Ngjarje

Kufijtë shqiptarë ruhen nga FRONTEX. Çfarë përfitojmë?

Jeni me fat sepse po vendoseni në një vend ku 93% për qind e qytetarëve janë në dashuri më Bashkimin Europian”. Me këto fjalë, kryeministri Edi Rama mirëpriti në Tiranë pesëdhjetë oficerët e Agjencisë së Gardës Kufitare dhe Rojeve Bregdetare të Bashkimit Europian. Që sot, kufijtë shtetëror të Shqipërisë do të ruhen nga FRONTEX, duke u bërë kështu vendi i parë jo anëtar i BE-së që ruhet nga agjencia europiane. Përkrah Komisionerit Dimitris Avramopoulos, të cilin e konsideroi si një nga miqtë më të mëdhenj të Shqipërisë, kryeministri e konsideroi marrëveshjen me FRONTEX si një arritje historike, që do ta çonte Shqipërinë edhe më pranë unionit. Por përse zgjodhi FRONTEX pikërisht vendin tonë dhe çfarë përfiton Shqipëria nga ky bashkëpunim?

Si do të operojnë agjentët e FRONTEX në Shqipëri?

Sipas Drejtorit Ekzekutiv të FRONTEX, Fabrice Leggeri, qëllimi kryesor i operacionit është kontrolli i flukseve të emigrantëve, krimit ndërkufitar, duke përfshirë trafikimi e emigrantëve, trafikimin e qenieve njerëzore dhe terrorizmin. “Rojet kufitare nga e gjithë Europa do të punojnë krah për krah me kolegët e tyre shqiptarë në kufirin e Shqipërisë me Greqinë”, theksoi Leggeri.

Përveç 50 oficerëve, agjencia europiane ka vendosur në pikat kufitare të Kakavijës dhe Kapshticës 16 makina patrulluese dhe një fugon patrullues. Oficerët vinin nga Austria, Kroacia, Çekia, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Letonia, Holanda, Rumania, Polonia dhe Sllovenia.

Sipas marrëveshjes, FRONTEX do të ketë “kompetenca ekzekutive” dhe do të lejohet të veprojë kundër emigracionit të paligjshëm dhe krimit ndërkufitar, siç është trafiku i drogës. Agjentët kufitare do të duhet ta mbajnë uniformën e tyre gjatë kryerjes së detyrave dhe ushtrimit të kompetencave të tyre. Gjithashtu, anëtarët e ekipit do të mbajnë identifikim personal të dukshëm dhe një shirit krahu ngjyre blu me shenjat dalluese të Bashkimit Evropian dhe të Agjencisë, duke mbajtur edhe një dokument identifikimi. Gjatë kryerjes së detyrave anëtarët e ekipit mund të mbajnë armë shërbimi, municione dhe pajisje të autorizuara sipas ligjit kombëtar shqiptar.

Ceremonia e nisjes së operacionit të FRONTEX

Lufta kundër krimit të organizuar

Si ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, ashtu edhe kreu ekzekutiv i FRONTEX-it theksuan në fjalimet e tyre se vendosja e policisë së BE-së në vendin tonë do të ndihmojë edhe në luftën krimit të organizuar.

Lleshaj tha se ky bashkëpunim do të shtojë sigurinë mes kufijve të Shqipërisë dhe vendeve të tjera.

“Ky model bashkëpunimi po shërben si potencial për të vijuar bashkëpunimet edhe në luftën kundër krimit të organizuar. Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme dhe Policia janë të angazhuara për të dhënë kontributin në këtë mision. Ky operacion fillon sot dhe për suksesin e tij nuk mund të këtë asnjë pikë dyshimi”, theksoi ministri.
Një ditë përpara ceremonisë së mirëseardhjes së agjentëve të FRONTEX, Shqipëria u identifikua edhe si burimi kryesor i kanabisit nga Nisma Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar. Raporti i kësaj organizate thekson se grupe të krimit të organizuar jo vetëm që bëjnë trafikun në vendet fqinje me BE-në, por bëjnë edhe shpërndarjen e drogës nëpër të gjithë rajonin. Shpesh transporti i lëndës narkotike bëhet edhe përmes kufirit të gjelbër me Greqinë, ashtu siç ishte rasti i një bande që ra në prangat e Policisë Shqiptare në fillim të këtij muaji.

Grupi kriminal bënte trafikun e kanabisit nga Shqipëria drejt Greqisë përmes kufirit të gjelbër dhe shfrytëzonte lidhjet me kriminelë në të dy vendet. Lënda narkotike transportohej kryesisht nga Igumenica në Greqi, më tej me automjete drejt Athinës, ku bëhej edhe shpërndarja e kanabisit. Në total, që nga viti 2018, kur nisi hetimi i përbashkët i policisë shqiptare dhe asaj greke, janë zbuluar 15 raste të trafikut të drogës dhe janë arrestuar 61 persona.

Trafikimi i kanabisit nga Shqipëria në Greqi, për t’u shpërndarë më pas vendet e tjera të Europës arriti shifra rekord në vitet 2016-2017, periudhë në të cilën Shqipëria u kthye në burimin kryesor të furnizimit me Kanabis Sativa në Europë. Mediat greke shkruanin se në gjashtëmujorin e parë të 2017-s, shërbimet e ndjekjes kundër drogës sekuestruan 6,8 tonë kanabis me prejardhje nga Shqipëria. Ndërsa në 2016, sasia e drogës e ardhur po nga Shqipëria që u sekuestrua, ishte 8,4 tonë.

Drejtori Ekzekutiv I FRONTEX, Fabrice Leggeri

Shqipëria udhëkryq për emigrantët?

Nga ana tjetër, vendosja e oficerëve të FRONTEX në Shqipëri vjen në një kohë kur Ballkani Perëndimor është kthyer në një shteg për emigrantët që kërkojnë të hyjnë në vendet e BE-së. Rruga Ballkanike që përdorej nga refugjatët për të arritur në Europën Perëndimore nga Turqia dhe Greqia, ka ndryshuar, duke kaluar nga Shqipëria, Mali i Zi, dhe Bosnja, ku duket se janë mbledhur mijëra emigrantë.

Kufiri shqiptar është vetëm një orë larg nga Janina prandaj të gjithë emigrantët që duan të udhëtojnë nga Greqia për në Ballkan, zgjedhin këtë shteg. Rojet e FRONTEX u vendosën për herë të parë në Shqipëri korrikun e kaluar duke patrulluar tanimë kufijtë me Greqinë, në mënyrë që të parandalonin emigracionin e paligjshëm, por edhe të evidentonin rastet e trafikut të qenieve njerëzore.

Zakonisht emigrantët hyjnë në këmbë nga kufiri grek dhe nëse kapen nga rojet kufitare shqiptare dërgohen me autobus drejt Tiranës, ku pushojnë për disa ditë në qendrën e strehimit të refugjatëve në Babrru dhe se pastaj vazhdojnë udhëtimin drejt Bosnjës apo Malit të Zi.

Kryeministri Edi Rama

Në bazë të marrëveshjes së firmosur mes qeverisë shqiptare dhe FRONTEX parashikohet që pjesëtarë të kësaj agjencie të kontrollojnë kufirin shqiptar me qëllim parandalimin e emigracionit të paligjshëm që kryesisht vijnë nga vendet e Azisë, Siria, Afganistani apo nga shtetet që kanë qenë në konflikte.
Anëtarët e ekipit të përbashkët kanë të drejtën për të kryer operacione që kanë për qëllim parandalimin e trafikut të paligjshëm të emigrantëve, madje duke pasur dhe të drejtën t’i kthejnë të paligjshmit drejt vendeve të origjinës.

Rama: Shqipëria nuk është më burim emigracioni

Një ndër arsyet e vendosjes së Rojeve Kufitare Europiane në vendin tonë duket të jetë edhe fakti se disa nga vendet anëtare janë ankuar për rritjen e numrit të emigrantëve shqiptarë. Vendimi më drastik erdhi nga Holanda, e cila ka kërkuar rikthimin e vizave me Shqipërinë për shkak të rritjes së kriminalitetit shqiptar.

Përgjatë muajve të fundit, Policia holandeze ka ngritur shqetësimin se sheh se bandat shqiptarët po blejnë tonelata kokainë në Amerikën e Jugut dhe po krijojnë rrjete të fuqishme shpërndarjeje nga Holanda në vende të tjera europiane.

Po ashtu në vitin 2015 pati një fluks të pashembullt të shtetasve shqiptarë që aplikuan për azil kryesisht në Gjermani e Francë. Kjo detyroi autoritetet e vendeve të prekura që të shtojnë komunikimin me Tiranën për të parandaluar këtë fenomen. Menjëherë nisi një fushatë informimi edhe nga Bashkimi Europian, ku theksohej se Shqipëria bënte pjesë tek vendet e origjinës të sigurta dhe shtetasit e saj nuk mund të përfitonin azil. Megjithatë, fenomeni vazhdon ende, ndonëse jo në përmasat e 2015.

Megjithatë, duke folur përpara zyrtarëve të FRONTEX, Rama është shprehur se numri i shqiptarëve të paligjshëm në vendet e BE-së ka rënë me 27% sipas raportit të fundit të institucioneve të Brukselit, po ashtu edhe azilkërkuesit me 32%. Kreu i qeverisë theksoi se falë bashkëpunimit të disa vendeve partnere që u përballën me këtë problem emigrimi është minimizuar në shifra të papërfillshme.

“Emigracioni i paligjshëm i shqiptarëve vijon që të bjerë në mënyrë të ndjeshme dhe bazuar në raportin e 2018 të KE-së, në 2018 e kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme për në BE 27% më pak shqiptarë se një vit më parë, ndërsa kërkesat për azil janë ulur me 32% në gjysmën e parë të 2018 krahasuar me 2017. Falë bashkëpunimit të disa vendeve partnere që u përballën me këtë problem faktikisht emigrimi është minimizuar në shifra të papërfillshëm”, tha kryeministri. “Ne jemi të gjithë krenarë edhe për një tjetër faqe të historisë sonë, kur Shqipëria u bë i vetmi vend në Europë me më shumë hebrenj pas luftës se para luftës, gjatë luftës hebrenjtë migronin për t’u strehuar në Shqipëri.

Asnjë hebre nuk humbi jetën dhe asnjë nuk iu dorëzua nazistëve. Ne jemi të vetëdijshëm se jetojmë në një kohë ku duhet të japim kontributin tonë kundër emigrimit të paligjshëm në BE. Ky projekt sa ndihmë e madhe edhe sfidë prej ku vendi do të përfitojë në aspektin e reputacionit”, shton kreu i qeverisë shqiptare.

 

Më Shumë