Njerez

Ku e ke shtëpinë? Në Shqipëri. Rroftë WhatsApp!

Paaftësitë e qeverive dhe institucioneve shqiptare në 30 vite tranzicion shkojnë në përmasa qesharake. Vetëm kështu mund të interpretohet paradoksi, që sot vendit anëtar të NATO-s dhe kandidat për anëtarësim në Bashkimin Europian i mungon ende një sistem i saktë adresash, ku shteti vetë t’i trokasë qytetarit, nuk po themi për t’i zgjidhur një hall, por për t’i marrë taksat, për një kundërvajtje administrative, apo penale.

Nevoja e një sistemi adresash të sakta lindi si domosdoshmëri gjatë muajit mars, kur vendi kishte pak javë pasi ishte mbyllur për shkak të pandemisë. Mbyllja përfshiu edhe sportelet e dorëzimit të pensioneve. Qeveria ndërmori një nismë për t’i dorëzuar pagesat në banesë për të gjithë moshën e tretë.

Por, çfarë ndodhi? Nga Veriu në Jug u raportuan problematika të mëdha për shkak se me adresat e raportuara, posta e kishte të pamundur që të gjente shumë pensionistë. Për këtë arsye Posta Shqiptare publikoi një seri numrash kontakti në të gjitha rrethet.

“Duke marrë shkas nga zhvillimet e fundit, mbi njoftimin e mbylljes së zyrave postare të pensioneve dhe masën e marrë nga Posta Shqiptare për shpërndarjen e pensioneve në shtëpi, është vënë re se shumica e të dhënave të kërkuara nuk janë të sakta. Sa më të sakta të jenë të dhënat e kërkuara, aq më shpejt do të mund të procedojmë me shpërndarjen e pensioneve në shtëpi”, citon Posta Shqiptare.

Të dhënat që kërkoheshin ishte numri i kartës së identitetit, numri i telefonit dhe adresa e saktë.

Po postat private, si funksionojnë? Gazeta “Si” u interesua nëpër sportelet e disa të tilla. Halli ishte i përbashkët; sistemi i adresave ka pasaktësi të mëdha.

“Problemi më i madh është tek zonat informale, ku adresat janë “popullorçe” dhe nuk lidhen me emërtimet zyrtare. Marrim zonën këtu, e gjithë Tirana e njeh si Astiri, apo Unaza e Re, ndërkohë që zyrtarisht kjo është rruga "Teodor Keko". E njëjta gjë për Bulevardin e Ri. Disa i thonë Bulevardi i Kasharit, disa Bulevardi Migjeni, e disa më pak Bulevardi “Aleksandri i Madh”. Është një katrahurë në terren, e jo më në sistem”, thotë për Gazetën “Si”, Iliri, pronar dhe menaxher i dy pikave të hapura në zonën e Yzberishit dhe të Unazës së Re, si nënkontraktor me kompani postare më të mëdha.

Por si e zgjidhin?

“Kur kemi të bëjmë me klientë të rinj, që zakonisht e përdorin mirë telefonin u kërkojmë që të na nisin përmes WhatsApp vendndodhjen (location) e tyre. Shfrytëzojmë më pas hartat e Google Maps për të orientuar shoferët tanë. Problem është kur dërgesa bëhet me mosha që, ose nuk kanë, ose nuk e përdorin dot smartphone. Në këto raste u kërkojmë të na thonë ndonjë objekt, zakonisht thonë emra lokalesh, për t’u orientuar. Për këto raste në momentin që hapim një vend pune shpërndarës vëmë si kusht “të njohë mirë Tiranën””, shton ai.

Raste kur dërgesat nuk arrijnë në destinacion nuk mungojnë.

“Vetëm këtë javë na ka ndodhur dy herë. Në njërin rast e gjetëm adresën dhe personin përkatës pas përpjekjes së tretë, ndërsa në rastin e dytë u dorëzuam dhe dhamë porositësit adresën tonë të vinte ta merrte këtu, kundrejt një zbritjeje në koston e shërbimit. Po, gjërat janë rregulluar shumë. Na shpëtoi ky “WhatsApp-i” me opsionin e location, se…”, shprehet më tej Iliri.

Tirana në Google Maps

Teknologjia nuk i vjen në ndihmë vetëm biznesit modest të Ilirit në këtë sektor. Kompani më të mëdha se sipërmarrja e tij, siç është edhe “Coex shpk”, që vepron në Shqipëri dhe Kosovë përdor kryesisht “Google Maps”.

“Thjesht u kërkojmë klientëve emrin e ndonjë rruge, ndonjë dyqani, lokali a biznesi të njohur në atë zonë dhe dërgojmë porosi”, thonë nga “Coex shpk” për Gazetën “Si”.

Miliona të hedhura

Prej vitit 2004, kur u miratua ligji për sistemin e adresave në Shqipëri, përjekjet e Qeverive për ta zbatuar këtë ligj dhe ngritur një regjistër kombëtar adresash të plotë dhe të saktë kanë marrë ndër vite energji, burime njerëzore dhe mbi të gjitha kosto financiare prej miliona eurosh, herë nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, herë si donacione nga Bashkimi Europian.

Procesi zvarritej e zhvendosej në kohë sa herë që vendi ishte në prag zgjedhjesh dhe problematika e adresave të pasakta, që më pasonte problematikën e listës zgjedhore të pasaktë shfaqej deri vonë edhe në raportet e vëzhgimit të zgjedhjeve të OSBE/ODIHR.

Një projekt ambicioz për të ngritur një sistem digjital të adresave në Shqipëri, duke e nisur me Tiranën dhe Durrësin, ku është edhe situata më kaotike, u shpalos në vitin 2010. Qeveria e asaj kohe synonte jo vetëm ngritjen e këtij sistemi me të dhëna të sakta, por edhe ndërfutjen e tij e tij në sistemin e “Google Maps”.

Deri në këtë periudhë janë akorduar rreth 60 mln dollarë fonde të dhëna nga Bashkimi Europian, OSBE dhe Banka Botërore dhe 6.5 mln dollarë të tjera nga buxheti i shtetit për të ndërtuar dhe vënë në funksionim sistemin e adresave në të gjithë Shqipërinë.

Paratë për ngritjen e këtij sistemi vazhduan edhe pas 2010. Në 2016, një vendim i Qeverisë ngarkonte Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike dhe Ministrinë e Brendshme që të punonin për ngritjen e sistemit të adresave.

OSHEE hapi garën për një tender me vlerë 7 milionë euro, ku së bashku me Ministrinë e Brendshme të zbatojë një projekt për identifikimin dhe popullimin e adresës për çdo shtetas (derë më derë) në terren në të gjithë territorin e vendit. Tenderi u akuzua si korruptiv, pasi në garë pati vetëm një ofertë dhe ajo ishte pranë fondit limit.

Gjithsesi, projekti vazhdoi përpara dhe në të njëjtin vit, Parlamenti amendoi ligjin për sistemin e adresave dhe ligjin për gjendjen civile në shtator të 2016-ës, ku përfshiu penalitetin me gjobë prej 10 mijë lekësh për qytetarët që nuk përputhnin vendbanimin e tyre real me adresën e shënuar në dokumentacionet shtetërore.

Ligji hyri në fuqi më 1 janar të 2017-ës dhe dyndjet e qytetarëve për të përditësuar të dhënat e tyre nxorri në pah edhe më tepër amullinë me sistemin e adresave në Shqipëri, me mungesa emri për rrugë, sheshe dhe pallatesh. Në 2017 sistemi “hëngri” edhe 4.5 mln euro të tjera, ku një pjesë e mirë shkonte vetëm për mirëmbajtje, ndërsa çudia është se për regjistrimin “derë më derë” nuk është parashikuar asnjë afat kohor, ndaj ky proces mbetet ende i pambyllur plotësisht.

Kjo u gjet edhe nga një auditim i Kontrollit të Lartë të Shtetit, që thotë se nuk ka përfunduar plotësisht popullimi me të dhënat mbi adresat në përmbushje të qëllimit për të cilin Regjistri Kombëtar i Adresave është ndërtuar. KLSH vë re si handikap në këtë pjesë mungesën e përcaktimit të një afati kohor në marrëveshjen ndërinstitucionale mes OSHEE dhe Ministrisë së Brendshme për këtë qëllim, ndërsa vlerëson si tejet të lartë dhe shpenzim të kotë paratë e hedhura për mirëmbajtjen e këtij sistemi, përsa kohë ai nuk funksionon.

Vonesat në ngritjen e këtij sistemi shkelin edhe afatet e vendosura në strategjinë digjitale të Qeverisë 2015-2020. Në këtë strategji vendosej si objektiv përmbyllja e këtij procesi brenda vitit 2020.

Adresat dhe listat zgjedhore

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj hodhi poshtë akuzat e opozitës se Gjendjet Civile po zhvendosin votuesit opozitarë. Ai tha se po zbatohet projekti për sistemin funksional të adresave, nuk përjashtoi raste zhvendosjesh, por tha se ato nuk lidhen me qëndrat e votimit dhe garantoi se të gjithë qytetarët do të votojnë aty ku banojnë.

Por, kjo garanci e ministrit Lleshaj bie ndesh me parashikimet e bëra në Kodin Zgjedhor. Konkretisht në nenin 49 të këtij Kodi përcaktohet qartë se listat zgjedhore përgatiten nga zyrat e gjendjes civile. Pra, lista e zgjedhësve hartohet për çdo zonë qendre votimi dhe përmban të gjithë zgjedhësit që kanë vendbanimin e regjistruar në atë zonë qendre votimi.

Lista në fjalë hartohet mbi bazën e kodit të vendbanimit. Kjo do të thotë se nëse një personi të caktuar i ndryshohet Kodi i vendbanimit, atëherë atij rrjedhimisht i ndryshon edhe qëndra e votimit.

Ndërkohë, në ligjin për Gjendjen Civile ndalohet çdo përpunim, ndryshim, modifikim, shtesa apo heqje e emrave dhe të dhënave në kundërshtim me procedurat e përcaktuara nga vetë ky ligj. Cilat janë procedurat e përcaktuara? Ligji parashikon që ndryshimi i vendbanimit kryhet nga vetë qytetari brenda 30 ditëve nga ndryshimi i vendbanimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë