Ngjarje

Kufoma e të riut e gjetur në Kolonjë, policia nis hetimet për vrasje

Gazeta Si - Policia ka nisur hetimin për vrasje për trupin e pajetë të gjetur në Kreshovë të Ersekës, që dyshohet të jetë i 28-vjeçarit Sherif Mukaj.

Ai ishte zhdukur që nëntorin e shkuar dhe trupi i gjet i dekompozuar nga disa barinj të zonës.

Pranë trupit të të riut, u gjet çelësi i shtëpisë së tij dhe një celular Nokia i vjetër.

Këtë të hënë, policia njofton se nga këqyrja e viktimës në pjesën e kafkës, është konstatuar një vrimë tejshpuese që dyshohet të jetë shkaktuar nga arma e zjarrit.

Hetuesit dyshojnë për vrasje, megjithatë përgjigjen përfundimtare do ta japë ekspertiza mjeko-ligjore.

Por në vendin ku u gjet trupi i pajetë nuk u konstatua asnjë gëzhojë apo predhë arme zjarri, çka ngre dyshimet se i riu mund të jetë ekzekutuar në vend tjetër dhe më pas trupi i është hedhur aty ku u gjet.

Pavarësisht dyshimeve se kufoma i përket Sherif Mukajt, do të jetë ekspertiza e mjeko-ligjorëve që do të konfirmojë shkencërisht identitetin e viktimës.

Lidhur me këtë ngjarje policia po heton për veprën penale të vrasjes me paramendim.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë