Ngjarje

Krimi për ‘nder’ në Roskovec/ Djali varros të atin, por nuk shkon në funeralin e partneres

Gazeta Si – Një ditë pas ngjarjes tragjike në Vidhisht të Roskovecit, ku 61-vjeçari Xhevair Hoxha vrau me thikë partneren e djalit të tij dhe më pas u vetëvar në pemë, ceremonitë mortore janë bërë të ndara.

Djali i autorit, Fatjon Hoxha ka zgjedhur babain, duke munguar në funeralin e Merushe Hazizit, ndonëse kryefamiljari nuk e pranonte lidhjen e tyre.

Përcjellja për në banesën e fundit të Xhevair Hoxhës në Vidhisht është shoqëruar nga një numër i vogël personash, ndërsa janë vërejtur forca të shumta policie në zonë për të shmangur ndonjë hakmarrje të mundshme nga familjarët e viktimës.

Në të njëjtën ditë, familjarët e Merushes kanë hapur dyert e mortit në fshatin Suk 1 dhe që në orët e para të mëngjesit e kanë përcjellë në banesën e fundit 30-vjeçaren, cila u vra mizorisht me thikë nga babai i bashkëjetuesit.

E reja, nënë e 3 fëmijëve nga martesa e parë do të prehet në varrezat pranë familjes së saj.

Djali i Xhevahirit, ka qenë i martuar me parë dhe ka një fëmijë 9 vjeç me gruan e parë.

Ndarja nga gruaja e parë dhe bashkëjetesa me Merushen, ishte e papranueshme nga babai i djalit, Xhevahiri, i cili nuk e pranoi kurrë bashkëjetesën e të birit me Merushen. Fqinjët e gruas shpjeguan në mënyrën e tyre arsyet e konfliktit që çoi në dy vdekje.

“Ajo goca ishte me tre fëmijë, la burrin që kishte nga Berati dhe u lidh me këtë nga Vidhishtja, i vjehrri nuk donte. Ky la nusen e parë me djalin 10 vjeç dhe mori këtë”, – thanë ata.

Prej tre vjetësh ata kishin debate të vazhdueshme, deri sa të martën, 61-vjeçari e masakroi me thikë 30-vjeçaren në tualetin e banesën e tyre në fshatin Vidhisht të Roskovecit.

Pasi kreu krimin, ai u vetëvar në një pemë që ndodhet në pjesën e pasme të shtëpisë. Duke mos përballuar dot sherret Fatjoni me Merushen për dy vjet jetuan me qira në Fier.

Por disa javë më parë u kthyen në fshat. Mes tyre dhe Xhevairit kishte nisur një tjetër konflikt, ai për pronësinë e shtëpisë.

Debatet për këtë shkak kanë qenë të vazhdueshme dhe shpesh herë për të shuar konfliktet ka qenë prezente edhe policia.

Në mars, autorit i ishte refuzuar nga Gjykata e Fierit një urdhër-mbrojtjeje, në mënyrë që Merushja të mos i afrohej banesës, pasi ndihej i rrezikuar nga ajo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë