, prej vitesh i angazhuar me studimin e raportit mes artit dhe shëndetit.

“Vizita në kube rriti mirëqenien e perceptuar nga pjesëmarrësit, duke ulur me 60 përqind përqendrimin e kortizolit, hormoni i stresit, i matur në pështymë. Një rezultat shumë domethënës, nëse mendojmë që nivelet e larta të kortizolit me kohën dëmtojnë trurin, duke i hapur rrugë depresionit dhe Alzheimerit.”
Çfarë i ndodh trurit
U deshën teknikat më të sofistikuara të neuroimazherisë për të zbuluar mekanizmin, me të cilin “medikamenti” kulturë vepron në trurin tonë. “Ndizen disa neurone specifike që korteksit orbito-ballor”, saktëson doktor Grossi. “Me t’u aktivizuar, kjo qendër cerebrale e bukurisë prodhon molekula sinjalizuese si endorfina, përgjegjëse për lumturinë, dopamina, që shkakton kënaqësinë dhe oksitocina, hormoni i dashurisë.

Këta neurotransmetues veprojnë në qendrat më të lashta të trurit tonë, ato që rregullojnë funksionet jetësore si frymëmarrja dhe rrahja e zemrës, duke ulur stresin dhe rrezikun kardiovaskular. Për më tepër, përmes rrjetit limfatik që lidh trurin me sistemin imunitar, kultura arrin edhe të përforcojë mbrojtjet kundër rreziqeve të jashtme, si viruset dhe bakteret, por edhe ato të brendshmet, si tumoret dhe sëmundjet degjenerative.

Një terapi e dobishme për të gjithë
Të gjithë mund të përfitojnë nga këto efekte, siç nënvizon Gabriella Bottini, profesore e neuroshkencave konjitive, në Universitetin e Pavias dhe drejtore e Qendrës së Neuropsikologjisë Konjitive të spitalit Niguarda, të Milanos: “Aktivitetet kulturore i bëjnë mirë çdo moshe. Favorizojnë zhvillimin konjitiv tek fëmijët, parandalojnë abuzimin me alkoolin dhe drogat tek adoleshentët, duke i ndihmuar të angazhohen dobishëm në kohën e lirë, çlodhin të rriturit e stresuar nga angazhimet e përditshme dhe mbajnë aktiv trurin e atyre që i kanë kaluar të pesëdhjetat.”

Dhe, siç dëshmojnë përvojat e terapisë së artit të realizuara në shumë spitale, kultura mund të jetë një instrument i fuqishëm edhe për atë që vuan nga sëmundje neurodegjenerative si Alzheimeri, patologji mendore si depresioni, psikozat, skizofrenia, shqetësime në të mësuar dhe në sferën emocionale, por edhe sëmundje kardiovaskulare, tumore dhe paaftësi me kufizime motorike.

“Për këta paciente kryhen eksperimentime të vërteta shkencore për të zbuluar aktivitetet kulturore më të përshtatshme dhe “dozat” e duhura. Sepse, sekreti qëndron pikërisht tek të praktikuarit e aktiviteteve kulturore me një masë, por në mënyrë të rregullt, ashtu si sporti”, saktëson Gabriella Bottini.“Dhe, për të maksimizuar përfitimet, më mirë të përgatitesh paraprakisht për atë që do të shkosh të shohësh: të dish të interpretosh domethënien e bukurisë ndez edhe më shumë trurin tonë, duke rritur kuptimin e kënaqësisë dhe efektet që shkakton në trup”, përfundon Enzo Grossi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




