Euro 2020

Kristian Eriksen nga spitali: Nuk dorëzohem, jam gati të stërvitem!

Kristian Eriksen ndodhet atje lart, në katin e 14-të të strukturës së spitalit, dy hapa larg stadiumit. Analiza pas analizash, kontrolle pas kontrollesh: të gjitha negative. Ai është pacienti i lumtur që nuk është i sëmurë, por në të njëjtën kohë nuk e di pse është pacient. Afeksioni për të ka qenë i jashtëzakonshëm nga e gjitha bota, jo vetëm e futbollit, pas atij incidenti të frikshëm.

Përpara spitalit alternohen jo më shumë se katër telekamera, asnjëherë të gjitha bashkë. Direktivat janë të njëjta me ato që në Danimarkë rezervohen për familjen mbretërore: të gjithë heshtin, edhe kardiologu që një ditë më parë kishte folur për shtypin. Me Kristianin janë bashkëshortja Sabrina dhe prindërit, babai Tomas dhe nëna Dorthe. Është edhe një telefon që merr mesazhe pa fund. Eriksen flet me shokët e kombëtares, edhe me ata të Interit.

Mesazhi në "Wembley" për Eriksen. Gazeta Si, 14 qershor 2021

Flet me pak persona, mes të cilëve agjenti Martin Shuts, një mik para së gjithash. Është pikërisht ai që tregon kontaktet me mesfushorin: “Folëm në mëngjes, bënte shaka, ishte me humor të mirë. Të gjithë duam të kuptojmë çfarë ndodhi, mjekët po bëjnë ekzaminime të thella dhe duhet pak kohë".

Eriksen ka bërë shaka me Kjaerin e të tjerët. "Ishte i lumtur, - vazhdon Shuts, - sepse e kuptoi sa dashuri ka përreth. I erdhën mesazhe nga gjithë bota. U befasua më shumë nga ata të Interit, nga lojtarët dhe nga tifozët. Kristiani nuk dorëzohet. Ai dhe familja e tij u janë mirënjohës të gjithëve".

Shuts ka bërë ndërmjetësin me shumë persona: "Gjysma e botës na telefonoi, të gjithë të shqetësuar. Tani duhet vetëm të pushojë, do të jetë nën vëzhgimin e mjekëve. Ai dëshiron të bëjë tifo për shokët e ekipit ndaj Belgjikës". Trajneri i Danimarkës, Kasper Hjulmand, ka treguar një telefonatë-video me shokët e skuadrës: "U shqetësua ai për ne. Na pyeti: 'Si jeni? Më duket se më keq se unë! Unë tani jam gati të stërvitem'".


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë