Ngjarje

Kthesë e fortë në hetime, doktor Luque ka falsifikuar firmën e Maradonës

Detaje të reja nga hetimet që po bëhen në Argjentinë në lidhje me vdekjen e Diego Armando Maradonës, njërit prej futbollistëve më të mëdhenj të historisë botërore. Nga hetimi po dalin në dritë disa elementë që e bëjnë më intriguese situatën që po kalonte “Pibe de Oro” në muajt e fundit të jetës.

Nga ekspertiza kaligrafike që është bërë në disa dokumente të sekuestruara në studion e mjekut personal të Maradonës, Leopoldo Luque, rezulton se është falsifikuar firma e ish-futbollistit të famshëm. Një element shumë i rëndësishëm ky për hetuesit që po përpiqen të qartësojnë dinamikën e fakteve dhe gjendjen e kampionit argjentinas në momentet e fundit të jetës. Një element që u jep një kthesë të forte hetimeve.

Maradona, kampion bote me Argjentinën. Gazeta Si, 23 janar 2021

Sipas “Clarìn”, doktor Leopoldo Luque ka bërë një kërkesë për kartelat klinike në emër të Maradonës dhe ia ka dërguar klinikës “Olivos”, më 1 shtator 2020. Janë gjetur edhe dy dokumente të tjera me një firmë të ngjashme me atë të Maradonës në banesën mjekut dhe kjo është një shkelje e rëndë, që e kompromenton pozicionin e tij. Në këtë rast akuza është "përdorim i dokumenteve private". Luque rezulton i regjistruar në listën e personave që po hetohen për vdekjen e pacientit të tij.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë