Nga Gazeta “SI”- Tirana feston sot 81 vjet nga çlirimi, një datë që shënon kulmin e rezistencës antifashiste dhe të një prej betejave më vendimtare të Ushtrisë Nacionalçlirimtare.
Lufta për çlirimin e kryeqytetit u vlerësua si operacioni më i madh i shkallës operativo-strategjike i zhvilluar nga UNÇSH për çlirimin e qyteteve të vendit.
Çlirimi i Tiranës iu besua Korparmatës së Parë Sulmuese, e cila hartoi një plan të detajuar në përputhje me strategjinë e Komandës së Përgjithshme. Plani parashikonte izolimin e garnizonit gjerman përmes krijimit të fronteve të brendshme dhe të jashtme, ndërsa operacioni u zhvillua në tre faza kryesore: Faza përgatitore (12 shtator–28 tetor). Faza e parë e sulmit (29 tetor–10 nëntor) dhe faza përfundimtare e mësymjes (11–17 nëntor).

Si u çlirua Tirana?
Pas 19 ditësh luftimesh të pandërprera në rrugët dhe lagjet e kryeqytetit, si dhe përgjatë korridoreve hyrëse drejt tij, forcat partizane arritën të thyenin rezistencën gjermane dhe të përfundonin misionin e tyre.
Në mëngjesin e 16 nëntorit Brigada I arriti të pushtojë Shtëpinë e Oficerëve, Kullën e Sahatit, Teatrin dhe godina të tjera strategjike. Ndërkohë, Brigada VIII përparoi në rrugën e Kavajës, duke u bashkuar me krahun e djathtë të Brigadës I dhe duke shtrënguar edhe më shumë unazën e rrethimit në qendër të qytetit.

Forcat gjermane vijuan rezistencën e tyre në disa nga godinat më të rëndësishme të kohës: ministritë, Bankën, Bashkinë dhe hotelin “London”, vend ku sot ngrihet Muzeu Historik Kombëtar. Luftimet mbetën të ashpra gjatë gjithë ditës së 16 nëntorit, ndërsa në orët e para të 17 nëntorit komanda gjermane duke shfrytëzuar errësirën e natës çanë rrethimin dhe u tërhoqën drejt fushës së Aviacionit, ku u riorganizuan për marshim dhe u larguan në drejtim të Vorës e më pas të Shkodrës. Forcat e fundit gjermane u goditën gjatë tërheqjes në aksin Tiranë–Vorë–Laç.

Në mëngjesin e 17 nëntorit 1944, pas 19 ditë e net luftimesh të pandërprera, Tirana u çlirua. Beteja e Mushqetasë dhe qëndresa e popullit të kryeqytetit luajtën rol të rëndësishëm në suksesin e operacionit, ndërsa 127 partizanë ranë në altarin e lirisë për çlirimin e qytetit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



