Nga Gazeta ‘SI’- Kreu i Bashkisë së Elbasanit, Gledian Llatja ka treguar se zhvilluar negociata me kompaninë ‘Kurum’.
Sipas kryebashkiakut, të gjithë punonjësit e larguar do të vazhdojnë të paguhen me pagë minimale, deri sa të rinisë përsëri prodhimi, ku kanë të drejtë të rikthehen në kompani.
“Çdo punëtor që do të vazhdojë punën do të trajtohet me pagesë të plotë. Të gjithë punonjësit e tjerë do të trajtohen me pagë 35.000 me afat të pacaktuar derisa të nisë prodhimi. Për uzinën e petëzimit morëm garanci se do të hapet brenda këtij viti kalendarik“, tha Llatja.
Takimi midis kryebashkiakut të Elbasanit dhe kompanisë turko-shqiptare vjen pas lajmit se ‘Kurum’ do të largonte 500 punonjës nga puna, pasi shoqëria ishte në prag falimenti. Njoftimi i kompanisë së metaleve erdhi pasi emri i saj doli në një skandal ndërkombëtar. ‘Kurum’ akuzohet se është prodhuesi dhe burimi i qindra tonë mbetjeve helmuese që dolën nga porti i Durrësit me destinacion Tajlandën.
LEXO EDHE:
-Anijet me 800 tonë mbetje toksike, “Kurum”: Ngarkesa nuk është nisur nga ne, respektojmë rregullat për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme
–500 punëtorë të hequr nga puna? Kurum: Jemi në vështirësi financiare, por s’ka largime kolektive
-Mbetjet toksike/ Balluku: S’ka lidhje porti i Durrësit, fajtorin e nxjerrin hetimet. Nëse Kurum shpall paaftësi financiare, rishikojmë kontratën
Skandali u monitorua nga BAN, Rrjeti i Bazelit, që tregoi se ngarkesa e nisur ishte toksike, në kundërshtim me konventat ndërkombëtare, si dhe përmendi emrin e ‘Kurum’. Por, kreu i BAN, Jim Puckett, tha se mbetjet nuk i përkasin vetëm kësaj kompanie.
Në një konferencë për mediat, zv.kryeministrja Belinda Balluku tha se përgjegjës për këtë ngarkesë janë koncesionarët e anijeve, portit dhe jo autoritetet qëndrore, por theksoi se fajtorin e nxjerrin hetimet.
Pyetur për aktivitetin e shoqërisë Kurum dhe lajmit se 500 punonjës janë hequr nga puna, Balluku tha se situata do të monitorohet, pasi është shumë delikate dhe do të ketë një rishikim të kontratës në rast se Kurum shpall paaftësinë financiare.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.