Gazeta Si – Kanë marrë zhvillime të reja hetimet për vrasjen e 71-vjeçarit shqiptar Shefki Kurti në Itali, pensionisti që u vra dhe copëtua në fund të korrikut në Polesine.
Prokuroria e Rovigos ka kërkuar dhe ka marrë arrestimin për vrasje me dashje të bashkëshortes së viktimës, Nadire Kurti.
Siç thekson shtypi italian, gruaja është e arrestuar dhe është dërguar nën masa të rrepta sigurie brenda repartit të psikiatrisë në spitalin Rovigo, ku ajo ka pranuar krimin.
Dyshohet se 68-vjeçarja ka vrarë pas një sherri bashkëshortin e saj, më pas trupin e ka copëtuar në tualet me një sëpatë. Si një vrasëse gjakftohtë, ajo besohet se i futi pjesët e trupit në disa qese dhe i hodhi në lumë.
“Po. Unë e vrava atë. E vrava më sëpatë. Më pas e tërhoqa në tualet dhe e copëtova me sëpatë. Trupin e ndava në qese mbeturinash dhe më pas e hodha në kanalin pranë Rovigos”, – ka rrëfyer ajo.
Shkak i kësaj ngjarje të rëndë dyshohet se ishte bërë një sherr mes çiftit, natën që ndodhi krimi. Konflikti në fjalë është hedhur si dyshim edhe nga familjarët e të ndjerit të cilët kanë bërë dhe dënoncimin, për zhdukjen e tij.
Nadire Kurti ishte shtruar në spital më 12 gusht për çrregullim të personalitetit deluzional. Prokurori i Rovigos do të organizojë disa hetime për të konstatuar gjendjen mendore të gruas.
Gjetjet makabre
Historia filloi mëngjesin e 28 korrikut, kur, pranë shtratit të kanalit Adigetto në Villanova del Ghebbo, disa teknikë të ngarkuar me pastrimin e ujit gjetën një këmbë njeriu.
Në të njëjtën ditë, më tej në rrjedhën e sipërme të ujit, pikërisht në Lendinara, janë gjetur dy thasë. Brenda ishin koka dhe busti i një burri. Zbulimi i tretë ndodh pasditen e së njëjtës ditë. Në Villanova del Ghebbo, jo shumë larg vendit ku u gjet këmba, gjenden dy krahë në dy çanta të tjera.
Tre ditë më vonë, më 31 korrik dhe përsëri në Adigetto midis Lendinarës dhe Villanovës, u gjet edhe këmba e humbur.
Familja raporton për zhdukjen
Familja Kurti, e cila nuk e kishte parë që nga e diela e 24 korrikut, ditën kur i moshuari u largua nga shtëpia pas një debati me gruan e tij, zyrtarizoi denoncimin e zhdukjes së tij.
Trupi i ishte atribuar Shefki Kurtit nga një shenjë e veçantë, pikërisht një tatuazh që shqiptari kishte në njërën këmbë, e fundit e gjetur në Adigetto.
Shefki Kurti dhe gruaja e tij Nadire, mbërritën në Itali në vitin 1991 nga qyteti i Durrësit. Fillimisht ata shkuan të jetonin në Villanova del Ghebbo dhe Kurti filloi menjëherë të punojë. Më pas çifti u transferua në Badia Polesine në një apartament të rinovuar dinjitoz.
Të dy kishin dy fëmijë, Alketën me banim në Zvicër dhe Arbenin e njohur si Beni që jeton në Masi, Itali. Ky i fundit punon si DJ në diskotekat lokale. Arbeni mori të menaxhojë “Manfredini”, salla historike e kërcimit në Badia, e cila më pas u shndërrua në klubin “Malibu”, i cili nën drejtimin e tij u bë “Il Babylon”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.