Gazeta Si – Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj ndodhet prej më shumë se 6 orësh në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Ai ka hyrë në godinë rreth orës 09:00 të mëngjesit të kësaj të marte dhe vijon të jetë në ambientet e brendshme të këtij institucioni, i shoqëruar edhe nga disa prej bashkëpunëtorëve të tij.
Edhe pse nuk ka një njoftim zyrtar mbi motivet e kësaj paraqitjeje, dyshohet se dy janë çështjet për të cilat Veliaj mund të ketë marrë fletëthirrje nga SPAK: para së gjithash ajo mbi çështjen e inceneratorit të Tiranës.
Por nuk përjashtohet as mundësia e thirrjes së tij për hetimet e dosjes së korrupsionit përmes kompanisë “5D”, e cila ka kulmuar me arrestimin e njerëzve të të gjithë komandës drejtuese të Bashkisë Tiranë me rreth 9 drejtorë dhe disa zyrtarë të tjerë.
Në hyrje të SPAK-ut, Veliaj u përball me një grup protestuesish, mes të cilëve ishte edhe ish-deputeti Klevis Balliu, të cilët e akuzuan si “hajdut”.
“Nuk kemi as ujë asnjë gjë”, u dëgjua të thoshte një grua. Në këtë moment Veliaj iu përgjigj “Shko kërkoja Fahriut me 100 mijë euro makinë”, u përgjigj Veliaj.
Kjo është hera e parë që kryebashkiaku merret në pyetje nga prokurorët e SPAK. Në një dalje të tij për mediat Veliaj ka thënë se është treguar bashkëpunues me SPAK-un, qoftë për t’i ndihmuar me mbarëvajtjen e punës së tyre të përditshme, qoftë për çështje të dokumentacionit të nevojshëm për hetimet.
Më 28 mars SPAK lëshoi urdhërarreste për 9 ish-zyrtarë të Bashkisë Tiranë. Mes të arrestuarve janë ish-drejtori i IMT-së, Mariglen Qato dhe ish-drejtori i UKT-së Redian Molla.
Sipas SPAK, një kompani e drejtuar në mënyrë të fshehur nga Mariglen Qato dhe Redi Molla, fitoi që prej 2016 deri në 2020 tendera në kundërshtim me ligjin nga Bashkia e Tiranës dhe institucionet në varësi të saj.
Në kuadër të të njëjtit hetim një masë e dytë sigurimi u lëshua edhe për Taulant Tushën, ish-drejtor i Përgjithshëm i Planifikimit të Punëve Publike, me dyshimet se ka shkelur barazinë në tendera duke favorizuar kompaninë e Mariglen Qatos dhe Redi Mollës, “5D Konstruksion”.
Prej disa javësh tashmë, janë zhvilluar dhe protesta para bashkisë së kryeqytetit. Eksponentë të opozitës dhe përfaqësues të shoqërisë civile kanë kërkuar dorëheqjen e Veliajt nga posti pas asaj që ata e quajnë “skandali 5D”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.