Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjyq shtetasin S.H. për veprën penale ‘Vepra të turpshme’ ndaj mbesës së tij të mitur.
Sipas njoftimit, në kuadër të hetimeve Prokuroria provoi se i pandehuri S.H ka kryer veprime të kundraligjshme dhe të drejtpërdrejta kundrejt mbesës së tij të mitur E.H, të moshës 11-vjeçare, (të përsëritura në kohë të ndryshme).
I pandehuri S.H e ka kërcënuar vazhdimisht të miturën se nëse do të tregonte do ta vriste, ndaj organi procedues është vënë në dijeni të faktit penal nga Njësia e Mbrojtjes së Fëmijës dhe psikologia e shkollës së të miturës pasi ishin vënë re ndryshime drastike në sjelljen e saj.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, arriti në përfundimin se veprimet e kryera nga i pandehuri S.H kundrejt mbesës së tij të mitur E.H kanë cënuar integritetin psiqik dhe emocional të të miturës, duke i shkaktuar pasoja psikosociale, si: frikë për të jetuar e vetme në banesën ku ajo jeton me prindërit, pasiguri për të ardhmen, etj, dhe burimi i tyre vjen nga ngacmimet dhe veprat e turpshme që shtetasi S.H ka ushtruar kundrejt saj.
Mbi bazën e kërkesës së prokurorisë, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier vendosi:
1. Deklarimin fajtor të pandehurit S.H për kryerjen e veprës penale “Vepra të turpshme” me 7 vite e 6 muaj burgim ku me ulje dënimi do të kryejë 5 vite burgim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.