Ngjarje

“Të kremtojmë me thjeshtësi”

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Anastas Janullatos ka uruar të gjithë besimtarët me rastin e Krishtlindjes. 

Sipas tij, këtë vit, Krishtlindjen do ta kremtojmë pa festime sipërfaqësore, pa u mbledhur familjarisht, ose me miq të shumtë, por edhe pa pjesëmarrjen e gjerë të besimtarëve në ceremonitë adhuruese.

“Në këtë të premte të madhe, ndoshta do të jenë më të pakta shfaqjet sipërfaqësore, si zhurma shurdhuese e tepruar dhe elementet pa lidhje që kanë depërtuar brenda saj, me synim kryesor fitimin dhe lavdinë e kotë, duke e tjetërsuar kuptimin e vërtetë të kësaj të kremteje unike. Do të kremtojmë me thjeshtësi, privim, por edhe me dhimbje për ata që ndërruan jetë të vetmuar dhe për sa mbijetuan mes hidhërimit dhe dëshpërimit, të torturuar nga vështirësi të shumëllojta”, shprehet Janullatos. 

Janullatos në urimin e tij beson se vaksina është dhurata më e mirë që mund të merrnim në këtë kohë të vështirë.

“Pikërisht, këtë prani të tij të shumanshme ftohemi ta përjetojmë me më shumë intensitet; këtë herë duke u mburrur më pak për dijen tonë, për aftësitë dhe fuqinë tonë njerëzore. Duke bërë më shumë kërkime rreth përparësive të gjinisë njerëzore dhe me më tepër solidaritet në nivel lokal e global. Duke pasur më tepër shpresë. Është diçka simbolike, se vaksina që pritet të japë zgjidhjen për të dalë nga robëria jonë e shumanshme e koronavirusit, vjen në jetën tonë si një dhuratë e veçantë Krishtlindjeje.Le të rezistojmë brenda kësaj atmosfere izolimi të çuditshëm, vetmie, ankthi dhe frike të imponuar nga pandemia, duke kremtuar Krishtlindjen e sivjetshme me përkushtim të plotë ndaj pranisë çlirimtare të Birit dhe Fjalës së pakrijuar të Perëndisë, i Cili hyn brenda krijesës së dukshme, duke e pasur Ai fjalën e fundit në ecurinë e jetës sonë dhe të mbarë krijesës.

Në vetminë e papërcaktuar dhe të papritur që na ka ngrirë akull, prania mistike e Krishtit e ngroh mendimin dhe i gjallëron mushkëritë tona. Ky mesazh optimist i Krishtlindjes, i pastër si diamanti, pa zbukurime të shumta, pa veshje me ar dhe ambalazhime marramendëse, sivjet duhet të nxirret në pah dhe të përjetohet në një mënyrë të veçantë. Jo si kujtim i thjeshtë i një foshnje që është i denjë për t’u dashur, por si mesazh vendimtar shprese, si shprehja e vetme e dashurisë, e plotfuqishmërisë së Atit, Zotit dhe Krijuesit të gjithësisë; si garanci për faktin se nuk jemi të vetëm në aventurën tonë personale e globale, dhe as në këtë pandemi.

Këtë përvojë vendimtare duhet jo vetëm që ta fuqizojmë brenda vetes sonë, por edhe ta transmetojmë si antitrupa shpirtërorë tek ata që jetojnë rreth nesh. Me dhembshuri, me përulësi, me fjalë, me heshtje, pa egoizëm acarues. Nuk është vetëm koronavirusi që transmetohet pa zhurmë dhe në mënyrë aktive; shumë herë më tepër kjo ndodh me besimin tonë në këtë prani çlirimtare, i cili transmetohet qetësisht dhe në mënyrë të frytshme nga njëri besimtar tek tjetri dhe nga njëri grup tek tjetri.

Vëllezërit e mi, pra, dhurata më esenciale e Krishtlindjes, që mund t’ia ofrojmë vetes sonë dhe atyre përreth, është të kuptuarit dhe dëshmia e pranisë së Shpëtimtarit Krisht në jetën tonë të përditshme. Krishtlindje të bekuara dhe me shëndet! Viti i Ri 2021 na sjelltë paqe dhe qoftë plot me dritë!”, thotë ndër të tjera në urimin e tij kryepeshkopi. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë