Filma

Ku ndryshon historia e vërtetë e Elvis Presley me filmin e Baz Luhrmann

Nga Gazeta Si - Nga detajet e projektimit deri te rindërtimet e shpikura, historia e Elvisit bëhet spektakël i pastër (por jo gjithmonë i vërtetë).

Rrufeja në kishë

Në filmin e Baz Luhrmann kushtuar mbi 20 viteve të jetës së Elvis Presley-t ka të vërteta dhe shpikje që bashkëjetojnë në hapësirën e të njëjtës kornizë. Në skenat ku një Elvis shumë i ri bie në kontakt me ungjillin, ai mban një gjerdan në formën e një rrufeje. Elvis në fakt ndoqi kishën ungjillore, por gjerdani është një gjetje nga regjisori, e futur për ta bërë Mbretin e ardhshëm të Rock-ut të duket si idhulli i tij i librit komik, Captain Marvel Jr.

Zbulimi

“Elvis” është i mbushur me momente të krijuara për të qenë bindës në ekranin e madh. Skena e zbulimit të talentit muzikor të Presley nga Tom Parker është një prej tyre, por në të vërtetë nuk ndodhi kurrë. Të dy nuk u takuan në panair, por kjo pasaktësi ia vlen për shkak të magjisë së krijuar nga performancat e Austin Butler dhe Tom Hanks.

Frymëzimi

Stili muzikor i Elvis Presley-t është i famshëm për një mori ndikimesh të zhytura dhe të grumbulluara në pjesët e tij. Megjithatë, Luhrmann duket se është i përqendruar mbi të gjitha në rolin e luajtur nga gospel dhe bluz, siç dëshmohet nga skenat në të cilat Elvis krijon këngën e tij të parë, “That’s All Right”. Në fakt, “The King” u tërhoq shumë edhe në një tjetër shtyllë të muzikës amerikane, country.

Ushtria

Pasi gati u arrestua për performancat e tij në skenë, Elvisi i filmit vendos të bashkohet me ushtrinë për të pastruar imazhin e tij. Në fakt, Presley nuk zgjodhi fare, sepse u thirr si bashkëmoshatarët e tij në vitin 1958. Ai kaloi dy vjet në ushtri dhe ndërsa ishte në Gjermani takoi gruan e tij të ardhshme, Priscilla Beaulieu.

Takimi

Në film, Priscilla interpretohet nga Olivia DeJonge, e lindur në vitin 1998. Në fakt, nusja e ardhshme e Elvisit ishte 14 vjeç kur u takua me këngëtarin, i cili në atë kohë ishte 24 vjeç. Të dy u martuan gjashtë vjet më vonë, në 1967.

Makina rozë

Elvisi i Baz Luhrmann-it drejton një Cadillac ngjyrë rozë të ndezur, shumë e ngjashme me atë të bërë posaçërisht për Presley-n. Megjithatë, ngjyra nuk është plotësisht e saktë. Makina e vërtetë e këngëtarit ishte një nuancë pastel, e quajtur “Elvis Rose” dhe e ndërtuar me porosi nga një fqinj që zëvendësoi bojën origjinale blu me nuancën e zgjedhur të Elvisit.

Krishtlindjet

Kthimi i Elvisit në skenë në vitin 1968 është një nga pjesët më të pasakta historikisht të filmit. Parker në fakt donte një performancë të qetë dhe të kompozuar, në vend të tërbuar dhe shpërthyese nga artisti, por momentet e ndryshme të treguara nga Luhrmann janë licencë poetike. “Elvis” e vendos edhe vrasjen e Bobby Kennedy në mes të xhirimit, në mënyrë arbitrare. Kennedy në fakt u vra në qershor 1968, ndërsa shfaqja u transmetua në dhjetor të të njëjtit vit.

Marrë nga Il Corriere della Sera, përshtati në shqip Gazeta Si


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë