Ngjarje

Kroacia kërcënon Izraelin për 12 avionët F-16

Kroacia kërcënoi Izraelin me tërheqjen nga marrëveshja 500 milionë dollarëshe për blerjen e 12 avionëve të përdorur F-16, prodhim i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Blerja e armatimit është më e madhja që Kroacia ka bërë ndonjëherë që prej shkëputjes nga Jugosllavia, por ajo rrezikon që të anulohet për shkak të kundërshtimit të Uashingtonit.

SHBA i kanë kërkuar Izraelit që para se të transferojë 12 avionët si pjesë e marrëveshjes me Kroacinë, t’u heqë atyre modifikimet e sistemeve elektronike që u ka bërë.

Pas muajsh ngërçi, Ministrisë së Mbrojtjes në Kroaci i ka sosur durimi dhe përmes një shkrese zyrtare i kanë vendosur si afat 11 janarin zyrtarëve izraelitë që ose të transferojnë avionët, ose marrëveshja anulohet.

Kroacia thotë se i kërkon avionët ashtu siç është rënë dakort në mars të 2018, kur 12 mjetet luftarake izraelite u shpallën fituese në tenderin e hapur nga autoritetet kroate.

“Nuk na vjen mirë për këtë që po ndodh dhe qeveria kroate është e vendosur që të marrë avionët ashtu siç u ra dakord në marrëveshje, pa asnjë ndryshim”, deklaroi kryeministri kroat, Andrej Plenkoviç ditën e mërkurë.

Përveç Izraelit, në tenderin në fjalë morën pjesë edhe disa vende të tjera, si Greqia, Koreja e Jugut, Suedia dhe vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Që prej 2009, Kroacia është anëtare e NATO-s dhe prej 2013 edhe vend anëtar i Bashkimit Europian. Si pjesë e Aleancës së Atlantikut, Zagrebi ka përmirësuar armatimet e ushtrisë sipas parametrave të kërkuara, por flotën ajrore e ka ende me avionë rusë MiG21.

 

Më Shumë