Gazeta Si- Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela, gjatë prezantimit të raportit vjetor për kriminalitetin për vitin 2023, ka deklaruar se në të gjitha nivelet e Prokurorive të Juridiksionit të Përgjithshëm, janë krijuar sërish vakanca të përkohshme dhe të përhershme.
Para Komisionit të Ligjeve, Çela theksoi se qarku me kriminalitetin më të lartë për 100 mijë banorë është Vlora, ndërsa me kriminalitetin më të ulët qarku Dibër.
Në kuadër të hetimeve, Çela zbuloi se janë përgjuar 2.675 telefona në përdorim të 2.492 personave të dyshuar si të përfshirë në vepra penale.
“Gjatë vitit 2023 janë ekzekutuar 1121 vendime për përgjim të autorizuara nga gjykata në hetimet paraprake dhe 456 autorizime dhe urdhra të prokurorit.Për sa më sipër është mundësuar interceptimi për 2675 pajisje fundore në përdorim të 2492 personave të dyshuar si të përfshirë në vepra penale”, tha Çela.
Ndër të tjera, ai u shpreh se në vitin 2023 vihet re një tendencë ashpërsimi në aplikimin e masave të sigurimit.
“Gjatë vitit 2023, në organin e prokurorisë janë trajtuar 55.253 materiale kallëzuese, që përbën një ulje prej 9,4 % në krahasim me vitin 2022. Janë ndjekur gjithsej 45.715 procedime penale, nga të cilat 24.095 janë procedime penale të regjistruara, me një ulje prej 6,2 % në krahasim me vitin 2022. Janë mbartur 21.011 procedime penale me një ulje prej 3,9 % krahasuar me procedimet e mbartura në vitin 2022. Është vendosur mosfillimi për 9946 referime dhe kallëzime penale”, – vijoi ai.
Sipas kryeprokurorit, numri më i madh i procedimeve penale të regjistruara rezulton në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë me Juridiksion të Përgjithshëm Tiranë, me 35,12 % të numrit total të procedimeve të regjistruara në shkallë vendi.
“Në fund, janë prokuroritë Kukës 2,37 %; Dibër 2,31 % ,të numrit total të procedimeve penale të regjistruara në shkallë vendi”.
Sa i përket veprave penale në fushën e lëndëve narkotike, në vitin 2023, Çela shtoi se “ka një rritje të numrit të procedimeve krahasuar me vitin 2022. Numri më i lartë është në qarkun Tiranë, më pas vjen Lezha, Fieri etj, ndërsa numri më i vogël është qarku Sarandë dhe Gjirokastër”.
Përsa i përket veprës penale të “dhunës në familje” për vitin 2023, kreu i organit të akuzës ta se “janë regjistruar 1396 procedime penale, me 1078 të pandehur, me një ulje prej 3.92 për qind të procedimeve krahasuar me vitin 2022”.
Sipas tij, efektiviteti i ndjekjes penale dhe numri i çështjeve të dërguara në gjyq është i lartë. 89.04 për qind e kërkesave për masë sigurimi me arrest është tregues në rritje krahasuar me vitin 2022.
Gjithashtu, ka pasur 44 procedime penale për korrupsion që janë transferuar për kompetencë në SPAK, të cilët kanë regjistruar 32 procedime penale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




