Ngjarje

Kthehen patentat dhe makinat e bllokuara gjatë pandemisë, do të paguani vetëm një gjobë

Të gjithë qytetarëve që u janë bllokuar makinat dhe patentat gjatë kohës së pandemisë për një afat kohor prej 3 vjetësh, duke shkelur rregullat në fuqi, dënimi do t’i konvertohet me masë administrative me gjobë.

Kjo masë e re lehtësuese, do të shoqërohet edhe me pezullimin e lejes së drejtimit për 30 ditë dhe me masën administrative plotësuese të bllokimit të mjetit apo lejes së qarkullimit të tij për një periudhë prej 30 ditësh.

Vendimi është komunikuar të hënën nga zv.drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj.

“Të gjitha dënimet administrative të vendosura me pezullim të lejeve të drejtimit  të pezulluara për  një  periudhë  trevjeçare apo të shoqëruara dhe me bllokim të mjetit apo lejes së qarkullimit të tij, në zbatim të Aktit Normativ, zëvendësohen me dënimin me masë administrative me gjobë, me pezullimin e lejes së drejtimit për 30 ditë dhe me masën administrative plotësuese të bllokimit të mjetit apo lejes së qarkullimit të tij për një periudhë prej 30 ditësh”.

Dervishaj sqaroi se masat administrative të vendosura nga autoritetet shtetërore, kryesisht Policia Rrugore, “për heqjen e lejes së drejtimit apo masat e tjera të bllokimit të automjeteve apo lejes së qarkullimit, humbasin fuqi, nëse nga periudha e marrjes së masave është përmbushur afati prej 30 ditësh”, përcakton vendimi.

Po ashtu janë përcaktuar edhe disa lehtësime të masave që janë zbatuar deri më sot. Ora policore është shtyrë dhe qytetarët nuk do lejohen të dalin prej orës 23:00 deri në 06:00 të mëngjesit.

Gjithashtu duke filluar nga data 1 qershor 2021, orari i ndalimit të muzikës në çdo mjedis shërbimi referuar Aktit Normativ dhe urdhrit të Ministrit të Brendshëm, nr. 237 datë 27.05.2021,është përcaktuar ora 22:00.

Të gjithë personat që duhet të lëvizin në orën e ndalimit të qarkullimit, duhet të pajisen me leje të posaçme nga e-Albania, ndryshe, do të vendosen gjoba.

Me vendimet e reja, të gjithë qytetarët shqiptarë nuk janë më të detyruar që të mbajnë maska në ambientet e jashtë, kjo për shkak të uljes së numrave të infektimeve me COVID -19.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë