Detaje të reja nga hetimet që po bëhen në Argjentinë në lidhje me vdekjen e Diego Armando Maradonës, njërit prej futbollistëve më të mëdhenj të historisë botërore. Nga hetimi po dalin në dritë disa elementë që e bëjnë më intriguese situatën që po kalonte “Pibe de Oro” në muajt e fundit të jetës.
Nga ekspertiza kaligrafike që është bërë në disa dokumente të sekuestruara në studion e mjekut personal të Maradonës, Leopoldo Luque, rezulton se është falsifikuar firma e ish-futbollistit të famshëm. Një element shumë i rëndësishëm ky për hetuesit që po përpiqen të qartësojnë dinamikën e fakteve dhe gjendjen e kampionit argjentinas në momentet e fundit të jetës. Një element që u jep një kthesë të forte hetimeve.
Sipas “Clarìn”, doktor Leopoldo Luque ka bërë një kërkesë për kartelat klinike në emër të Maradonës dhe ia ka dërguar klinikës “Olivos”, më 1 shtator 2020. Janë gjetur edhe dy dokumente të tjera me një firmë të ngjashme me atë të Maradonës në banesën mjekut dhe kjo është një shkelje e rëndë, që e kompromenton pozicionin e tij. Në këtë rast akuza është “përdorim i dokumenteve private”. Luque rezulton i regjistruar në listën e personave që po hetohen për vdekjen e pacientit të tij.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.