Ngjarje

Ku ta gjejmë numrin e saktë të aksidenteve?

“Qenka bërë aksident”. Kjo është fjalia që dëgjojmë më së shumti nëpër rrugë dhe lajme. Aksidentet rrugore tashmë, janë bërë shumë të shpeshta dhe një rrezik më shumë për jetën e qytetarëve. Arsyet janë të ndryshme, duke nisur nga pakujdesia e qytetarëve e duke vijuar me mungesën e sinjalistikës rrugore. Të dhënat zyrtare nga INSTAT, për sa i përket periudhës Janar- Shtator të këtij viti kanë treguar se numri i aksidenteve është 1136, duke pasur kështu një rënie me -12.8 përqind në krahasim me një vit më parë për të njëjtën periudhë, kur numri ka qenë 1303.

Të dhënat sipas INSTAT

Por sipas monitorimit të Qendrës Kombëtare të Urgjencave Mjekësore, numri i aksidenteve është më i lartë.
Drejtori i QKUM, Skënder Brataj thotë për Gazetën “Si” se numri sipas monitorimit të tyre është rreth 5146 aksidente, për të njëjtën periudhë kohore. Duke u nisur nga kjo defiçencë e lartë shifrash, Gazeta “Si” kërkoi më shumë shpjegim nga QKUM, për sa i përket se si kryhet monitorimi i aksidenteve. Brataj shpjegoi se çdo ambulancë ka një GPS dhe të gjitha të dhënat për sa i përket ngjarjeve kalojnë në sistemin e QKUM-së, i programuar në mënyrë të tillë që regjistron automatikisht çdo ngjarje mjekësore, EMMA (Emergency Medical Management Albania).

Skënder Brataj

“Çdo ditë mund të kemi rreth 3500 thirrje telefonike për sa i përket shërbimit të urgjencës. Me anë të GPS konfirmojmë edhe çfarë ka ndodhur në vendin ku kërkohet urgjenca, por edhe kohën kur ka arritur ambulanca” shprehet Brataj.
Për një shpjegim më të detajuar për sa i përket shifrave të ndryshme, Gazeta Si iu drejtua edhe Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë, ku u informua se sipas një VKM-je policia përcakton si “aksident” çdo rast që ka pasoja në njerëz (plagosje ose vdekje), ose çdo rast që kalon në prokurori.
Të dhënat zyrtare nga INSTAT përcaktojnë gjithashtu se në krahasim me vitin e kaluar është ulur numri i aksidenteve, por është rritur numri i vdekjeve. Shifrat tregojnë se në periudhën Janar-Shtator, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore ka qenë 157, ndërkohë që një vit më parë ka qenë 152. Ndërsa sipas QKUM numri i të vdekurve është 136, duhet hasur përsëri një diferencë shifrash.

Eksperti rrugor Niko Caci, shpjegon se nëse ka mangësi të të dhënave ky është faji i institucioneve.
“Për sa i përket numrit të ulët të aksidenteve, parashtrohen një sërë arsyesh si: monitorimi i trafikut, shtimi i sinjalistikës, ndërgjegjësimi i njerëzve dhe vënia e gjobave me paanshmëri,” shtoi Caci.

Ndër të tjera ai shpjegon që duhet akoma më shumë punë për të arritur në një standard të lartë të kontrollit rrugor. Ndërsa, sipas Bratajt, rastet e ndryshme të aksidenteve në Shqipëri ndodhin më së shumti për shkak të sinjalistikës në shumë akse rrugore. Gjithashtu, ai shton se çdo e dhënë që regjistrohet nga kujdesi parësorë i kalon Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes.
Ndërkohë, INSTAT ka bërë me dije për Gazetën Si se burimi i vetëm i këtyre të dhënave është Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë