Bota

Kryeministri polak: Bjellorusia po përpiqet të destabilizojë Europën

Polonia thotë se kriza me migrantë në kufirin me Bjellorusinë paraqet “perpjekjen më të madhe për të destabilizuar Europën” që nga Lufta e Ftohtë.

Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki, tha se udhëheqësi bjellorus, Alyaksandr Lukashenka ka nisur një "luftë hibride" kundër Bashkimit Europian.

Më 21 nëntor, Polonia raportoi se rreth 100 migrantë kanë bërë përpjekje që nga Bjellorusia të kalojnë kufirin dhe të hyjnë në territorin e Bashkimit Europian. Autoritetet thanë se migrantët ishin agresivë.

Ministri polak i Mbrojtjes, Mariusz Blaszczak, tha më 20 nëntor se Bjellorusia ka ndryshuar taktikën dhe tani po drejton grupe më të vogla migrantësh njëkohësisht në disa pika kufitare.

Perëndimi akuzon Bjellorusinë se ka krijuar artificialisht krizën duke dërguar në kufi me Bashkimin Europian migrantë të mundshëm - kryesisht nga Lindja e Mesme.

Bjellorusia e ka mohuar akuzën dhe ka kritikuar BE-në për mospranimin e migrantëve.

Në një intervistë me BBC më 19 nëntor, Lukashenka pranoi se ishte "absolutisht e mundur" që forcat e tij të sigurisë të kishin ndihmuar migrantët, por mohoi që Qeveria e tij t'i kishte sjellë ata në Bjellorusi.

Polonia thotë se të paktën 11 migrantë të mundshëm kanë vdekur që nga fillimi i krizës gjatë verës.

Lukashenka ka qenë në pushtet në Bjellorusi që prej vitit 1994, por rizgjedhja e tij si president në gushtin e vitit të kaluar nuk është pranuar nga Perëndimi, pasi zgjedhjet janë parë si të manipuluara.

Ai është akuzuar nga Bashkimi Europian se ka orkestruar krizën në kufi me Poloninë, Lituaninë dhe Letoninë si shenjë hakmarrjeje për sanksionet e vendosura ndaj Bjellorusisë për shkak të shtypjes së protestave opozitare, që janë mbajtur pas zgjedhjeve presidenciale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë