Mendim

Kriza e urisë e afërt dhe një kostum i ri për lypësin

Nga Gazeta Si - E gjithë bota do të preket nga një valë krize ushqimi për shkak të luftës në Ukrainë.

Disa vende do të përballen me rritjen e çmimeve dhe kufizime të moderuara ndërsa të tjera me mungesa dhe çmime më të larta. Këta të fundit janë vende me deficite tregtare të lartë dhe do të duhet të importojnë edhe më shumë inflacion.

Kriza me pak fjalë do të godasë të varfrit dhe mes tyre është edhe Shqipëria.

Vendi ynë nuk ka asgjë në dorë të shmangë këtë krizë për sa kohë edhe vendet më të fuqishme të botës kanë të kushtëzuar dhe të kufizuara mjetet.

Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel teksa i drejtohej ambasadori Vassily Nebenzia në OKB , tha se sulmet e Moskës në infrastrukturën e transportit të Ukrainës dhe objektet e magazinimit të grurit, si dhe tanket, sulmet ajrore dhe minierat e saj, po e pengonin Ukrainën nga mbjellja dhe korrja.

"Kjo po rrit çmimet e ushqimeve, duke i shtyrë njerëzit në varfëri dhe duke destabilizuar rajone të tëra.”

Është një krizë e afërt paralajmëroi Michel. 

Megjithëse duket si një situatë më duart lart, secili vend ka hapësirat e veta për të administruar dëmet dhe mbajtur frymën gjallë nga kjo luftë që kërcënon me uri.

Gjithçka varet tek fuqia e prodhimit vendas dhe struktura e ekonomisë.

Shqipëria është tepër e disavatazhuar në këto dy drejtime.

Bilanci i saj tregtar është deficitar permanent. Por fatkeqësia nuk është më e madhe tek vlera negative por tek marrëdhënia. Raporti mes importit dhe eksportit nuk ka ndryshuar edhe pse ekonomia është rritur. Pavarësisht luhatjeve të vogla deficiti ka qenë konstant dhe drejt thellimit. Kjo është dëshmi e fortë e një dështimi të plotë për të orientuar ekonominë drejt prodhimit vendas. Është dëshpëruese që të krenohesh me vitet e para të demokracisë kur deficiti tregtar ka qenë më i vogël. Megjithëse ka një shpjegim që lidhet me ekonominë prodhuese të centralizuar.

Pas kësaj periudhe varësia ndaj ekonomive të vendeve të tjera është bërë edhe më e madhe.

Është e qartë që për shkak të rritjes së çmimeve importet do të na kushtojnë më shumë. A do të kemi para mjaftueshëm, apo mund të gjenerojmë të tjera për të blerë jashtë?

Një shpresë janë eksportet. Struktura ekonomisë tregon se ne eksportojmë më së shumti tekstile, këpucë, minerale, lëndë djegëse,materiale ndërtimi dhe metale. Ato zënë rreth 82 për qind.

Të gjitha këto grupe kanë çmime të larta sot në treg dhe mund të rikuperojnë disi. Por se sa, pak kush e di balancën e çmimeve që do të rivendoset me grurin, naftën etj.

Ne aty jemi deficitar të theksuar edhe pse jemi vend me resurse dhe një trashëgimi njohurish.

Nga ana tjetër, struktura e brendshme ekonomisë flet për një përqendrim tek bizneset e mëdha dhe  mungesa e pikave për të amortizuar krizën do ta sjellin efektin e rëndë që ndodh sa herë rrëzohet një i madh. Edhe fakti që ekonomia mbështetet tek shërbimet dhe jo sektorë që japin në vlerë të shtuar,na e bën parzmoren e luftës të ngushtë pas trupit dhe pak elastik.

Me pak fjalë jemi në pozita pritëse për sa kohë nuk kemi bërë asgjë për të forcuar e rritur një ekonomi sa më prodhuese dhe autonome me biznese të afta të përdorin lëndët e para që mund të gjenden në vend.

Megjithëse prej më gati 2 dekadash kemi një marrëveshje preferenciale të tregtisë me BE, Shqipëria me kalimin e viteve është drejtuar në krah të kundërt. Partnerët e saj lindor janë shtuar dhe ata panë më pak mundësi, njohuri dhe financa sesa perëndimorët për të udhëhequr një ekonomi produktive.

Jemi lidhur tek këmbët tona dhe s’na ngelet që të rimodelojmë kostumin e lypësit sërish.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë