Analize

Ku është përhapur varianti i ri i Covid-19 në Europë?

Bashkimi Europian filloi vaksinimin të dielën edhe pse disa vende anëtare u detyruan përsëri të vendosin masa të reja kufizuese për shkak të variantit të ri të koronavirusit, i cili besohet të jetë më infektiv dhe vazhdon të përhapet nga Britania. Pandemia ka marrë më shumë se 1.7 milion jetë dhe po vazhdon të përhapet ende e shfrenuar në pjesën më të madhe të botës, por fillimi i fushatës së vaksinimit ka rritur shpresat se 2021 mund të jetë një vit më i mirë.

Disa orë para se të mbërrinin dozat e para të vaksinës në Francë, ministria e shëndetit e Parisit konfirmoi të premten vonë se kishte zbuluar rastin e saj të parë të variantit të ri te një qytetar i kthyer nga Britania. Disa vende kanë raportuar raste të llojit të ri, i cili ka shkaktuar shqetësime të mëdha në vendin anëtare për shkak të mbingarkimit të sistemit  shëndetësor.

Vaksina vjen ndërkohë që disa vende europiane po përballen me masa të ashpra të vendosura në kohë festash, të cilat do të zgjasin deri në javën e parë të janarit. Në të gjithë botën, njerëzit po nxiten të respektojnë udhëzimet për distancimin shoqëror, pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë u bëri thirrje të mos "shpërdoronin" "sakrificat e mëdha” që njerëzit kishin bërë për të shpëtuar jetë.

“Rasti i parë francez i variantit të ri të koronavirusit u zbulua tek një qytetar që jetonte në Britani, i cili mbërriti nga Londra në 19 dhjetor”, tha ministria franceze e shëndetësisë.

Tipi i ri i virusit, për të cilin ekspertët kanë frikë se është më ngjitës, bëri që më shumë se 50 vende të vendosin kufizime udhëtimi me Britaninë e Madhe, ku u shfaq për herë të parë.

Por rastet e variantit të ri janë raportuar edhe në të gjithë botën: të premten, Japonia konfirmoi pesë raste që  vinin nga Britania, ndërsa raste të tjera janë raportuar edhe në Spanjë, Zvicër, Danimarkë, Liban, Gjermani, Australi dhe Holandë.

Afrika e Jugut ka zbuluar një mutacion të ngjashëm me disa njerëz të infektuar, por mohoi pretendimet e Britanisë se varianti afrikan ishte më i rrezikshëm se ai me origjinë nga Anglia. Mbyllja e kufirit Britani-Francë për 48 orë çoi në një radhë prej 10,000 kamionësh në Anglinë juglindore, me shoferë të bllokuar për ditë gjatë periudhës festive.

Por shkencëtarët thonë se varianti i ri i Covid-19 mund të jetë zbuluar në Mbretërinë e Bashkuar për shkak të sistemit efektiv të gjurmimit të rasteve të reja. Të dielën u zbuluan edhe të infektuarit e parë në Kanada, të cilët po ashtu vinin nga Britania.

Në Spanjë, katër raste të variantit të ri u konfirmuan në Madrid. Por asnjë nga pacientët nuk kishte udhëtuar në Britaninë e Madhe.

Zvicra identifikoi tre raste, dy prej të cilave dihet se janë shtetas britanikë. Ky është vendi ka mbajtur hapur hotelet dhe pistat e skive për turizëm gjatë periudhës së Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, dhe mijëra turistë nga Britania kanë mbërritur në dy javët e fundit.

Në Suedi, agjencia shëndetësore tha se një udhëtar ishte infektuar me variantin e ri, por kishte qenë në vetëizolim që kur u kthye nga Britania e Madhe.

Ndërkohë, rasti i parë në Francë mësohet se është asimptomatik. Rastet në Danimarkë, Gjermani, Itali, Holandë dhe Australi u raportuan që javën e kaluar.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë